Shkruan: Dr. Shefqet Krasniqi
Jemi në mbarim të vitit hixhri 1433, vit që për muslimanët, anekënd botës do të jetë i shënuar për ngjarje të rëndësishme, ani pse jo gjithnjë të mira. Para se të elaboroj disa nga këto ngjarje, që kam përshtypjen se janë më të rëndësishmet, do të doja të them diç edhe për vitin islam, sigurisht sa për t’ua përkujtuar.
Popujt, që moti,kanë vënë kalendarë, për ta shënuar nëpërmjet tyre historinë dhe të kaluarën e tyre.
Edhe ne muslimanët kemi kalendarin tonë islam, pikënisja e të cilit ndërlidhet me migrimin apo shpërnguljen e Pejgamberit, Muhamedit alejhi selam, nga Meka në Medinë, ngjarje kjo që ka ndodhur në vitin 622, ndërsa në histori njihet si “Hixhreti.” Megjithëkëtë, Hixhreti do të shënojë fillimin e kalendarit islam vetëm në kohën e halifës Umer Ibn Hattab, Allahu qoftë i kënaqur me të!.
Duke qenë se jemi në përmbyllje të vitit 1433 hixhri, vit që do të mbahet mend për shumë gjëra, menduam të bëjmë një rezyme të ngjarjeve më interesante që ndodhën në të.
Ngjarjet në nivel botëror
- Problemi i Sirisë dhe dhuna e paparë e presidentit famëkeq, Esedit, ndaj popullatës shumicë sunite, nuk janë ngjarja më e dhimbshme, por edhe më e turpshmja, sidomos për faktorin ndërkombëtar. Deri më tani, bota “e civilizuar” ka mjaftuar vetëm me numërimin e të vrarëve, që ka kaluar shifrën e dyzet mijë vetave. Për keqardhje është edhe qëndrimi i politikës arabe, që, përveç disa deklaratave pompoze nuk ka marrë ndonjë veprim tjetër. E në anën tjetër, besimtarët anekënd botës janë solidarizuar me vëllezërit dhe motrat e tyre në Siri, madje edhe ne, xhemati i Kosovës, kemi mbledhur ndihma për ta dhe ua kemi dërguar nëpërmjet përfaqësuesve tanë.
- Si ngjarje tjetër e dhimbshme që u shënua këtë vit ishte edhe ajo e represionit dhe dhunës barbare të budistëve birmanezë ndaj muslimanëve autoktonë. Nuk mbeti formë dhune e agresioni pa u përdorur ndaj tyre, dhe për çudi, bota e injoronte tërësisht këtë, duke u bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ka qenë Turqia ajo që ka ngritur zërin në nivel ndërkombëtar dhe që ka dërguar zyrtarët e saj të lartë për vizita në Arakan, atje ku u vranë dhe masakruan shumë muslimanë.
- Në anën tjetër, një ngjarje që solli sado pak freski në zemrat e besimtarëve, ishte fitorja e Dr. Muhammed Mursit në zgjedhjet presidenciale në Egjipt, fitore kjo që shihej si e popullit, e së vërtetës, e drejtësisë. Fitorja e tij solli ndryshime në Egjipt, ngase pas regjimeve diktatoriale, pas dhunës dhe keqpërdorimeve, pas mashtrimeve dhe manipulimeve, erdhi një forcë që ishte zëri i popullit, sikur që ishte një shenjë se Bota Arabe Islame po transformohej, ose thënë më mirë po i kthehej rrënjëve të veta islamike.
- Zhvillimet do të marrin kahje të ashpër paksa atëherë kur në Perëndim do të shfaqet një film fyes për personalitetin e Pejgamberit, Muhamedit alejhi selam. E tërë Bota Islame do të ngritet në këmbë, ndërsa reagime do të vijnë nga e tërë bota. Shumë qeveri të botës do të nxjerrin vendime për të mos lejuar shfaqjen e tij, ndërsa muslimanët do të mbledhin forcat për t’ua prezantuar edhe një herë figurën madhështore të Muhamedit alejhi selam njerëzimit. Kësaj radhe, Katari do të ndajë një pasuri, në vlerë në hiç më pak se 150 milionë dollarë, për të prodhuar një film për jetën e Muhamedit alejhi selam.
