Revolucioni nuk dështoi në Egjipt

 

 

Shkruan: Dr. Shefqet Krasniqi

 

 

Rezultatet e para të Pranverës Arabe në Egjipt sapo kanë filluar. Populli vendosi se ç’drejtim do të merr. E rrëzuan me Revolucion diktatorin ndërsa me votë “shkatërruan” edhe mbetjet e tij të fundit. Revolucioni ka arritur të shpalos para botës mbarë sa i rëndësishëm ka qenë dhe se sa nevojë kanë patur këta njerëz për tu çliruar nga tirania dhe mizoria e despotëve të llojit të liderëve të tyre. Sinqerisht, që nga fillimi i kryengritjeve në Tunizi kundër Zejnul Abidinit, e më pas në Egjipt dhe kështu me radhë, kam qenë i bindur dhe vazhdoj të jem edhe më tej se ka ardhur koha për një ndryshim të rrënjësishëm në botën arabe në veçanti, por edhe në atë Islame në përgjithësi. Më kujtohet se kur filluan protestat pata thënë se hairin atyre nuk do tua sheh vetëm bota islame, por edhe ajo joislame. Isha optimist për efektet pozitive të tyre pas asaj vështirësie dhe padrejtësie e zullumi të madh të bërë nga krerët e shteteve të tyre, do të vije lehtësimi, siç na ka mësuar Allahu në Kur’an:

"E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi.” (esh-Sherh, 5)

Kështu është ligji i Allahut të Madhëruar; pas vështirësive vjen lehtësimi, pas pushtimit, vjen çlirimi, pas zullumit, vjen drejtësia. Arabët vuajtën nga diktatorët e tyre për dekada të tëra, ose thënë më mirë për një shekull të plotë, të cilët erdhën në pushtet falë përkrahjes që bota e (ç)civilizuar ua dha. Por, Allahu i Madhëruar është mbi të gjithë. Afatizimi i zullumqarëve është vetëm një shkak për dënim të dhembshëm për ta. Paramendoni vetëm para dy viteve kush ishte Gadafi, Ben Alija, Mubaraku e kush janë sot! Kështu ngjau edhe në Kosovën tonë të dashur.  Pas viteve të tëra padrejtësi, u çliruam.

Të nderuar,

Kam bindjen në Allahun e Madhëruar se Ai ka për ta ndryshuar gjendjen e Ummetit Islam, sepse Zoti po do që kjo botë të ndryshojë, po do që myslimanët të ngritën sërish, sepse vetëm ata dinë të mbajnë drejtësi. Mos u çuditni për këtë sepse e tërë bota e di që njerëzimi për gjatë gjithë historisë së tij nuk njeh drejtësi më të madhe sesa gjatë sundimit të myslimanëve për më se njëmijë vite. E periudha e fundit, konkretisht pas rënies së kalifatit të myslimanëve ka qenë shumë e zymtë dhe dëshpëruese për shumë kë. Por, ajo periudhë ngadalë po kalon e po kthehet periudha e artë. Po kthehet periudha ku e tërë bota do t’ia ketë lakminë myslimanëve, natyrisht nëse ata gjykojnë dhe jetojnë me Islam. E ne po shpresojmë që celulat e para veç kanë filluar me u shfaqur. Deri më tani Turqia dhe qeveria e saj islamiste veç janë duke e dhënë një pasqyrë të mirë për atë që thashë. Pastaj  fitimi i myslimanëve në Tunezi dhe së fundi ardhja e Muhamed Mursiut për kryetar të Egjiptit është edhe një shenjë tjetër se muslimanët për çdo ditë po vijnë duke u vetëdijesuar dhe duke kuptuar se nuk jetohet pa Islam. Dhe fitoret tjera të cilat do të vijnë në vazhdim me emër të Allahut.  Në fakt, fitorja e Mursiut nuk është thjesht fitore e një individi, nuk është thjesht fitore e një partie apo lëvizjeje, por është fitore e lirisë, e paqes dhe drejtësisë. Është fitore e të gjithë egjiptianëve, muslimanëve dhe të krishterëve. Është fitore e mbarë botës arabe dhe asaj Islame, është fitore e mbarë njerëzve paqedashës dhe liridashës. Po vije koha të del në shesh si e vërtetë tërë ajo çka është thënë e folur me dekada, se myslimanët janë më paqedashës, më liridashës, se myslimanët dinë të udhëheqin e të mbajnë shtet, por nuk po ju jepet mundësia. Po vije koha të del në shesh se propaganda që është bërë kundër Islamit dhe myslimanëve që moti,  në veçanti në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar e deri më tani se myslimanët janë fundamentalistë, se ata janë ekstremistë, se ata nuk bënë të vijnë në pushtet ngase do t’ia sheh sherrin e tërë bota, e tjerë e tjerë, kanë qenë qëllimkëqija dhe se e vërteta qëndron krejt ndryshe. Të gjitha këto akuza të drejtuara myslimanëve do të dështojnë, e do të vërtetohet e kundërta me emër të Allahut. Do të bindet bota se myslimanët janë më të mirët, se ata jo vetëm që dinë të mbajnë shtet, porse do të jenë faktor tepër me rëndësi për paqen dhe sigurinë në nivel global. Andaj nëpërmjet këtij shkrimi modest shfrytëzoj rastin t’ia uroj fitoren Dr. Mursit, të gjithë myslimanëve dhe të gjithë atyre që donë paqe e siguri kudo qofshin ata.

Pranvera arabe ende nuk ka përfunduar, sepse ende ka shumë për tu punuar, ende në Siri po vlon gjaku i derdhur për çdo ditë nga kundërshtarët e paqes dhe minuesit e saj. Por edhe atje do vije fundi, edhe atje do t’i jap frytet e saja revolucioni i pranverës arabe. E neve na mbetet të lutemi e të presim e shumë shpresojmë se nuk do të zhgënjehemi. Por krejt kjo mbetet për tu parë dhe për tu vërtetuar në të ardhmen.

Le të shpresojmë se java në vijim, kur edhe do të takohemi me shkrim tjetër –inshaAllah-, do të na sjellë ndonjë tjetër lajm të gëzuar për muslimanët!

Selam alejkum!