Shkruan: Ylber Veliu 13.IX.2012
Në një kohë dimri kur retë e zeza e kishin errësuar ditën dhe njerëzit në shtëpitë e tyre u ngjanin zogjve që qëndrojnë në foletë e tyre të molisur e të lodhur nga përditshmëria e zymtë që mbretëronte në kohën e sundimit të Ahmet Zogut,nga mllefi i madh në shpirt dhe nga pamundësia për të jetuar një jetë të pavarur dhe pa dro,atëbotë lindi një dëshirë,”Dëshira për pavarësimin e zemrës”.
Kjo dëshirë e kaploi edhe zemrën e Nuhut plak i cili ishte lodhur nga një jetë e tillë,ai qëndronte zgjuar deri në orët e vona të natës e shpesh qëndronte zgjuar dhe aq gjatë saqë nga dehja e thellimit në mendime e këndellte cicërima e zogjve në agim të mëngjesit. Atëbotë thirrja e ezanit për ti zgjuar njerëzit që të fillojnë ditën e tyre të lumtur dhe me shpresë në Zotin e Gjithësisë pothuaj se ishte harruar,ajo ishte burgosur në bodrumet e errëta të zemrave të ndritura.
Po jo gjithkush ishte mizor dhe e mbante ndjenjën e tij të robëruar/burgosur,hoxhë Nuhu ishte nismëtarë i një reforme edhe pse jo me armën e duhur mirëpo armë tjetër një plak i lodhur në ato rrethana politike nuk kishte.
Hoxhë Nuhu si zgjidhje zgjodhi arratisjen (apo hixhretin) nga ato pak ose më saktë asnjë mundësi tjetër nuk kishte për ta liruar zemrën nga robëria dhe errësira që me këmbëngulje donte që ta verbëronte atë edhe pse ai shihte shumë mprehtë.
Rrugën e hixhretit për në Damask të Sirisë e nisi me shoqen e tij të jetës (gruan e tij) dhe me frytin e dashurisë së tyre, duke mos e ditur se ai fryt do ti ngopte shumë zemra të etura/uritura për shkencë dhe dituri.
Fryti i pemës së tyre të dashurisë quhej Nasirudin Nuh Nexhati (Ai u lind në Shkodër në vitin 1914) e reflektimi pozitiv nga ky i bekuar arriti edhe në zemrën time këtu në një skaj të largët të botës.
Dëshira për të vrapuar pas topit këtij djaloshi të vogël ju shndërrua në dëshirë për vrapim pas diturisë,sa që çdo pasion tjetër u largua nga zemra e tij sikur zemrën e tij ta kishin larë me ujë Zemzemi,s’ka orator që do të mund ta përshkruante të ardhmen e tij edhe sikur në detaje ta dinte atë (të ardhmen),po All-llahu e kishte bërë kader që një hadith i Pejgamberit s.a.w.s “Atij që All-llahu ja dëshiron të mirën ja mundëson që ta mësojë fenë”[1] aq shumë i qe përshtatur sikur t’ishte thurur për të.
