Nën hijen e Allahut Madhështor

 

Shkruan:  Burim Sogojeva

 

 

Gjithmonë duke mos pretenduar të citoj fjalë për fjalë hadithet e Muhammedit as., porse duke i komentuar e interpretuar ato, po e filloj këtë shkresë.

Kështu që në bazë të një të tilli, vetëm shtatë lloje të njerëzve në ditën e gjykimin do të mund të rrinë nën hijen e Allahut Mëshirëplotë, hije pos të cilës në atë ditë - sa 50.000 vjet që llogarisim ne - nuk do të ketë tjetër, dhe se nxehtësia e asaj dite do të jetë 99 herë më e lartë se ajo e dunjasë.

Dhe ata persona janë:

1) Imami përkatësisht prijësi apo udhëheqësi i drejtë që e ka frikë Atë

2) Ai që e përmend Allahun e Lartësuar në vetmi dhe i mbushen sytë me lot

3) Ai, zemra e të cilit është e lidhur me Xhamitë, pra që i viziton ato rregullisht

4) Ai që e do apo e urren dikë veç për hir të Zotit Përdëllimtar

5) Ai që jep lëmoshë/sadaka fshehtas, pa e parë askush

6) Ai që është i rritur me adhurim të rregullt të Krijuesit të tij Bujar dhe

7) Ai të cilit i ofrohet mundësia për të bërë kurvëri/zina me një femër të bukur e të pasur dhe e refuzon atë, sikurse Jusufi as., duke iu frikësuar Atij.

Mos vallë nuk duam të hyjmë atë ditë nën hijen e Tij?!

Pra le të mundohemi, që së paku prej njërës kategori të jemi. Veçse kjo nuk është e lehtë, e as nuk pik nga qielli, porse duhet qenë i vendosur, i drejtë dhe duke punuar shumë për të arritur pak, fundja veç se me mëshirën e Tij!

T’i shtjellojmë pak këto më radhë:

1) E si i kemi prijësit tanë në atdheun tonë, të cilët - siç thotë Allahu Mëshirëplotë në Kur’an - e kanë shitur ahiretin për dunja, madje edhe ua ndalojnë të drejtat vëllezërve dhe motrave të tyre muslimane, konkretisht duke e ndaluar shaminë e motrave tona në shkolla, e kështu me radhë!

Ka prej tyre që haptas dhe pa pikë turpi pinë alkool dhe shfaqin dashurinë e tyre për jobesimtarë, duke filluar me ata të të njëjtit komb, siç është Skënderbeu, Enver Hoxha, e kështu me radhë.

Pra fatkeqësisht asgjë të hajrit nga ta nuk mund të presim, e madje i votojmë sërish e sërish!

2) Edhe në këtë rast mund të marrim si argument vargun e mëposhtëm Kur’anor:

19:58. Këta (të përmendur) ishin që Allahu i gradoi nga Pejgamberët pasardhës të Ademit, prej pasardhësve të atyre që i patëm bartur (në anije) bashkë me Nuhun, prej pasardhësve të Ibrahimit dhe të Jakubit (Israelit), dhe prej atyre që i udhëzuam dhe i bëmë të zgjedhur; kur u lexoheshin atyre ajetet e Zotit, binin në sexhde dhe qanin.

3) Për këtë fakt, Allahu i Lartësuar në Kuranin famëlartë thotë si vijon:

24,35: Allahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i ngjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërues e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. Allahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. Allahu sjell shembuj për njerëzit. Allahu çdo gjë di shumë mirë.

24,36 (ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që Allahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij, t'i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje.

24,37 Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet.

72,18. Dhe (mua më shpallet) se vërtet xhamitë janë (vend i) veçantë për ta adhuruar Allahun, e mos iu lutni në to askujt tjetër pos Allahut!

Natyrisht se nuk ka nevojë që asgjë dhe askush ta konfirmojë fjalën e Krijuesit Madhështor, meqë atë e ka konfirmuar e vërtetuar Ai vetë dhe kjo i mjafton çdo besimtari të sinqertë. Megjithatë dua ta shprehi kënaqësinë time që e ndjej sa herë që shkoj dhe kthehem nga Xhamia e natyrisht se edhe kur jam në të. Kështu që kur ndodh që të mos mund të shkoj së paku një herë në ditë në xhami, ndjej një zbrazësi e mungesë në vetvete, pra ndiej mungesën e dritës së Krijuesit tim Mëshirëplotë.

