
Është e pamundur t’i shmangem artikujve ku nëpërkëmben vlerat e shumicës, përqeshen e madje pa kurrfarë turpi fyhen elita e popullit, e krejt kjo bëhet kinse për të treguar atdhetarizmin e tyre e duket se këtë cilësi ata më së paku e posedojnë.
Edhe pse nuk i pëlqej debatet e këtilla, ngaqë mendoj se ato shkaktojnë edhe më shumë përçarje në një kohë kur duhet të jemi më të bashkuar se kurrë, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë Londineze ose më mirë të themi në 100 vjetorin e copëtimit të Shqipërisë Etnike turpërohem kur shoh se vlerat e shqiptarëve të cilat u përcollën brez pas brezi, sot janë në zhdukje e sipër. Tani kur shfletoj faqet e internetit shpeshherë has në artikuj nga njerëz të shkolluar „intelektualë“ islamofobë që i quajnë shqiptarët muslimanë „kopila arabë, gjakprishur, të prapambetur, mbeturina turke, islamistë, selefistë, vehabistë” e kështu me radhë. E keqja e së keqes është se shumë nga këta njerëz të pandërgjegjshëm e quajnë veten atdhetarë dhe njëherazi vijnë nga familje me vlera muslimane dhe mbajnë emra muslimanë.
Janë po këta atdhetarë që kalojnë kohën nëpër kafehanet e Prishtinës e të Tiranës duke shkatërruar shëndetin e tyre me duhan e raki dhe tërë këtë “sakrificë” e bëjnë për atdheun e tyre, ndërsa atdheu për ditë e më shumë tkurret, për ditë e më shumë zvogëlohet.
Të rënët harrohen, të gjallët dënohen, të zhdukurit s’kërkohen e të rinjtë shkatërrohen...
Lufta e pastër për liri quhet krim ndaj popullatës serbe, çlirimtarët quhen kriminelë dhe dënohen për krime kundër njerëzimit, ndërsa kriminelët e vërtetë shëtisin rrugëve të Prishtinës, të Deçanit, të Mitrovicës, të Pejës, të Gjilanit e të Kamenicës, përherë nën mbrojtjen e trupave të KFOR-it dhe EULEX-it... Nganjëherë them më vete: Babë, ndoshta është më mirë që nuk je gjallë e nuk i sheh këta njerëz për të cilët sakrifikove vitet më të mira të jetës sate që sot po shkojnë drejt degjenerimit total.
Kosova dikur kishte rininë më të pastër në Evropë, ndërsa sot konsiderohet se 70% e saj janë konsumatorë të rregullt të drogës dhe alkoolit. A nuk është fatkeqësi që kosovarët sot kanë vetëm një ëndërr, ajo nuk është të rrinë e të luftojnë për këtë vend, e as të punojnë për të ardhmen e këtij vendi, por të ikin nga ky vend me çdo kusht. Sa e sa të rinj gjenden nëpër burgjet e Evropës për shkak se u munduan të dalin ilegalisht, sa e sa të tjerë humbën jetën duke tentuar të largohen, sa shitën shtëpitë e tyre, sa e sa bija e motra tona enden rrugëve të pista të botës duke shitur moralin e tyre, vetëm për të mos u kthyer në atë vend për të cilin u shkruan aq shumë poezi. Sa lot ujitën telat e çiftelisë, sa njerëz shkuan me mall të shtëpisë, sa të tjerë vdiqën me një dëshirë, veç ta shohin këtë vend të lirë.
E sot të lirë, këta „intelektualë“ të pazotë, a thua nuk i shohin tërë këto të këqija që na rrethojnë, po shkojnë e sulmojnë 99% të popullatës pse qenkan muslimanë! A mos vallë harruan se ishin këta 99% që luftuan për të mos u asimiluar tërësisht, ishin këta trima që luftuan e nuk u trembën asnjëherë, asnjëherë s’u gjunjëzuan para armikut! Ndërsa, sot kur këta njerëz menduan se erdhi liria, sot fyhen e poshtërohen nga ata të cilëve ua sollën lirinë. Pyes veten se si është e mundur që në një shtet me popullsi shumicë muslimane të poshtërohen besimtarët, t’u ndalohet shamia, t’u mbyllen xhamitë, të mos u lejohet të falen as në rrugë duke u rrahur nga mbrojtësit e rendit dhe ligjit, madje gjatë namazit! Po ku të falen këta të shkretë kur trembëdhjetë xhamitë e ndërtuara para 500 vjetësh nuk janë ndërtuar për një popullatë prej 500.000 banorësh, numri i popullsisë në Prishtinë para njëqind vjetësh ishte vetëm 9000 banorë.
Prishtina sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për një qendër islame ku besimtarët mund ta falin namazin, ku mund të takohen, të mësojnë fenë e tyre, po edhe të lidhin miqësi të reja... Asnjëherë nuk u ngrit zëri kundër ndërtimit të Katedrales në Prishtinë edhe pse komuniteti i krishterë përbën vetëm 1% të popullatës së Prishtinës, atëherë pse ndodh që kur muslimanët kërkojnë një faltore që t’i bien në sexhde Allahut duhet të cilësohen si gjak i fëlliqur dhe kopilë turko-arabë... A mos vallë kanë frikë se do të ndalohet degjenerimi i popullatës, se rinia do të fillojë t’i rikthejë vlerat që dikur i kishin paraardhësit e tyre: besën, nderin, respektin dhe atdhedashurinë. Mbase kjo u pengon apo kanë frikë të cilësohen si muslimanë dhe kështu të humbin përkrahjen e Perëndimit. Mor të mjerë, a më e rëndësishme është përkrahja e Perëndimit apo ajo e Allahut?! Sa i përket Perëndimit unë vetë jetoj këtu, në mes të Gjermanisë, në një qytet me përmasa sa Prishtina, me 140.000 banorë ka 16 Kisha, 1 Sinagogë dhe 12 Xhami. Xhamia më e madhe për nga xhemati është ajo e Komunitetit Gjerman. Unë turpërohem kur shoh se përqindja e të rinjve shqiptarë nëpër faltore është aq e vogël kundrejt asaj gjermane, kurse klubet e natës, baret e kafehanet janë plot e përplot me të rinj shqiptarë. Rreth 10.000 gjermanë në vit përqafojnë Islamin, kështu që pyes veten se nga jemi drejtuar ne kur Perëndimi i është drejtuar Allahut!