Menubar

Dukuria e çrasëzimit të gjuhës shqipe

 

Shkruan: Arsim Jonuzi, 05.08.2012

 

Globalizimi pamohueshëm ka ndikim edhe në gjuhë. Gjuhës shqipe pothuaj ia ka bjerrë rasat. Sidomos kallëzoren. Në fakt, bjerrja e kallëzores në masë më të madhe dhe në masë më të vogël e emërores janë shtysa kryesore që iu rrekëm ta paraqesim të analizuar këtë dukuri problematike dhe gjithsesi për të dhënë zgjidhje normative.

Të themi që këtu, mediumet janë apokaliptizuesit bajraktorë të sistemit tonë pesënjësor të rasave. Si nënkategori paraqesim gazetarët e sportit, të cilët mbase duke u prirur nga frika se nuk do të kuptohen si duhet nga përcjellësit e sportit se për kë bëhet fjalë, emrat e futbollistëve, ta marrim si shembull këtu, i përmendin në rasën emërore në vend se në kallëzore. Sa për ilustrim, thuhet: “Kjo gjuajtje për Iker Kasilas ishte fare e lehtë për ta mbrojtur”. Që në arsimin fillor mësohet se mbaresa e rasës kallëzore për emrat mashkullorë të përveçëm ashtu si edhe të përgjithshëm është “n”, ndërsa për femërorët “s”. Tani parashtrojeni pyetjen se për kë është e lehtë njëfare gjuajtje për ta mbrojtur. Përgjigjjuni pyetjes duke pasur të aktivizuar natyralizmin e gjuhës sonë shqipe.

Anglishtja dhe frëngjishtja janë ndër fajtorët kryesorë. Mbase përçuesit e globalizmit nëpër botë. Sidomos anglishtja. Në gjuhën angleze ekziston vetëm një rasë – gjinorja, por megjithëkëtë është disi gramatikisht absurde është të përmendet termi “rasë” në këtë gjuhë. Madje as për nocionin edhe aq nuk kuvendohet. Në literaturë mund të haset termi “rasë absolute” me referim për te ajo. Më shumë domethënë përjetohet si pronësi në trajtë të morfemës. Thjesht shkronja “s” e pozicionuar para ose pas apostrofit në raste përkatëse kryen tërë punën. Frëngjishtja njeh emëroren, gjinoren, ndërsa të ashtuquajturën rasën kundrinore e sheh përmbledhtaz me nënndarje për kundrinën e drejtë dhe të zhdrejtë. Këto përkojnë me kallëzoren dhe dhanoren përkatësisht. Sidoqoftë situata me të është se ngjan prani e parafjalëve përkatëse për çdonjë rasë dhe se përemrat janë përjetuesit e vërtetë të kësaj kategorie gramatikore, ndërsa emrat jo, aq më pak të përveçmit.

Dukuria e ndjekjes së gramatikës, gjegjësisht sintaksës së një gjuhe në të folur është definitivisht regresive dhe është në një frekuencë me projektin pompoz të gjuhës së ashtuquajtur “Esperanto”. Pra, me këso veprime, mbase pa e emërtuar atë, shpiejmë vetveten dhe të ardhmen kah “Esperantoja”. “Esperantoja” përndryshe fund e krye është artificializim i natyrës së gjuhëve dhe gjuhësisë në përgjithësi. Për më tepër është një projekt pakthyeshëmërisht i dështueshëm ëndërrimtarësh syhapur, të cilët kanë hequr dorë nga patriotizmi në trajtë të mbrojtjes së gjuhës së tyre dhe kultivimit të saj dhe kanë ndërmarrë aksion për të uniformuar të folurit e njerëzve në botë (!!!). Dukuria e prishjes së rasave tregon se ne shqiptarët nuk mundemi t’u bëjmë ballë ndikimeve të huaja – disi çdoherë ne duhet të jemi të ndikuar prej ndokujt. Gjuhët sllave me shumë sukses po qëndrojnë të paprekura në këtë aspekt. Merreni si objekt studimi maqedonishten apo serbo-kroato-boshnjakishten.

Në këtë trastë vëmë edhe shënimin e emrave të përveçëm në formën e tyre origjinale pa i transkriptuar. Prapë shenjë globalizmi. Vizioni i këtij përdorimi është që lexuesi të ketë mundësi të shënojë emrin në fjalë në makina kërkuese virtuale (siç është Guglla) dhe të marrë më shumë të dhëna rreth tij apo saj. Gjithandej mund të shohim përdorimin e dabëllju-së në tituj dhe “ch” në vend të ç-së. Madje ndonjëherë ç-ja zëvendësohet me c.

Nëse themi më shumë vetëm në pleonazëm strukturore do të hasim. Ajo që duhet bërë – nga gjuhëtarët, gazetarët, shkrimtarët dhe njerëzit publikë – është të kihet guxim gjuha shqipe të paraqitet ashtu si është, me atë sintaksë që e ka, me rasat e saj, pra të mos ia ndryshojmë shtyllat e saj karakteristike dalluese nga gjuhët e tjera. Të mos biejmë në kurthin e “esperantizimit të pavetëdijshëm”. Le të integrohemi kudo, por të mos tjetërsohemi me askënd, në asnjë kohë dhe për asnjë çmim.

Autori është absolvent i filologjisë