4) Kjo është e vetëkuptueshme, pra që ta duam njëri-tjetrin pa interes dhe veç për të arritur kënaqësinë e Atij Mëshirëplotit e jo veç kur të jemi në vështirësi apo të kemi nevojë për njëri-tjetrin. Gjithashtu ta urrejmë të shëmtuarën dhe ta luftojmë e të mos heshtim edhe nëse të tjerët na kundërshtojnë. Për këtë shiko edhe shënimin e mëparshëm “Thuaje të vërtetën”

5) Ne edhe pse na ka dhënë Ai rizk të mjaftueshëm, madje falë Tij kemi edhe të gjitha të mirat e Tij, bëhemi koprrac/tahmaqar dhe matemi disa herë, deri sa të japim diçka për hir të Allahut Bujar!

Se nuk bën të lakmojmë shumë në pasurinë e dunjasë, shembulli më i mirë është Muhammedi a.s. vetë, i cili edhe pse ishte edhe mbret, nuk kishte as pallat e as fron, madje jetoi në varfëri. SubhanAllah!

Edhe Isai a.s. po ashtu nuk kishte kurrfarë pasurie dhe tërë kjo nuk është rastësisht. Kjo d.m.th. se ata kanë ditë shumë më shumë se ne ç’po dimë dhe çka po duam të dimë, meqë ata e kanë ditur pasurinë e madhe që i pret tek Krijuesi i tyre Madhështor.

E sa e sa sulltani e mbreti ka qenë në këtë botë me sa e sa pasuri e pushtet, por se të gjitha i kanë lënë dhe asgjë nuk kanë marrë me vete në varr. Sa mendjelehtë që jemi, SubhanAllah!

Për këtë gjë në Kur’an gjejmë edhe këtë:

2,261: Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut është si i një kokrre që i mbinë shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, Allahu është bujar i madh, i di qëllimet.

2,264: O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa par sy e faqe të njerëzve, ...

2,271: Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqijat...

57,18: S'ka dyshim se ata që japin lëmoshë (sadaka) dhe që sinqerisht japin për hir të Allahut, atyre u shumëfishohet dhe ata kanë shpërblim të madh.

6) Kjo do të thotë se ne fillimisht duhet të kërkojmë udhëzimin për vete, e pastaj t’i edukojmë edhe familjet tona e posaçërisht pasardhësit tanë.

Në këtë rast dua këtu të citoj vetëm një varg Kur’anor:

66,6: O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej zjarrit (të Xhehenemit), lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.

7) Prandaj, posa të na jepet mundësia të martohemi vetë apo fëmijët tanë, atëherë ta kryejmë menjëherë këtë obligim dhe nevojë njerëzore, meqë përndryshe shejtani i mallkuar mezi pret të të cyt në vepra të poshtra, prej të cilave është edhe zinaja/kurvëria.

Nuk thoshin kot pleqtë tanë se vajza/qika posa të bëhet me e prekë rezen e derës është mirë me e dërguar tek burri!

Ndërsa sa e sa “motra” tona shqiptare e “muslimane” mund t’i shohim posa të fillojë të ngrohet moti të veshura por të zhveshura, siç ka thënë Muhammedi as. Ato më së paku i ngjajnë një muslimaneje, për më tepër i ngjajnë shkinave siç thotë populli tek ne. E kjo në plotëkuptimin e fjalës, meqë me sa e kam kuptuar unë, fjala shka po vinte nga një fjalë arabe që do të thotë fatzi, i prishur. E ato që zhvishen kështu me të vërtetë janë të prishura në zemër dhe veç shejtanëve u përngjajnë!

Pra ne jemi shumë të sprovuar me këto femra, porse duhet të marrim mësim nga shembulli më i mirë në këtë rast, pra ai i Jusufit a.s., i cili përshkruhet në Kur’an kështu:

12:23-33: E ajo, në shtëpinë e së cilës ishte Jusufi, e dëshiroj atë dhe ia mbylli dyert e i tha: Eja!. Ai (Jusufi) tha: Allahu më ruajt, ai zotëria im (e burri yt) më nderoi me vendosje të mirë (si mund t'ia bëj këtë gjë atij)?. S'ka dyshim se tradhtarët nuk kanë sukses.; Ajo e mësyni atë qëllimisht, e edhe ai do ta dëshironte atë, sikur të mos i prezantohej argumenti nga Zoti i tij. ... Vërtet, ai ishte nga robërit tanë të zgjedhur.; …; Ajo tha: Qe, ky është ai për të cilin më qortuat mua, e unë e mësyna atë, po ai u ruajt fort. Po qe se nuk bën çka e urdhëroj, ai gjithqysh do të burgoset dhe do të nënçmohet; Ai (Jusufi) tha: O Zoti im, burgu është më i dëshiruar për mua, se sa atë që ma ofrojnë ato mua dhe nëse Ti nuk largon prej meje dredhinë e tyre, unë mund të anoj kah ato e të bëhem prej mosmirënjohësve.

Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut Madhështor qofshin me juve!