Festa e flamurit

 

Shkruan: Burim Sogojeva

 

 

Sot pothuajse mbarë shqiptaria festoj festën më të madhe të shqiptarëve, 28-nëntorin e famshëm.

Sa e sa njeriu ka derdhur gjak dhe e ka dhënë jetën për këtë flamur dhe për këtë ditë...

Duke pasur parasysh historinë tonë të shumëvuajtur, prej se mbahet në mend dhe meqë ky flamur ka qenë së paku prej vitit 1912 simboli ynë për të cilin jemi lidhur dhe me të cilin jemi identifikuar, nuk është për tu çuditur.

Kanë kaluar kohë në të cilat populli ynë ka qenë i pashkolluar e i paditur, qoftë për historinë e vërtetë të veten e poashtu edhe për fenë e vet, me të cilën poashtu është identifikuar me shekuj.

Sido që të jetë, ne tani pothuajse në mbarë trojet tona etnike jemi të lirë, e kryesisht në dy shtetet tona shqiptare. Edhe pse zyrtarisht Kosova nuk është shtet shqiptar, ajo megjithatë është i tillë, përderisa edhe zyrtarisht popullsia e saj është mëse 94% shqiptare.

Ne falë All-llahut Bujar pas shumë vuajtjeve e mundimeve tani kemi shtetin tonë të parë prej 1912-ës dhe të dytin prej 2008-ës.

Sa i përket shtetit të Kosovës mund të lexohet shkrimi i mëparshëm “Pavarësia e Kosovës“ ndërsa sa i përket pavarësisë së shtetit shqiptar, Shqipërisë Londineze dhe flamurit shqiptar, të ashtuquajturit flamur i Skënderbeut, e kështu me radhë, dua t’i paraqes disa argumente, të cilat ne shpesh i injorojmë, meqë nuk na pëlqejnë.

Fillimisht, Skënderbeu para se gjithash prej 1443-ës ka qenë një luftarak e komandant i famshëm i krishterë, meqë në atë kohë përveç që ai e ka folur gjuhën shqipe nuk është identifikuar me kurrfarë shqiptarie. Fundja nëna e tij Vojsava ka qenë serbe nga familja e Brankoviqëve. Sikur të ishte ai shqiptar aq i madh e patriot, nuk do t’i vriste shqiptarët që i përkisnin besimit musliman. Kjo ka ndodhur pasi që ai e ka marrë Krujën, më 1443 dhe kjo është e dëshmuar me histori. Kush nuk dëshiron ta besoj këtë, le të shikojë këtë skenë të shkëputur nga filmi i ri për të, të cilin nuk e kanë bërë muslimanët, por se është bërë nën regjinë e një shqiptari të krishterë të Amerikës.

Pastaj sa i përket flamurit tonë, për të cilin lidhemi aq fort dhe natyrisht se na pëlqen, madje edhe duket i bukur, unë mendoj se është në rregull të identifikohemi me të, meqë fundja ai është simboli jonë, pa marrë parasysh prejardhja e tij, mirëpo megjithatë është me rëndësi ta dimë se nga e kemi atë.

Ne shpesh habitemi, kur e shohim se edhe serbët, malazezët, rusët, grekët, austriakët, gjermanët, e kështu me radhë, e kanë ose e kishin simbol të tyre shqiponjën dykrenore.

Por se nga vjen pra kjo shqiponjë dykrenore? Prej nga e morëm ne shqiptarët dhe popujt tjerë? Siç dëshmohet edhe nga ky videodokumentar i shkurtër, dihet se të gjithë këta popuj atë simbol e kanë marrë nga Perandoria Bizantine, e cila natyrisht se ishte e krishterë dhe kishte pikërisht shqiponjën dykrenore si simbol të vetin.

Shikojeni pra fillimisht këtu e pastaj edhe këtu këtë shqiponje të Bizantit dhe pastaj analizojeni domethënien e saj si vijon:

Nga kjo fotografia e dytë - e cila ende është në Stamboll, qytet i cili ishte atëherë kryeqytet i kësaj perandorie - shihet se koka e majtë/nga perëndimi simbolizon Romën kurse e djathta/nga lindja Konstantinopojën/Stambollin e sotëm. Ndërsa kryqi dhe globi në kthetrat e shqiponjës simbolizojnë autoritetin e pakontestueshëm të kësaj perandorie mbi mbarë botën.

Ndërsa kush kërkon edhe shqiponja të tilla tek të tjerët, të papërmendura më lart, le të shikoj këtu dhe do të gjejë sa të don.

Kështu që të mos krenohemi kurrë me gjëra të kota e artificiale të dunjasë, por se veç se me ato që na dërgojnë në Xhennet!

Për ndryshe ne si musliman nuk guxojmë të krenohemi me asgjë tjetër, pos me atë që na ka treguar Krijuesi Mëshirëplotë në Kur'anin famëlartë si vijon:

63,8: “... E tërë krenaria i takon All-llahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve ...“

Për më tepër rreth krenarisë shqiptare, lexoni shkrimin e mëparshëm për “Shqiptarin më të madh të të gjitha kohërave” .

Ndërsa sa i përket festave, mund ta lexoni këtë shkrim.

Të gjitha lavdet, lavditë, madhështitë e falënderimet i takojnë Zotit tonë MADHËSHTOR, që na ka bërë prej muslimanëve!

Dëshmoj me tërë qenien time para Krijuesit tim Përdëllimtar dhe çdo kujt tjetër se:

Nuk ka Zot tjetër të vërtetë pos një All-llahu të Vetëm e të Gjithëdijshëm, i Cili nuk është i lindur dhe s’ka lindur askënd, që është i Përjetshëm dhe askush e asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe se Muhammedi (paqja, mëshira dhe bekimi i All-llahut Bujar qofshin mbi të) është i dërguari i Tij i fundit deri në ditën e Kijametit.

Paqja, mëshira dhe bekimi i All-llahut Madhështor qofshin me juve!