Armiqtë dhe uniteti i shkatërruar i shqiptarëve

Vegim Rashiti

 

Ditë më parë një Organizatë ekstremiste e krishtere në Maqedoni nxori në internet një video në të cilën fyen myslimanët në përgjithësi dhe shqiptarët myslimanë në veçanti duke djegur edhe flamurin kombëtar shqiptar. Ndërsa ajo që ma tërhoqi vëmendjen për ta shkruar këtë shkrim nuk është kjo video e maqedonasve, por komentet e disa “shqiptarëve” në rrjetet sociale në internet se gjoja shqiptarët e Maqedonisë ia paskan tepruar me fe dhe se kombi dhe feja janë të ndara nga njëra-tjetra. Thënë ndryshe, sipas këtij mentaliteti nëse sulmohet feja shqiptarët duhet të rrinë të qetë, ndërsa duhet reaguar vetëm nëse sulmohet kombi.

Fatkeqësisht kështu edhe po ndodh. Një pjesë e shqiptarëve, politikanëve, intelektualëve dhe mediave sikur kanë turp nga feja dhe e mbajnë të fshehur besimin fetar, edhe pse 96% e popullsisë i përkasin këtij besimi. Megjithëse në videon e publikuar të ekstremistëve krishterë maqedonas kërcënohet në veçanti feja islame e shqiptarëve si dhe kombi, protestat e organizuara në Tiranë para Ambasadës së Maqedonisë dhe mediat në Kosovë e Shqipëri kanë reaguar vetëm për djegien e flamurit kombëtar, por jo edhe kërcënimin dhe fyerjen ndaj fesë. Ky anashkalim i fesë nga mediat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë nuk është i ri, madje është i kahershëm.

Mentaliteti dhe debatet si “Kombi apo feja” kanë filluar kaherë dhe e kanë ndarë popullin shqiptar në dysh. Këto përçarje janë futur nga armiqtë e popullit për ta ndarë (në komb ose fe) unitetin e dikurshëm të shqiptarëve. Sepse të ndarë në komb dhe fe, armiqtë më pas e kanë më lehtë t’i sulmojnë të dyja së bashku, edhe kombin edhe fenë.

Feja dhe kombi janë të lidhura aq ngushtë njëra me tjetrën saqë nuk mund të paramendohen ndryshe. Fenë (apo praktikimin e fesë) mund ta zgjedhësh me vetë dëshirë, ndërsa kombin jo. Njerëzit lindin në kombësi të ndryshme duke mos pasur mundësi të zgjedhjes ashtu siç njeriu ka mundësi të zgjedhë nëse do ta praktikojë apo jo fenë. Madje prej gjynaheve më të mëdha edhe sipas vetë fesë (islame) është mohimi i kombit. Por këtë koncept, fatkeqësisht më mirë e kanë kuptuar armiqtë tanë se sa vetë ne shqiptarët. Më shumë se sa nacionalizmit shqiptar, ata i frikësohen unitetit të shqiptarëve tek feja dhe kombi që tek shqiptarët gjithnjë kanë qenë një, për shekuj me radhë. Është për t’u habitur fakti se përderisa këto dyja sulmohen vazhdimisht me aq ngulm pikërisht për shkak të rëndësisë së madhe që kanë, ne akoma vazhdojmë të jemi në një gjumë të thellë dhe vazhdojmë debatet përçarëse dhe dëm-sjellëse.

Duke i parë përçarjet si dhe injorimin që shqiptarët i bëjnë fesë dhe shqiptarëve fetarë, maqedonasit vazhdojnë të vrasin dhe maltretojnë fëmijët shqiptarë në Maqedoni pa asnjë problem; sepse ne tashmë kemi zgjedhur heshtjen dhe injorimin, madje bëjmë edhe akuza absurde në vend të ofrimit të përkrahjes.

Natyrisht ne nuk duhet të biem në provokimet e organizatave ekstremiste krishtere sepse kjo mund të jetë një fushatë me qëllime të dyshimta, apo zhvendosje e vëmendjes duke inskenuar incidente me popullsinë shqiptare në Maqedoni. Andaj, nuk janë për t’u shqetësuar kërcënimet e organizatave ekstremiste të krishtera në Maqedoni, sa janë për t’u shqetësuar përçarjet brenda shqiptarëve, mentaliteti i ulët se feja dhe kombi janë të ndara dhe se duhet reaguar vetëm kur goditet kombi e jo feja. Nëse ne shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë nuk u ofruam as përkrahjen më të vogël shqiptarëve të Maqedonisë në disa incidente, imagjinoni çfarë përkrahje do t’u ofrojmë ne atyre në rast të ndonjë konflikti më të madh. Besoj se edhe ju tashmë e dini përgjigjen se ata do të injorohen krejtësisht sepse ata janë fetarë,…