Nga: Fehmi Huvejdi
Nuk mund të injorohet dhe të anashkalohet assesi ajo që tregon vetë fakti se Izraeli ua ka dërguar disa letra aleatëve dhe bashkëpunëtorëve të tij për të ndërhyrë në mënyrë që ta ndalin luftën në Gaza menjëherë në ditën e dytë.
Kështu që askush nuk ka mundur ta paramendojë që pasi vetvetiu e filloi ofensivën duke e bombarduar Gazën me artileri të rëndë dhe duke i lëshuar raketa nga ajri si të ishin të reshura shiu, duke provuar kështu që edhe një herë të demonstronte forcën dhe muskujt e saj, menjëherë në ditën e dytë të nxitojë drejt gjetjes së ndonjë adrese për ta parandaluar luftën. Kështu që në kërkim të kësaj adrese Izraeli jo vetëm që kërkoi nga Egjipti dhe Franca për një angazhim rreth arritjes së ndonjë armëpushimi por ajo këtë e bërë edhe nga vetë qeveria e Turqisë duke kërkuar prej saj që të jetë si një palë e tretë ndërmjetësuese.
Jo vetëm kaq, në vazhdën e përpjekjeve për armëpushim është inkuadruar edhe vetë Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama i cili kërkoi nga Presidenti i Egjiptit, Dr. Muhamed Mursi që të jepte maksimumin e tij në përpjekje për të bindur Hamasin që të shpallte armëpushim.
Kjo kërkesë kishte befasuar udhëheqësit e Hamasit të cilët nuk kishin harruar orvatjen e Izraelit për të pushtuar Gazën në vitin 2008 dhe se si të gjithë ia kishin kthyer shpinën Hamasit dhe strukturave të saj duke i cilësuar si ekstremistë islamikë. Kështu që gjatë tërë javës së kaluar Izraeli nuk pushoi nga granatimet ndaj Gazës duke mos i dhënë hapësirë askujt të bisedonte me të e bile as vetë Egjiptit duke menduar kështu se do të arrinte të zhdukte Lëvizjen e Rezistencës Islame dhe mandej të kërkonte bisedime me ta kur ata të ishin të thyer dhe të gjunjëzuar. Por pasi që kjo nuk ndodhi atëkohë që në javën e dytë të luftimeve, Hamasi kishte pranuar një telefonatë nga Omer Sulejmani i cili kishte ardhur në krye të inteligjencës së Egjiptit dhe njëkohësisht ishte edhe përgjegjës për dosjen e Palestinës. Me anë të kësaj telefonate, Omer Sulejmani, i kishte ofruar Hamasit një marrëveshje poshtëruese për të ndërprerë luftimet dhe për të nënshkruar një armëpushim duke menduar se kjo do t’i thyente dhe do t’i mposhtte ata.
Dhe sipas asaj që më është thënë nga njëri prej udhëheqësve të lartë të Hamasit, marrëveshja në vete përmbante edhe të drejtën e qëndrimit të forcave ushtarake të Izraelit në pozicionet në të cilat ishin vendosur gjatë ofensivës brendapërbrenda territorit të Gazës.
Kjo marrëveshje ishte refuzuar asokohe dhe kishin vazhduar luftimet duke ia bërë kështu të qartë Izraelit se ata mund të çrrënjosin dhe zhdukin Gazën por assesi nuk do të mund të thyejnë vullnetin e lëvizjes dhe rezistencës së luftëtarëve.
Çfarë ka ndryshuar këtë herë dhe çka e shtyri Izraelin që kaq shpejt të kërkojë armëpushim??
Përgjigja qëndron në vetë faktin se Izraeli e ka kuptuar që gjërat në skenë kanë ndryshuar. Disa prej tyre as që ka mundur t’i paramendojë e disa të tjera e kanë befasuar plotësisht.
Shumica e njerëzve mendojnë se vetë paralajmërimi i Presidentit të Egjiptit, Dr. Muhamed Mursi se Egjipti nuk do ta lërë Gazën vetëm për asnjë çast dhe dërgimi i Kryeministrit të Egjiptit ditën e dytë në Gaza, do të thotë vetë pozicionimi i Egjiptit në krahun e Gazës ka qenë prej veprimeve befasuese dhe të papritura për Izraelin.
Pastaj, ardhja e Kryeministrit të Turqisë dhe pjesëmarrja e tij në tryezën e kërkimit të një zgjidhjeje për Gazën që u mbajt në Egjipt, ardhja e Emirit të Katarit për të shprehur mbështetjen dhe solidarizimin e tyre me Gazën, mbështetja dhe solidarizimi i Arabisë Saudite që erdhi përmes një telefonate të bërë nga vetë Mbreti i Arabisë Saudite gjatë një bisede që pati me Presidentin e Egjiptit, deklarata e lëshuar nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm Arabë në të cilin kërkohej rishqyrtimi i iniciativave dhe propozimeve të dhëna si përpjekje për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Izraelin, pastaj edhe vetë vizita dhe qëndrimi i disa Ministrave të Jashtëm të vendeve arabe në Gaza ishin shenja që i dhanë të kuptojë Izraelit se Egjipti kishte ndryshuar dhe se Pranvera Arabe kishte shkaktuar ndryshime të dukshme sa i përket qëndrimit të arabëve përkitazi me arrogancën dhe dhunën që po e ushtronte Izraeli ndaj Gazës në veçanti dhe Palestinës në përgjithësi.
