Shkruan: Burim Sogojeva
Revista mujore anglishtfolëse Jane's Intelligence Review e cila raportet e saj i bën duke u bazuar në informata të mbledhura ndër të tjera edhe nga shërbimet e fshehta, më 06.08.2012 publikoi një raport me titullin “Radical route - Salafism in the Balkans“ që në shqip do të thotë “Rruga radikale - Selafizmi në Ballkan”.
Natyrisht se në të kishte shumë gjëra paragjykuese ndaj Islamit përgjithësisht e në këtë rast edhe në trojet tona shqiptare konkretisht, porse fjalia që më la përshtypje dhe më pëlqeu shumë titullohej kështu:
Gjatë dekadës së fundit, shqiptarët në Kosovë janë bërë më konservatorë dhe po i kthehen tani gjithnjë e më shumë fesë”.
SubhanAllah! Sa mirë! Le ta kuptojë e mbarë bota se shqiptarët po i kthehen të vërtetës së pakontestueshme, Islamit, fesë së vetme të pranuar nga Allahu i Lartësuar (Kur'an 3,19; 3,85; 3,102; 21,92 dhe 23,52).
Ata natyrisht se këtë kthim e arsyetojnë me të pavërteta e nuk e analizojnë dhe sqarojnë se përse edhe të tjerët popuj pos shqiptarëve, si p.sh. gjermanët, të cilët çdo vit rreth 4000 e pranojnë Islamin nga bindja, ndërsa sipas gazetës Independent që nga viti 2001 e deri vitin e kaluar mbi 100.000 britanikë kanë pranuar Islamin! E të mos flasim për SHBA-të, ku sipas disa të dhënave që nga viti 2001 mbi 1,5 milion amerikanë kanë pranuar Islamin.
Kështu që patjetër do të përmbushet fjala e të Dërguarit të Allahut Bujar, Muhammedit, alejhis-selam, se Islami do të hyjë çdo kund ku lind dhe perëndon dielli, i pëlqeu dikujt apo jo dhe kjo pra natyrisht nga bindja e me argumente e jo me dhunë, meqë kjo është e ndaluar në Islam (Kur'an 2,256).
E tërë kjo përkundër faktit se Islami ka ardhur si i huaj, i tillë është tani dhe si i tillë do të mbetet deri në çastet e fundit. Natyrisht se edhe këtë e ka thënë Muhammedi alejhis-selam.
Ata megjithatë e thonë një të vërtetë, se shqiptarët deri më tani me atë dije që kishin për fenë e tyre, i përkisnin medhhebit/shkollës juridike islame hanefi. Mirëpo për fat të keq ata nuk e cekin - meqë sigurisht se edhe nuk e dinë - se në medhhebin e pastër të dijetarit të madh Ebu Hanifes (Allahu i Lartësuar e mëshiroftë) na janë futur shumë bidate/risi të kota të cilat janë bërë tradita dhe të cilat nuk kanë fare bazë në Kur'an apo në Sunnetin e Muhammedi alejhis-selam.
Allahu i Lartësuar na ka nderuar dhe na ka mëshiruar neve shqiptarëve, për dallim nga popujt fqinjë, pos boshnjakëve, që na ka bërë prej atyre që e kemi pranuar Islamin. Natyrisht se këtë Islam na e kanë sjellë turqit, por jo me dhunë. Këtë e argumenton Kur'ani 2,256, siç e ceka më lart. Sikur të ishim bërë me dhunë muslimanë, siç pretendojnë disa shqiptarë të padijshëm, atëherë do duhet të shtrohej pyetja, pse nuk u bënë edhe serbët, malazezët, grekët e bullgarët gjithashtu muslimanë në masë sikurse ne, përderisa edhe trojet e tyre ishin të pushtuara nga Perandoria Islame.