Kur arriti moshën e pjekurisë një plak mjekërbardhë ia dhuroi një hartë lëkure që zanafillën e kishte që nga dita kur ai Nebij (Pejgamberi s.a.w.s) ishte lëshuar në varr,hartën e dijës e mori në dorë dhe çdo moment kërkonte rrugën që do ta shpinte tek ajo,saqë:
Thotë shejhu – Duke folur për kur ishte rreth të njëzetave përafërsisht: Një ditë vura re ndërmjet librave të reklamuara tek një tregtar një numër të revistës el-Menar, e shfletova dhe aty gjeta një studim (shkrim) nga Reshid Rida ku fliste rreth librit el-Ihja të Gazaliut dhe cekte të mirat e atij librit dhe te metat e tij, dhe për herë te parë po hasja në një kritikë të tillë studimore gjë e cila më tërhoqi ta lexoja të gjithën. Pastaj e ndoqa në numrat vijues çështjen e nxjerrjes së haditheve që hafidh el-Iraku i kishte bërë librit el-Ihja. Të më shihje se si rendja për ta marrë me qera sepse nuk kisha mundësi për ta blerë dhe më mahniti ajo nxjerrje aq precize dhe e detajuar e haditheve sa që vendosa ta kopjoja (shkrim me dorë).[2]
Njeri që nuk dorëzohej,njeri që nuk dëshpërohej ishte i biri i Nuhut edhe rrugëve me gjemba ecte për të arritur deri te ajo që ja kishte vënë vetës synim. Ai e shkriu jetën e tij sikur qiriu që shkrihet dalëngadalë e tash edhe më i thjeshti nga ne nuk e lexon librin po nuk pati referenca që tregojnë për vërtetësinë e ndonjë thënie të Profetit s.a.w.s,pra ky muhadith e futi ndër ne ketë cilësi.
Ai punonte orëndreqës dhe sapo fitonte diçka që i mjaftonte nevojës së tij e linte punën dhe i jepej diturisë.
Tregon Shuajb Arnauti (djali I Muharremit) dhe thotë: “Albani sapo fitonte diçka që i mjaftonte nevojës së tij ditore,e linte punën dhe shkonte në bibliotekën Edh-Dhahirije dhe kërkonte dituri,ndodhte shpesh që të hante vetëm bukë pa shoqërimin e diçkaje tjetër me të”.[3]
Ndërsa dyqanin e tij ku punonte e kishte shndërruar në vendtakim me nxënësit e tij. Është e habitshme se si shkenca e hadithit e pushtoi mendjen dhe zemrën e këtij djaloshi i cili u rrit dhe u edukua në një mjedis fetar medhhebor (Nuhu I takonte methhebit Hanefi) dhe ku dëgjonte thëniet e babait të tij të tilla si: "O Muhamed, shkenca e hadithit është puna e të falimentuarve (në aspektin financiar, dmth do ngelësh i varfër).",ai buzëqeshte dhe pasioni për hadithin i gufonte në zemër sa që nuk linte vend për ti shoqëruar diç tjetër.
Dita ditës të mbjellave të tij po i vinte koha e korrjes, historiani i Halebit Shejh Muhamed Ragib et-Tabah dhe dijetar i hadithit, kur pa zhvillimin e këtij djaloshi dhe dhënien pas kësaj diturie i dha të drejtën për të transmetuar nga ai,kjo qe nder rrugët e pare qe iu hapen shejhut për te arritur suksese.
Nga aspekti i durimit duket se kjo mendje ndritur e kishte kuptuar shumë mirë ajetin “All-llahu është me durimtarët”[4],dhe kjo është shumë e dukshme në jetën e shejhut,unë në këtë aspekt do të mjaftohem me një shembull:
“Historia e letrës së humbur”:
Thotë shejhu në parathënien e librit “Fehres mahtutat dar el-Kutub edh-Dhahirije el-Muntehab min mahtutat el-Hadith”: Kurrë nuk mendoja të beja një listë renditëse të tillë sepse nuk është specialiteti im dhe as nuk kisha kohë që të merresha me këtë, por Allahu i Lartësuar kur dëshiron të ndodhë diçka i lehtëson shkaqet e asaj gjëje. Më goditi një sëmundje e lehtë në shikimin tim që prej më shumë se 12 vjetësh dhe më këshilloj mjeku specialist që të bëja pushim dhe lënien përkohësisht të leximit, shkrimit dhe punës në profesion (në ndreqjen e orëve).
