Atë që e solli dritën e lanë në errësirë

 

 

Autor: Ilir DEMIRI

 

Gjysma e asaj që do të shkruaj ndoshta do të jetë e pakuptimtë për ju, por  shpresoj që së paku gjysma të arrijë te ju.

Thuajse, gjithsecili pretendon për paqe, drejtësi, parandalim të dhunës, luftë kundër urisë në botë e ku e di çka tjetër, të gjithë këto fjalë dalin nga goja e atyre njerëzve  që përbëjnë botën, mëngjesi i së cilës ua prish ëndrrat fëmijëve të padjallëzuar me zhurmën që shkaktojnë mjetet që pamundësojnë paqen, në vend se këta të zgjoheshin me zërin e bukur të bilbilit, po, si duket kjo zhurmë nuk po lejon as bilbilin të shpreh ankimin e tij ndaj kësaj gjendje me zërin e tij që është sinonim i mirëqenies në shoqëri. Jo vetëm kaq, po në këtë botë ka të atillë që vdesin nga uria ende pa e kuptuar sekretin e lindjes, gjersa të tillët si këta në vende të tjera vuajnë nga mbipesha.

Po pjesë e kësaj bote janë edhe ata që shtiren se mundohen për t’ia siguruar të gjitha të drejtat dhe liritë edukatores së shoqërisë, gjysmën e së cilës e përbën vet ajo dhe pjesa tjetër është pjellë e edukatës së saj, po të tillët janë ata që këtë e kanë shndërruar  në  “mjet” për plotësimin e epsheve shtazarake të mashkullit, e gjithë  kjo  në emër të civilizimit apo se nderi i femrës është çështje e së kaluarës dhe zbulimi i pjesëve të trupit “ art”, nëse mund të themi ashtu.

Më çudit fakti se të njëjtit ishin këta që thanë se gruaja burrit i sjell vetëm dy ditë lumturi në jetë, ditën kur martohet dhe ditën kur e përcjellë për në varrë, njëkohësisht ajo është pre e dhunës së tyre apo më mirë thënë pre e ngurtësisë së zemrave të tyre.

Megjithëkëtë kjo nuk do të thotë se jam prej atyre që e shikojnë jetën të zezë, as prej atyre që e shikojnë të bukur, po jam prej atyre që e shohin ashtu siç është në realitet. Thënë shkurt, bota për mua është një ujdhesë e madhe, që rrethohet nga uji i rrëmbyeshëm dhe që vlon.

Për fund, dëshiroj që sëmundjes t’i gjendet  ilaçi, të vijë pranvera pas këtij dimri të acartë dhe të çel agimi pas kësaj nate të gjatë, agim i cili do të jetë kurorëzim i gjakut dhe vajit, që po shkaktohen nga “paqedashësit” në emër të paqes, ja kjo po më brengos se si mund t’i robërojnë njerëzit, kur  nënat i kanë lindur të lirë dhe ajo se të gjithë ata që po mundësojnë vdekjen e të  pafajshmëve, vet vazhdojnë të jetojnë.

E pres atë ditë,  kur nuk do të ketë më varrosje të fëmijës nga prindi, por varrosje të prindit nga fëmija dhe fare në fund, le të dëgjojnë ata që kanë veshë.