Megjithatë këta turq, me tërë këtë mirësi të madhe na kanë sjellë edhe bidate/risi që i kanë futur ata me kohë dhe të cilat natyrisht se janë mëkate, meqë çdo risi në fe çon në devijim e çdo devijim në mëkat dhe mëkati të dërgon në Xhehenem, Allahu i Lartësuar na ruajt nga ai.
Natyrisht se këto risi në fe në trojet tona janë të shumta dhe duhet t’i heqim sa më parë, mirëpo kjo nuk mund të ndodhë nga padijenia e injoranca. Kështu që këtu dua t’i cek vetëm dy shembuj nga mësimet e Ebu Hanifes (Allahu i Lartësuar e mëshiroftë):
Ai madje nuk e ka pranuar një burrë si dëshmitar për ndonjë çështje nëse ai nuk do të kishte mjekër, ndërsa sot njerëzit thirren se janë Hanefi nëse i pyet ata se përse rruhen. Çfarë shpifje i bëhet atij të nderuari!
Dhe shembulli i dytë është muzika, për të cilën ai ka thënë se është mëkat, madje atë që është kënaqur duke dëgjuar muzikë ai e ka krahasuar me jobesimtarin/kafirin. E çfarë ndodh sot në ditët tona?! Lëre më që hoxhallarë të tillë e lejojnë muzikën nëpër shtëpi private, por edhe brenda në xhami, konkretisht këtu në Gjermani, e lëshojnë dhe organizojnë muzikën vetë ata (aso të ashtuquajtura ilahi me muzikë) dhe madje si pasojë e kësaj vonohet namazi i akshamit/mbrëmjes për gjysmë ore, duke e festuar (mëkatuar) ditëlindjen e Muhammedit alejhis-selam. Apo siç ndodhi vitin e kaluar në Kosovë, kur Muftiu vetë e organizoi koncertin me rastin e Fitër-Bajramit dhe pastaj na doli se ishte me muzikë. SubhanAllah!
Të dy këto raste i kam përjetuar unë vetë, përderisa në rastin e parë u desh të dal jashtë xhamisë dhe të falem vetë, përderisa në të dytin u largova nga ai manifestim, meqë nuk i durova dot më ato tmerre.
Për më tepër bashkë me këtë shkrim është bashkëngjitur edhe një fotografi, ku shihet qartë se si në vitin 1943 në Kërçovën shqiptare hoxha është me mjekër sipas Sunnetit si dhe me pantallona të shkurtuara. Kjo dëshmon se kjo ringjallje e Sunnetit në trojet tona nuk është shpikje e re, por ripërtëritje e të duhurës.
Ata në këtë raport gjithashtu e qortojnë faktin se pas vitit 1999 janë kthyer në trojet e tyre shumë shqiptarë të shkolluar në tokat e shenjta përkatësisht arabe, pra atje ku është burimi i pastër i Islamit. Kështu që sipas tyre ata e kanë përhapur e predikuar Islamin radikal, përderisa e vërteta është se ata po thërrasin në Islamin e pastër nga ndyrësirat e djallit të mallkuar.
Prandaj të gjitha falënderimet i takojnë Allahut Bujar, që sot në trojet tona kemi dijetarë islamë të aftë e të shkolluar, çfarë kurrë më parë nuk i kemi pasur. Elhamdulil-lah! Kjo është dhunti e madhe nga Zoti i Plotfuqishëm për neve.
Ata po ashtu e cekin se brenda këtyre vëllezërve ka edhe të atillë që janë pak euforikë dhe nuk hezitojnë nga ekstremizmi dhe teprimi. Dhe për fat të keq vëllezër të tillë ka me të vërtetë dhe kjo është shumë e dëmshme për neve, meqë Islami nuk lejon kurrfarë ekstremizmi dhe se këta veçse çojnë ujë në mullirin e armiqve të Islamit, të cilët mezi presin të ndodhin këso gjëra të pahijshme nga muslimanët!{jathumbnail off}
Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut Madhështor qofshin me juve!