Fillimisht e zbatova porosinë e tij duke hequr dorë nga çdo gjë për rreth dy javë, por pastaj fillova të debatoj me veten dhe mu zbukurua që të merrem me diçka në këtë pushim monoton, diçka që sipas meje të mos binte ndesh me porosinë e mjekut dhe mu kujtua një broshurë, dorëshkrim që gjendej në një bibliotekë me titull: “Qortimi i veglave muzikore” të dijetarit Ibn Ebi Dunja e cila me sa di nuk ishte botuar akoma. Thosha me vete: çmë pengon tia ngarkoj dikujt ta kopjojë për mua, ashtu që kur të përfundojë kopjimi dhe të vijë koha që ta krahasoj me origjinalin do të ketë kaluar koha e konsiderueshme e pushimit duke më dhënë mundësinë ta bëj këtë krahasim i cili nuk kërkon mund të madh që bie ndesh me gjendjen time shëndetësore pastaj më vonë e recensoj me terezi, nxjerr hadithet e saj dhe më pas e botoj. Çdo gjë në periudha të ndryshme kohore që të mos mundoj veten.
Kur kopjuesi arriti në mes të saj më lajmëron se ajo ka mangësi faqesh dhe unë e porosita që të vazhdojë kopjimin e saj derisa të përfundojë. Kur e mbaroj bëra krahasimin me origjinalin dhe vërtetë kishte mungesën e lartpërmendur e cila përbënte katër faqe në një fletë të vetme në mes të broshurës. Fillova të mendohesha rreth asaj flete se si mund ta gjeja?! Kjo broshurë ishte ruajtur në një vëllim nga vëllimet që gjendeshin nën titullin: “Përmbledhje” ku çdo vëllim përmbante disa broshura dhe libra me shkrime, fletë, borja, madhësi, tema të ndryshme dhe thashë në vete: Ndoshta kjo fletë e humbur është përzier gabimisht në një vëllim tjetër nga ato që gjendeshin aty dhe iu përvesha punës plot dëshirë, vrull e ambicie duke kërkuar për atë fletë çdo libër me radhë. Harrova veten dhe gjendjen time shëndetësore dhe kur i kujtoja vetes gjendjen shëndetësore gjeja ndonjë arsyetim si psh: Ky kërkim nuk e dëmton shëndetin tim sepse nuk ka në të shkrim apo lexim të mundimshëm. Akoma pa kaluar mirë nëpër dorë disa vëllime kur vëmendja më tërhiqet nga disa tituj broshurash dhe shkrimesh të dijetarëve të hadithit të shquar dhe hafidhave të mirënjohur, qëndroja duke studiuar e hulumtuar në të dhe dëshiroja sikur të kopjohej, recensohej e të botohej, por shpeshherë i gjeja të mangëta në të dyja anët (fillim dhe fund), dhe në vëllimet vijuese duke gjetur psh të dytën e jo të parën dhe kjo nuk më nxiste për ti kopjuar.
Më pas vazhdoja kërkimin për fletën e humbur, por asgjë derisa i përfundova të gjitha vëllimet e dosjes:
“Përmbledhje” që arrinin ne 152 vëllime. Gjatë kësaj pune shënoja tituj e disa librave të veçantë dhe fakti që më nxiste më shumë ishte se gjatë kërkimit hasa në mangësi të këtyre librave të cilat nuk figuronin të regjistruara. Pasi që nuk e gjeja fletën e humbur thosha me vete: "Ndoshta është përzier gabimisht në ndonjë nga vëllimet e librave të hadithit e të regjistruara në bibliotekë nën termin e hadithit". Ndaj fillova të shfletoj vëllim pas vëllimi derisa i mbarova pa arritur ta gjej, por përsëri shënoja tituj librash e shkrimesh aq sa deshi Allahu. Vazhdoja ti gjeja vetes arsyetime për të vazhduar dhe duke i dhënë shpresa se do ta gjejë atë fletë dhe zhvendosesha në kërkim ndërmjet vëllimeve dhe broshurave të bibliotekës, nga një shkencë në tjetrën derisa i mbarova të gjitha dorëshkrimet që ruheshin në bibliotekë dhe që arrinte numri i tyre rreth 10.000 dorëshkrimesh e megjithatë nuk e gjeta fletën e humbur por akoma nuk i kisha humbur shpresat. Aty (në bibliotekë) kishte një kënd ku mblidheshin një grumbuj letrash të hedhura dhe fletushka që nuk i dihej origjina dhe fillova të kërkoja aty plot përkushtim dhe precizitet të detajuar por përsëri pa asnjë dobi.