Vlen të përmendët se në këtë drejtim një rol të rëndësishëm e ka luajtur edhe Turqia e cila kishte një rol mjaft aktiv në konsultimet që po zhvilloheshin për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për të ndalur agresionin e ushtruar ndaj Gazës. Rol ky që u demonstrua përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në bisedime edhe të Dr. Ahmed Davutoglu, Ministri i Jashtëm i Turqisë dhe shefit të inteligjencës turke.
Ndërsa në kohën kur kishte filluar agresioni dhe gjenocidi izraelit ndaj Gazës, shefi i inteligjencës egjiptiane kishte qenë për një vizitë në Ankara e që menjëherë pas kësaj do të jetë vetë inteligjenca egjiptiane ajo që kësaj radhe do të merrte përsipër të udhëhiqte bisedimet.
Prej atyre ndodhive që kësaj radhe e kishin befasuar Izraelin ishte edhe vetë forca e Lëvizjes për Rezistencë e cila kishte arritur që t’ia rrëzojë një avion spiun pa pilot dhe një tjetër të llojit F16, dhe mbi të gjitha ishte përdorimi i raketave që u përdorën si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite e që për herë të parë arritën të godasin Tel Avivin dhe Jerusalemin.
Dhe përkundër asaj që nuk kishin arritur të shkaktonin viktima, Lëvizja për Rezistencë ka arritur që të shkaktojë panik dhe trauma në mesin e izraelitëve duke i detyruar që t’i bëjnë më mirë përllogaritjet e tyre dhe të mendojnë më mire për luftën dhe frontin që e kanë hapur.
Paniku dhe trauma u shtuan edhe më shumë kur u kuptua se këto raketa të përdorura ishin me rreze veprimi mesatarisht të largët dhe mbi të gjitha ishin prodhim vendor. Çështje kjo që do të mundë të ndryshonte përllogaritjet në atë mënyrë që Izraelit t’i bëhet e qartë se Lëvizja tashmë posedon armatim të rëndë dhe kjo i mundëson një rezistencë dhe qëndrueshmëri të gjatë përballë forcës izraelite dhe që njëkohësisht paraqet një rrezikshmëri dhe kërcënim për vetë sigurinë e Izraelit.
Prej befasive, gjithashtu ishte edhe të kuptuarit e Izraelit se sistemi i testuar anti-raketor nuk e kishte arritur efikasitetin e saj sepse ajo nuk kishte mundur të zbulojë as 50 % të raketave që posedon Hamasi dhe se edhe përkundër këtij sistemi Izraeli nuk kishte mundur t’i parandalonte raketat të cilat kishin arritur të godasin në thellësi mjaft të mëdha brenda territorit të kontrolluar nga Izraeli.
Edhe pse nga kjo bazë raketash, Izraeli vetëm brenda katër ditësh kishte lëshuar më shumë se 1800 raketa, ai prapë nuk i kishte arritur rezultatet e pritura, duke e llogaritur këtë si një dështim të dyfishtë. Nga njëra anë llogaritet si dështim për mosarritjen e parandalimit të raketave të lëshuara nga Gaza dhe nga ana tjetër llogaritet si dështim fakti se vetvetiu i është dhënë sinjal qetësie Iranit sa i përket frikës eventuale që ka mundur ta ketë nga sistemi mbrojtës kundër raketave të Izraelit e që në esencë llogaritet se është ndërtuar për tu mbrojtur nga ndonjë konflikt eventual që do të mund të ndodhte në mes të Izraelit dhe Iranit, ku u pa fare mirë se ai sistem nuk po funksionon siç ishte paraparë.
Prej gjërave që po ashtu e kanë tmerruar Izraelin është edhe vetë dështimi i tij për të shkatërruar bazat e raketave të Hamasit, bazuar në faktin se Hamasi ende nuk është ndalur nga hedhja e raketave dhe se sulmi me raketa ka qenë i vazhdueshëm gjatë gjithë kohës, e po ashtu edhe udhëheqësit dhe ushtarët e Hamasit edhe përkundër asaj se ishin synim i sulmeve izraelite ata nuk ishin goditur pasi që të gjithë jemi dëshmitarë se shumica absolute e viktimave ishin nga radhët e civilëve dhe jo nga radhët e ushtarëve të Hamasit.
Ky sfond, jo vetëm që përgjigjet në pyetjen se ‘’Çka ka ndryshuar kësaj radhe?’’, por po ashtu na fton që të jemi më syçelë dhe më vigjilentë për këto ndryshime që kanë ardhur brendapërbrenda territorit palestinez, andaj edhe e falënderoj ‘’ Pranverën Arabe ‘’.
Përktheu: Artan Musliu
Burimi: www.mesazhi.com