Mësuesja e Vitit të Ri

 

Shkruan: Zenelabedin Latifi

 

Të hënën do ta pastrojmë klasën dhe do ta stolisim bredhin në klasën tonë – më tha një vajzë 6 vjeçare, e cila ishte parashkollore.

E shikova me habi, por ajo nuk ngurroi të buzëqeshet dhe mezi e priste ditën e hënë. Ishte e shtunë, kurse për të dita e pasnesërme ishte një gëzim që me padurim e priste.

Pastaj e pyeta: “Përse të bëni një gjë të tillë?” Po kështu na ka premtuar mësuesja – mu përgjigj me vendosmëri.

Mësuesja, që ndryshe mund ta quajmë devijuese e brezave të rinj, ua kishte zbukuruar aq shumë festën e Vitit të Ri, saqë fëmijët e mendonin si njërën nga ditët më të mira të vitit dhe si obligim për të festuar.

Pastaj, bindja e vogëlushes ende ishte e ndezur, saqë më tha se mësuesja ua kishte kërkuar të gjithëve nga një shumë të caktuar të hollash, duke thënë se me këto të holla do të blejnë “dhuratat”, të cilat ua sjell babadimri. Mirëpo, unë nuk  kisha parë e as dëgjuar ndonjëherë se dhurata blihen me paratë e atij që i dhurohet ajo.

E pyeta për babadimrin, dhe mora përgjigje si nga çdo fëmijë tjetër. Më tha se babadimri është një njeri i veshur me rroba të kuqe, që blen dhurata dhe i jep çdo fëmije.

U ktheva pas në kujtime, dhe gjeta në arkivin e kujtesës së trurit mësuesin, i cili poashtu si kjo e vogëlushes na manipulonte me këto gjëra, duke na i premtuar të njëjtat. Normalisht se gënjeshtrat i pranon ashtu siç janë çdo fëmijë, sepse logjika e tij nuk i analizon shumë gjërat dhe manipulimi më i mirë  me këto trillime bëhet me fëmijët, sepse ata janë kultivuesit e kulturës, të cilët do të reflektojnë pas disa viteve.

Ja se çfarë mësuesish kemi ne, çfarë kujdestarë të fëmijëve tanë, të cilët e marrin atë përgjegjësi vetëm si shkak i rrogës të cilën padrejtësisht e shfrytëzojnë, dhe mezi e presin ardhjen e muajit tjetër për të parë konton bankare të rimbushur.

"Më lehtë është ta thyesh një atom sesa një paragjykim” ka thënë gjeniu i njohur Albert Ajnshtajn. E nëse fëmijët tanë marrin bindje dhe paragjykim se festa e Vitit të Ri duhet festuar, atëherë është tepër vështirë që t’ia largosh atë bindje.

Unë për vete e kam kuptuar shumë mirë, por të tjerëve kur ua sqaroj, ata tallen dhe nuk marrin këshillën.

U them atyre se a festoni sepse u kaloi edhe një vit nga jeta juaj? A festoni se jeni për një vit më të moshuar? Ti o njeri, në atë natë duhet të ndalesh, të mendosh dhe të qash që të iku edhe një vit nga jeta jote, pra iku një pjesë e jotja.

Kjo natë për njeriun duhet të jetë nata e vajtimit dhe e të qarit, sepse është ndërrimi i moteve, e cila i tregon njeriut se është plakur për një vit.

Çdo ditë që kalon je më afër vdekjes, më pranë varrit dhe më afër Ditës së Gjykimit.

Ne si shqiptarë me religjionin e pastër islam duhet që të largohemi nga kjo vepër e ndaluar, sepse ne s’kemi të bëjmë asgjë as me Janin apo Janarin, as me Gregorianin, as me babadimrin e as me paganizmin, nga edhe rrjedh kjo festë.

Nëse e quajmë veten njeri të mirë, atëherë le të mendojmë pak. Si të lejon ty ndërgjegjja që të shpenzosh kot për këtë festë, derisa vëllai yt musliman nuk ka ku të strehohet dhe me çka të ngopë barkun.

Do të zgjidhej problemi i varfërisë po qe se të gjitha paratë (në çdo shtet) që do të harxhoheshin për natën e Vitit të Ri (fishekzjarrë, mjete, piroteknike, pistoleta, zbukurime, bredha, ushqime të tepërta dhe të ndaluara) të mblidheshin dhe t’i jepeshin të varfërve.

Prandaj, të largohemi nga kjo festë, t’i këshillojmë fëmijët tanë dhe të kultivojmë breza të rinj të shëndoshë. All-llahu nuk e ndryshon gjendjen tonë, derisa ne vetë ta fillojmë ndryshimin në veten tonë.

Në fund një mesazh për të gjithë ata që e festojnë këtë festë: “Pasi po festohet Viti i Ri, atëherë pse nuk quhen festat e fillimvitit, por quhen festat e fundvitit?! Vërtetë, ata nuk e dinë se çfarë festojnë”.