Shkruan: Dr. Shefqet KRASNIQI
Gabimisht është menduar se myslimanët nuk dinë të udhëheqin dhe se ata nuk kanë përvojën e duhur në politikë dhe qeverisje. Ka mbretëruar bindja se kinse myslimanët nuk mund të dalin jashtë mureve të xhamisë. Por, koha ka dëshmuar dhe po dëshmon se këto bindje, në rastin më të mirë, janë gabime, e në rastin më të keq, inat dhe urrejtje. Thënë të drejtën, edhe mua personalisht më patën gjykuar se kinse po merrem me gjëra që nuk më përkasin, për shkak se jo rrallë kam trajtuar nga prizmi fetar edhe probleme të shumta politike, ekonomike, shoqërore, etj. E di se nuk i kanë mirëpritur por nuk kemi ç’t’iu bëjmë, dikush duhet tua largojë botëkuptimet e gabuara për fenë islame. E, ç’është më interesante, se kjo problematikë nuk është e kohës sonë. Edhe Pejgamberëve të Zotit iu patën thënë se ju po na përziheni në çështjet tona, shikoni punët tuaja dhe mos na ndërhyni në jetën tonë. Kështu i thanë Nuhit [alejhiselam]:
Paria e popullit tij tha: "Ne po të shohim (në këtë që na thërret) plotësisht të humbur!" (El-A’rafë: 60)
Ti je injorant, je naiv, andaj nuk ke çka na flet neve, se ne, të gjithë, jemi më të mençur se ti. E të njëjtën gjë ia than edhe Pejgamberëve tjerë. Por realiteti ishte ndryshe ata ishin për të mirën e tyre, ata e dinin atë që populli i tyre nuk e dinte, siç tha Allahu për pejgamberin Nuh [alejhiselam] se i thoshte popullit të tij kur ata e i injoronin:
"Unë ua kumtoj juve shpalljet e Zotit tim, ju këshilloj dhe unë di nga Zoti im çka ju nuk dini!" (EëA’rafë: 62)
Ata duruan dhe i rezistuan sfidave të tyre me maturinë më të madhe. Zaten, njerëzit e mëdhenj vizionet e tyre i kanë të ndërtuara mbi bazën e sabrit dhe durimit të madh. Edhe populli im do ta kuptojnë me emër të Zotit se kush e ka mirë dhe kush keq, se kush ua do të mirën atyre. Do ta kuptojnë se Islami është shpëtimi i tyre dhe i mbarë njerëzimit.
Si do që të jetë, kthehemi aty ku filluam, njerëzit tanë kanë frikë se islamistët nuk janë për pushtet, por realiteti po e dëshmon të kundërtën. Pranvera arabe veç ka filluar t’i japi frytet e saj, për çdo ditë po dëshmohet se udhëheqja e shteteve islame nga laikët për një shekull ka qenë tepër e dështuar dhe e pasuksesshme.
E për suksesin e islamistëve turq, të udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Kryeministrit të Rexhep Taip Erdogan, nuk ka nevojë të flitet fare. Tani më në Turqi janë bindur edhe vet laikët, apo ata që ua kanë dhënë votën laikëve, se alternatiava islame është formë e dëshmuar e suksesit në udhëheqje andaj edhe nuk ka kthim prapa në laicizëm e sekularizëm. Në kongresin e AKP të mbajtur këto ditë, Kryeministri turk ka shpalosur sukseset e njëpasnjëshme të islamistëve në udhëheqjen e një ndër shtetet më të mëdha islame në botë. Ai vërtet pati me çka të krenohet, e si jo kur e shpëtoi Turqinë nga një inflacion, i cili lëkundi edhe rrënjët e ekonomive më të mëdha botërore ndërsa një pjesë të tyre i ka vënë në koma dhe akoma nuk po mund ta marrin veten. Madje, përderisa shumë nga këto shtete të zhvilluara botërore po qajnë hallin e krizës ekonomike, Turqia ngriti ekonomin e saj më shumë se kurdo herë më parë. Islamistët për dhjet vite Turqinë e bënë një ndër vendet më të zhvilluara të botës, më të përparuara. Turqia vërtetë është një model i dëshmuar i suksesit të myslimanëve. E që shpresojmë që rrugën e tyre do ta ndjek edhe Egjipti dhe shtetet tjera arabe radhazi.
Nuk kam aspak dyshim se brenda një dekade shtetet islame të udhëhequra nga islamistët, si Dr. Mursi e të tjerë, do të jenë shembull i menaxhimeve të suksesshme të krizave të ndryshme shoqërore dhe aftësive të jashtëzakonshme të zgjidhjes së tyre. Ashtu siç Islami e shpëtoi botën para katërmbëdhjetë shekujve, po kështu do ta shpëton dhe sot, për shkak se dështimi po vjen gjithnjë si pasojë e çrregullimeve morale, degjenerimit dhe shthurjes. Nuk ka sistem që rregullon jetën e njeriut apo që trajton atë nga çdo cep, ashtu siç bën islami. Eh, sa i mirë është ky Islam! Sikur ta dinte populli im këtë! Por, kam shpresë se ata veç kanë filluar ta kuptojnë. Islami është jeta e tyre, është identiteti origjinal, është rruga që ua zgjidh të gjitha problemet!