Këtu i humba shpresat nga ajo fletë por kur pashë vërejta se Allahu më kishte çelur nëpërmjet saj një portë madhështore të diturisë ndaj së cilës kisha qenë i shkujdesur si gjithë të tjerët, kjo shkujdesje kishte të bënte me faktin se në bibliotekën edh-Dhahirije ekzistonin thesare librash dhe broshurash në fusha të ndryshme të dobishme të cilat na i kanë lënë trashëgimi paraardhësit tanë ku gjenden dorëshkrime të rralla që ndoshta nuk ekzistojnë diku tjetër në bibliotekat ndërkombëtare dhe të cilat akoma nuk janë botuar.
Kur u ndërgjegjësova për një fakt të tillë dhe u rrënjos në zemrën time atëherë vendosa të filloj studimin e dorëshkrimeve të bibliotekës edhe njëherë nga fillimi në fund, duke u bazuar në përvojën e herës së parë gjatë së cilës kisha regjistruar vetëm librat që unë kisha zgjedhur, ndërsa tani po regjistroja çdo libër që kishte lidhje me shkencën e hadithit, ku shumë prej tyre më sillnin dobi të mëdha në specialitetin tim, nuk kam lënë asgjë sa do të vogël pa e regjistruar qoftë edhe sikur të jetë edhe një fletë e vetme, e një libër apo një vëllim megjithëse pa asnjë njollë autorësie (prejardhje).
Mesa duket me këtë punë Allahu po më përgatiste për rikthimin për herë të tretë dhe të fundit, gjatë se cilës do të bëja studimin akademik të hollësishëm të këtyre librave, duke i nxjerrë të gjitha hadithet profetike me zinxhirët dhe rrugët përkatëse, e çdo gjë tjetër të dobishme. Kjo sepse gjatë periudhës së dytë merrja tek-tuk disa përfitime të cilat i hasja rastësisht dhe akoma pa e përfunduar punën herën e dytë u binda plotësisht për domosdoshmërinë e studimit të hollësishëm të çdo libri e çdo vëllimi, ndaj iu përvesha punës për herë të tretë duke mos lënë faqe pa e shfletuar, duke mos lënë faqe të vetmuar pa e lexuar dhe gjatë gjithë kësaj duke nxjerrë çdo përfitim diturie që hasja apo ndonjë hadith profetik, duke arritur përmbledhjen e katër vëllimeve ku çdo vëllim kishte rreth 400 fletë dhe ne çdo fletë kishte një hadith të vetëm duke e atribuuar atë në burimet e transmetimit që kisha arritur të gjeja secilin me rrugët dhe zinxhirin e tij të transmetimit. Të gjitha hadithet i rendita sipas shkronjave të alfabetit, nga këto vëllime ushqeja të gjitha librat e mi që kam shkruar apo çdo projekt tjetër timin studioz gjë e cila më ka ndihmuar pa masë në hulumtimin shkencor, recensimin dhe verifikimin. Një gjë e tillë e cila nuk është ë mundur për pjesën më të madhe të dijetarëve veçanërisht në këtë kohë në të cilën një pjesë e madhe mjaftohen duke u kthyer tek disa përmbledhje me versione të shkurtuara në shkencën e hadithit apo në fushë të tjera. Këtë pasuri madhështore të hadithit që ishte grumbulluar tek unë gjatë kërkimit tim për fletën e humbur falënderimi i takon vetëm Allahut me mirësinë e të Cilit realizohen të mirat.