Më pas, muslimanët do të ndihen më mirë me lajm të gëzueshme, si:
- Në anën tjetër atje në Arabinë Saudite u publikua plani mbretëror për zgjerimin dy haremeve (dy xhamive më të mëdha në botë), atij në Mekë dhe atij në Medinë. Kjo flet po kështu se numri i muslimanëve praktikantë të fesë është shtuar, sepse zgjerimi lidhet drejtpërdrejt me kërkesat e tyre për të vizituar këto vende.
- Në Bosnjë e Hercegovinë na bëhet një kryebashkiake me shami, më konkretisht në komunën Visoko. Është fjala për Amra Babiç, nënë e tre fëmijëve dhe kryetare e Bordit të Familjeve të Ushtarëve të rënë në këtë qytet. Babiç ishte edhe anëtare e Këshillit Bashkiak në Visoko, si dhe ministre në qeverinë e kantonit të Zenicës dhe Dobojit. Përderisa në vendin tonë ende përjashtohen vajzat nga shkolla për shkak të një shamie, në Bosnje ndodhë avancimi i tyre. Shamia nuk është pengesë e zhvillimit, përkundrazi, është kusht për një zhvillim të ndershëm.
- Zvicra hedh poshtë ndalesën për ferexhe, ndërsa në Gjermani ligjësohet synetia. E në Suedi lejohet thirrja e ezanit nga minaret, që deri më tani ka qenë e ndaluar, por ezani është thirrur vetëm brenda në xhami.
- Një muslimane në Norvegji zgjidhet ministre e kulturës. Fjala është për 29 vjeçaren, Hadia Taxhik, emërimi i së cilës shënon fillimin e një epoke të re në politikën e Norvegjisë.
- Në Kaliforni të SHBA-së, për herë të parë një musliman bëhet gjyqtar i Gjykatës Supreme. Është fjala për Halim Dhanidina 39 vjeç, i lindur në Çikago, është fëmijë i emigrantëve, të cilët emigruan nga Tanzania në vitin 1960. "Shpresoj që rasti im do të shërbejë si shembull për muslimanët tjerë amerikanë, e veçanërisht për të rinjtë, se besimi dhe identitetit ynë nuk duhet të jenë pengesë për pjesëmarrjen tonë në institucionet civile të Kalifornisë, gjithashtu shpresoj që t’i kryej obligimet e mia që kërkohen nga unë, në mënyrë që shoqëria amerikane të bindet se muslimanët amerikanë janë të denjë t’i shërbejnë vendit me drejtësi dhe nderë”, tha gjykatësi Halim Dhanidina për mediat.
- Në Tiranë gjithashtu, bashkia vendosi për projekt të ri të xhamisë së madhe që do të ndërtohet atje.
Ngjarjet në nivel lokal
- Edhe në Prishtinë këtë vit, pas shumë kërkesave dhe përpjekjeve u dha leja për ndërtimin e një xhamie të madhe dhe u vu gurthemeli i saj. Për prishtinasit kjo do të jetë një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme në periudhën e pasluftës.
- Një hap tjetër shumë pozitiv në këtë kontekst është edhe futja e Fakultetit të Studimeve Islame në kuadër të Universitetit të Prishtinës, që do të njihet si Universiteti “Hasan Prishtina.”
Këto janë disa nga ngjarjet kryesore, të cilat ndoshta e kanë përmbledhur këtë vit, e që shumë nga to janë të hidhura, siç pamë, por ka nga to dhe të ëmbla, sidomos këto të fundit, që lutemi të shënojnë fillimin e këtij viti të ri si dhe ta përcjellin atë deri në fund.