Shalli (çallma) e hoxhallarëve në protestë

 

Shkruan: Ulvi FEJZULLAHU

 

Arrestimet në Komunën e Bujanocit e tensionuan situatën. Spektri politik shqiptarë u përballë me të papritura në prag të zgjedhjeve. Nuk do koment politika e serbe ndaj popullatës shqiptare në këto troje.

Tani kjo ngjarje tmerruese ishte jo vetëm atak për të arrestuarit dhe familjet e tyre. Por për të gjithë ne shqiptarët. Kjo bëri që pushteti komunal në Bujanoc, spektri politik i mbarë Luginës së Preshevës të aktivizohet njëzëri në sensibilizimin e çështjes.

U takuan përfaqësuesit politik, u solidarizuan, u deklaruan, besa edhe me zemër të thyer e sy të përlotur u tha: ia kujtojmë shtetit Shqiptarë se me kushtetutë duhet të interesohet për ne këtu në Bujanoc e Preshevë. Ç’të bëjmë kemi mbet kështu!!

Po ashtu edhe në të gjitha televizionet e Kosovës u emetua lajmi i arrestimeve, po ashtu u zhvillua edhe një debat me përfaqësuarit politik nga Presheve dhe Bujanoci, njëherit u lajmërua edhe një protestë për sot (5-maj-2012).

Vendosa të merrja pjesë në protestën paqësore, të solidarizohem me popullatën. U nisa në këmbë nga shtëpia, rrugës takoja njerëz që edhe ata e kishin një synim, kur u afrova në vendin ku mbahej protesta pash njerëz të shumtë, me pamje modeste, fytyra të mërzitura, të rinjtë mbanin në duar shkrime: Nuk jemi terrorista! Babin e dua në shtëpi! etj..

Vërtetë mbretëronte klima e shqetësimit, pikëllimit.. Duke i shikuar protestuesit dhe gjendjen e tyre vetëm se edhe unë u ndala në një skaj, i përshëndeta me selam (eselamu alejkum) një grumbull të njerëzve, të gjithë më përshëndetën, disa i njihja disa jo, por njëri më tha hoxhë afrohu këtu afër nën një hije, Allahu i shpërbleftë, ashtu edhe veprova.

Tani po i dëgjoj fjalimet e folësve.

I nderuari Jonz Musliu iu drejtua të pranishmëve me disa fjali të vërteta që dilnin nga shpirti nën klimën e emocioneve. Protestuesit gati pas çdo fjalie të thënë, reagonin pozitivisht.

Më pas fjalën e mori i nderuari Shaip Kamberi, me tone stabile, retorik të qetë dhe maturi të gjerë e u shpreh bindshëm dhe me vendosmëri. Allahu i shpërbleftë që të dy.

Gjatë fjalimeve, që ndiqja me vëmendje fjalimet, vërejta disa hoxhallarë gati në përfundim të protestës kishin vendosur shallat (çallamat) e mëdha në kokë dhe nga fundi filluan të depërtojnë, rresht një për një, nga mesi i njerëzve të grumbulluar që të dalin në ballë të protestuesve dhe afër foltores. Pse edhe ata nuk u ndalën në mesin e njerëzve, këtë ata e dinë. Si do që të jetë Allahu i shpërbleftë të gjithë pjesëmarrësit në protestë, po në këtë urim hynë edhe shallat (çallamat) e efendilerëve pjesëmarrës, që vazhdimisht i bartin dhe reflektojnë shkëlqyeshëm.

Allahu im! Të lutem, liroj të burgosurit tanë nga burgjet serbe.

Allahu im! Ruaje popullin tona nga dhuna dhe terrori.

Allahu im! Jepi durim të burgosurve tanë.

Allahu im! Na jep maturi dhe mençuri që problemet ti largojmë pa dhunë e gjakderdhje.

Allahu im! Ata të cilët na donë të keqen, ktheja atyre që të merren me vetveten.