Nga frytet e begatitë të këtij kërkimi është se gjatë tij unë zbulova disa libra dhe shkrime të vlefshme për të cilat më parë nuk dihej se ekzistonin në bibliotekë ose ekzistonin jo të plota duke i munguar fletët e para apo të tjerat nëpërmjet të cilave bëhet i mundur identifikimi i autorit apo i librit, ose për shkak të neglizhencës së kopjuesit ose për shkaqe të tjera të cilat njihen nga specialistët e fushës së dorëshkrimeve.[5]
Nga ky shembull shihet durimi i shejhut dhe këmbëngulja për të arritur atë që synonte,sa i përket kujdesit ndaj kohës ishte shumë i rreptë,e ruante kohën si pasurinë në thesare dhe i këshillonte të tjerët për ti kushtuar kujdes të veçantë kohës.
Një shembull që vë në pah kujdesin e tij për kohën është ky: Tregon djali i shejhut “Kur babai im arriti vitet e pleqërisë më urdhëroi që ta rrënoj korridorin që çonte për në bibliotekën e tij,dhe më urdhëroi që të hap një derë që nga rruga të shpinte drejt në bibliotekë”.[6]
Ai që nga mjeshtrit që kush si ai dinte si ti mbante afër njëra-tjetrës diturinë dhe praktikën,nuk ndodhte të shkruante hadith e të njëjtin mos ta fuste në praktikë,ishte pasqyrë e sahabëve fisnik.
Ai poashtu qe shkatërrues i risive në fe. E shihte botën ndryshe dhe ligj i tij ishte që vetëm pas sakrificës arrihet suksesi saqë kur arriti vitet e pleqërisë shpesh thoshte “Defekti tek të rinjtë është se ato sapo lexojnë një libër mendojnë se kanë arritur grada në dituri,gjë që është gabim”.
Vitet kalonin ballit të tij çdo vit i shtoheshin rrudhat ndërsa zemrës së tij çdo ditë ju shtonte dëshira për dijen. Kënaqësia e tij e arrinte kulmin kur pranë kishte librat e jo pasurinë siç jemi mësuar ta shohim te shumica nga ne.Ai qe një mendjendritur që e kuptoi misterin e dunjasë dhe i përvjeli mangët dhe u nis rrugës së suksesit,rrugës që shpie për te All-llahu s.v.t.
Se sa i përpiktë dhe i përkushtuar qe në fushën e hadithit tregon fakti se s’gjen student apo lexues i cili ka lexuar së paku një libër fetar e në të mos e ketë hasur emrin e shejhut të nderuar në fusnotë apo referencë.
Ne vazhdim do ti cekim disa nga mendimet/thëniet e dijetarëve të këtij shekulli mbi shejh Albanin.
1.Shejh Abdul Aziz bin Bazi -All-llahu e mëshiroftë
Në këtë kohë nuk kam parë në sipërfaqen e tokës dijetar të hadithit si dijetari Muhammed Nasirud-din Albani. Po ashtu është pyetur shejh bin Bazi për hadithin e Pejgamberit alejhi selam: "All-llahu dërgon për këtë ymmet në krye të çdo njëqind viteve dikë që e rigjallëron fenë e Tij”, dhe se kush është ai që e rigjallëron fenë në këtë shekull? E ai u përgjigj: ’Sipas mendimit tim, ai që e rigjallëron fenë në këtë shekull është Shejh Muhammed Nasirud-din Albani. All-llahu e di më së miri.
