Ushtarët e Iblisit (shejtanit)

 

Shkruan:Burim Sogojeva

 

Në atdheun tonë, të quajtur Kosovë, me 96% popullsi muslimane, kush të don del dhe e merr guximin dhe e ofendon Islamin. Këtë ata e bëjnë në mënyrë të ndryshme, pra edhe duke i ofenduar përfaqësuesit e Islamit, pra Hoxhallarët e nderuar. E kur ata ofendohen dhe akuzohen për shpërlarje të kokave të muslimanëve, automatikisht na kanë fyer të gjithë neve që e praktikojmë këtë fe të vetme të pranuar nga All-llahu i Lartësuar (Kur'an 3,19; 3,85; 21,92 dhe 23,52).

Nuk është çudi kur këto fyerje vijnë nga dikush që e ka mbiemrin Bush, Netanjahu apo Breivik, mirëpo kur ai ka një mbiemër musliman dhe quhet Ramadani apo Latifi, madje edhe është person zyrtar i shtetit tonë, kjo është vërtetë e tmerrshme.

Sido që të jetë, ne edhe më tutje duhet të jemi të fortë meqë e drejta është në anën tonë, meqë All-llahu i Lartësuar nuk thotë kot në Kur'an si vijon:

3,142: A mendoni se do të hyni në Xhennet, pa i provuar All-llahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar?

Prandaj neve na mjafton All-llahu i Lartësuar (Kur'an 3,173). E çka t’u bësh njerëzve të cilët All-llahu i Lartësuar si qenie i ka ngritur dhe i ka nderuar mbi të gjitha krijesat tjera (Kur'an 7,11) ndërsa këta mjeranë me mend në kokë e sjellin veten në gjendje më të keqe se kafsha (Kur'an 7,179).

Por se çka të bësh, kështu ka qenë gjithmonë, që muslimanët/besimtarët e vërtetë kanë qenë pakicë dhe janë përqeshur e përndjekur nga jobesimtarët e mëkatarët, qysh prej Nuhit alejhis-selam, të cilin e përqeshte populli i tij (Kur'an 11,38) derisa u erdhi ndëshkimi i All-llahut të Gjithëpushtetshëm. A nuk u munduan ta mbysin me djegie Ibrahimin alejhis-selam (Kur'an 21,68)?! Poashtu edhe Isain alejhis-selam deshën jehuditë ta vrasin (Kur'an 3,54). Por se Zoti i Plotfuqishëm këta dhe shumë të tjerë i shpëtoj dhe i ngriti mbi keqbërësit edhe në këtë dunja, përderisa në botën tjetër do të përqeshen mëkatarët duke u përvëluar në zjarr (Kur'an 37,55-57).

E kur të Dërguarit e Zotit Madhështor janë fyer e quajtur gënjeshtar, kush jemi ne që të mos na mundojnë këta ushtarë të Iblisit të mallkuar, të cilët nëse vdesin në këtë gjendje padyshim se do të përfundojnë në Xhehenem, All-llahu i Lartësuar na ruajtë prej tij.

Ja se si e përshkruan All-llahu i Lartësuar gjendjen e këtyre ushtarëve të shejtanit të mallkuar:

Kur'an 26,94-95: Kështu, ata do të hidhen në zjarr bashkë me mohuesit, si dhe TË GJITHË USHTARËT E IBLISIT.

E pra, ne po duam të jemi nga pakica, meqë ashtu siç është zotuar edhe e ka realizuar qëllimin Iblisi i mallkuar, pra që shumicën e njerëzve t’i merr me vete në Xhehennem (Kur'an 7,17 dhe 14,22). E meqë këta të mjerë ia kanë kthyer shpinën Islamit dhe Kur'anit dhe e ndjekin epshin e jo arsyen, atëherë ai i mallkuari i kaplon ata dhe kund vend nuk iu len (Kur'an 43,36).

All-llahu i Lartësuar neve të gjithëve që kontribuojmë në të mirë të Islamit, na ruajtë nga çdo armik i Islamit dhe nga çdo djall i mallkuar qoftë ai njeri apo xhind (Kur'an 114,6) dhe të gjithëve në Xhennetin më të mirë na dërgoftë, amin!

Paqja, mëshira dhe bekimi i All-llahut Madhështor qofshin me juve!