2. Shejh Muhammed bin Salih el-Uthejmin - Allahu e mëshiroftë
Ajo çka unë di për shejhun (Albanin) është përmes disa takimeve që kam pasur me të - e që janë të pakta - se ai kujdeset dhe përpiqet shumë që të punojë me sunnet dhe (përpiqet) në qortimin e bidatit, pa marrë parasysh se a ka qenë bidati në akide apo në vepra. Po ashtu këtë e kam mësuar edhe nëpërmjet librave të tija që i kam lexuar, si dhe (përmes librave te tij) kam kuptuar se ai në shkencën e hadithit është ekspert dhe se Allahu i Lartësuar ua ka bërë të mundshme muslimanëve që të kenë shumë dobi prej asaj që ka shkruar ai, qoftë dituri (fetare), qoftë në metodologji, apo në të nxiturit ata në të mësimin e shkencës së hadithit. Dhe e tërë kjo është një dobi e madhe për muslimanët, e falënderimi i takon vetëm All-llahut.
Po ashtu ka thëne me një vend tjetër, kur është pyetur për të:
Albani është burrë prej ehlu-sunnetit dhe mbrojtës i tij (sunnetit), imam në lëminë e hadithit dhe nuk njoh njeri që mund të krahasohet me të, mirëpo disa njerëz - e lusim Allahun që t'i falë - kanë në zemrat e tyre smirë (xhelozi) dhe të tillët nëse shohin se një njeri është ngritur me dituri, fillojnë që të shpifin gjëra kundër tij, sikur gjestet e hipokritëve të cilët shpifin për muslimanët e sinqertë.
3.Shejh Muhammed el-Emin esh-Shankiti -All-llahu e mëshiroftë
Shejh Muhammed el-Emin esh-Shankiti ka qenë deti (në dituri fetare) që nuk njihet si ai në kohën e tij në lëminë e tefsirit dhe gjuhës arabe. Ai e ka respektuar shejh Albanin me një respekt të çuditshëm, sa që kur e ka vërejtur duke kaluar në xhaminë e Pejgamberit - paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të - e ka ndërprerë ligjeratën (dersin) është ngritur dhe e ka përshëndetur atë (Albanin) me një respekt të çuditshëm ndaj tij.
4. pr. Muhibud-din el-Hatib
Prej thirrësve të sunnetit, i cili tërë jetën e kaloi në rigjallërimin e tij (sunnetit) është Ebu Abdurrahman Muhammed Nasriud-din Nuh Nexhati - Albani.
5. Muftiu i Saudisë shejh Muhammed bin Ibrahim Aal shejh -All-llahu e mëshiroftë
Ish-muftiu i Saudisë, shejh Muhammed bin Ibrahim Aal shejh kur ka folur për shejh Albanin ka thënë se ai është pasues i sunnetit dhe ndihmues i së vërtetës, pengesë për ithtarët e së kotës.
6.Shejh Zejd bin Fijad - Allahu e mëshiroftë
Shejh Zejd bin Fijad ka thënë për shejh Albanin: Me të vërtetë shejh Albani është prej flamujve më të njohur në kohën tonë dhe ai i cili na i tregoi (qartësoi) rrugët e transmetimit të hadithit, njerëzit, shkallën dhe gjendjen, i vërtet apo i dobët, dhe kjo është një punë e shkëlqyeshme, prej më të mirave, e cila u sjelli dobi të shumta muslimanëve, dhe ai (Albani) është si dijetarët e tjerë: ia qëllojnë dhe gabojnë, mirëpo ne obligohemi që të njohim mirësitë e tij dhe të falënderojmë për kujdesin ndaj këtij kërkimi të hadithit.
7.Shejh Mukbil el-Vadi, muhadith nga Jemeni -Allahu e mëshiroftë
Si shejh Albani nuk ka njeri në lëmin e hadithit, dhe nga ai dhe librat e tija përfituan shumë njerëz. Dhe ajo në të cilën unë jam i bindur është se: shejh Albanin është prej atyre që rigjallërojnë, mbi të cilin bie fjala e pejgamberit - paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të - “Allahu do të dërgojë për këtë popull në krye të çdo 100 viteve dikë që e ripërtërin fenë e tij” trans. Ebu Davudi dhe e ka vërtetuar el-Iraki dhe të tjerët.
8. pr.dr.: Emin el-Misri
Pr.dr. Emin el-Misri kryetar i shkallës së tretë në fakultetin Islamik të Medinës (ka qenë më herët): "Për fat të keq, jemi zgjedhur për shkak se mbajmë doktoratura në ligjërimin e lëndës së hadithit në fakultete, kurse ka të atillë që janë më të mirë se ne (ka pasur për qëllim shejh Albanin), që nuk e meritojmë të jemi nxënës të tij në këtë lëmi, por kjo është rregull dhe pasim…" [7]
E sa për të hedhur poshtë tezën e disave që thonë se Imam Albani kishte fanatizëm medhhebor ne ua sjellim këtë argument:
“E vërteta humbet për shkak të fanatizmit medhhebor, dhe Allahu i Madhërishëm duhet falënderuar që na ka ruajtur neve nga kjo, dhe na ka siguruar dashuri ndaj Sunetit dhe (dashuri) që ti shërbejmë atij (Sunetit), dhe ti përkushtohemi vetëm atij. Andaj i tërë falënderimi i takon Allahut për atë që na ka dhënë dhe e lus Atë që të na dhurojë më shumë nga mirësitë e Tij në botën tjetër dhe në këtë botë.”[8]
Ka thënë shejhu “Kur them diçka dhe e marrë atë si të saktë,besoj në detyrimin e përhapjes së saj”[9] një përvojë jetësore e tij e që neve na servohet e gatshme andaj pse mos ta fusim në praktikë në përditshmërinë tonë,mos të bëhemi nga të rezervuarit po pas një studimi të detajizuar përfundimet që nxjerrim e kemi për obligim ti shfaqim dhe ti sqarojmë në mënyrë që dhe të tjerët të përfitojnë nga ne ashtu siç ne kemi përfituar nga ky dijetar Allahu e mëshiroftë.
Ndërsa kjo e fundit “Kështu që, o Musliman, kërkoni të mësoni Islamin tuaj nga Libri i Zotit tuaj (Kur'ani) dhe Sunneti i Pejgamberit tuaj (Hadithi). Dhe mos thoni: Kështu dhe kështu ka thënë filani. Ngase, e vërteta nuk njihet nga njerëzit-JO, mësoje të vërtetën, do t’i njohësh njerëzit” tregon qartë se cilën nga metodologjitë e ndiqte shejh Albani Allahu e mëshiroftë.
Është me të vërtetë për të ardhur keq që shqiptarët e sotëm njohin kaq shumë nga bota që ata i rrethon por njohin shumë pak nga vetvetja. Nëpër faqet e shtypit tonë herë pas here ne mund të gjejmë artikuj që flasin për jetën e këtij pape apo atij prifti, këtij shkencëtari apo atij poeti perëndimor, por rrallëherë ne mësojmë mbi njerëzit me famë që ne i kemi dhuruar botës,mirëpo unë shpresoj që sadopak kam arritur që pranë jush të paraqes një figurë me nam të madh në botën Islame.
Pasi shijoi ëmbëlsinë e fryteve të mundit të tij dhe përmbushi ëndrrën që kishte më 2 tetor të vitit 1999 meleku i vdekjes e shpërnguli për në ahiret.
[1] Hadithin e transmeton Buhariu dhe Muslimi ne sahihët e tyre
[3] Një video ne Youtube - http://www.youtube.com/watch?v=HPSEgu9VQto (pas minutës së 5-të)
[4] Kaptina Bekare,ajeti 153
[5] http://sq.wikipedia.org/wiki/Nasirudin_Albani gjithashtu mund ta dëgjoni edhe në këtë link në Youtube http://www.youtube.com/watch?v=VdqLkg0i9f4
[6] E mbaj mend nga një ligjëratë që kam dëgjuar
[7] Thëniet nga 1 – 8 nga http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=50489
[8] Shejh Muhamed Nasirudin el Albani - Ad-Da’eefah, 12/1/150.