Edukimi fetar si një kusht i domosdoshëm i progresit social

 

Enklid Pelari

 

Pse edukimit?

”Nëpërmjet edukimit shoqëritë përpiqen të ”strukturojnë” botën shpirtërore të pjesëtarëve të tyre rreth disa vlerave që këto shoqëri i shpallin zyrtare. Me një fjalë, edukimi është një farë ”programimi”, nëpërmjet të cilit shoqëritë me organe të specializuara synojnë të konvertojnë sistemin e vet normativ në një sistem vlerash, duke e ”modeluar” kështu botën shpirtërore të individëve sipas kritereve të veta. Kështu shoqëritë përpiqen të krijojnë dhe të ruajnë kohezionin shoqëror.”1

Po shifrat (statistikat) ç‘thonë?

Shumë studime të realizuara nga Banka Botërore, OCDE-ja, Komisioni Europian etj., kanë arritur deri aty sa të pohojnë se informacioni dhe dija po zëvendësojnë kapitalin dhe energjinë si faktorë bazë të krijimit të pasurisë e mirëqenies, ashtu si këto dy të fundit zëvendësuan punën e dorës dhe pronën e tokës dy shekuj më parë. Për më tepër, progresi teknologjik i shekullit XX e ka transformuar pjesën dërrmuese të punës që krijon pasuri nga një bazë fizike në një bazë dije e njohurish.

Kështu p.sh. në mesin e shek. XIX, kapitali fizik përfaqësonte 65-70% të kontributit në rritjen e rendimentit të punës, ndërsa në fund të shek.XX, ai përfaqësonte vetëm 20-25% të këtij kontributi. Shek. XXI po e thellon akoma më shumë këtë tendencë duke e zbritur nën 20% kontributin e kapitalit fizik. Teknologjia dhe dija konsiderohen si faktorët çelës të prodhimit dhe rritjes. Ekonomistët kanë filluar të mendojnë se tashmë është e nevojshme të realizohet një revolucion i tërë dhe në treguesit e matjes dhe shprehjes së kësaj ekonomie të re gjithnjë e më jo-materiale.2

Pse teologu?

Nisur nga statistikat të cilat tregojnë për nevojat e zhvillimit për formim fetar, po evidentojmë disa argumente se përse duhet integruar teologu në mësimdhënie dhe çfarë dobish kanë entet arsimore nga ky bashkëpunim:

1- Pikë së pari, shoqëria është në krizë morale përsa i përket moshës së pubertetit, adoleshencës dhe periudhës post-adoleshence. Nga takimet e ndryshme që kemi patur me drejtorë të shkollave na është raportuar se rinia ka nevojë për etikë dhe edukate fetare. Po ti bënim një shpjegim psiko-anatomik këtij fenomenin do të shtonim se hormonet dhe gjendrat e hipofizës tek të rinjtë maturohen përpara pjekjes së tyre intelektuale dhe pikërisht në këtë moshë ata kanë nevojë për përkujdesje prindërore dhe instruksione morale që mos të bien pre e indulgjencave dhe pasioneve të tyre.

2- Do krijohej respekti dhe konsiderata e teologut në shoqëri. Sepse tanimë ata nuk shihen si njerëz hermetik të ardhur nga një botë tjetër, por si kontribuues moral dhe mësues të shoqërisë.

3- Së treti, do të siguronte të ardhura për teologët nga buxheti i shtetit, çka nuk do ti detyronte këta të fundit të bënin punë rutinë dhe rrjedhimisht shoqëria në tërësi, por edhe komuniteti ynë në veçanti nuk do të humbte me vlera dhe resurse humane të konsiderueshme. Ky harxhim energjish dhe firoje intelektuale përveç regresit do ta thellonte edhe më tej krizën morale të shoqërisë sonë.

4- Penetrimi teologut në shoqëri, konkretisht në çdo familje me anë të nxënësve, do të krijonte ura të reja komunikimi midis teologut dhe popullit. Kjo shkrirje akujsh do të shërbente që teologu të njihej më nga afër me hallet e popullit, çka do të motivonte këta të fundit që të japin kontributin e tyre me prezencë në objektet e kultit dhe në aktivitetet fetare. Kjo gjë do të rriste formimin e prindërve të të ardhmes çka do përkthehej në fryte të mira morale për anëtarët e rinj të shoqërisë.

5- Shoqëria jonë i ka ezauruar tashmë të gjitha alternativat dhe modalitetet e edukimit të rinisë duke filluar kurrikulat e ndryshme si sociologjia, etika, lënda e zhvillimit të karrierës, edukata seksuale etj. Të cilat shpesh herë e kanë thelluar edhe më tej këtë hendek, ajo që mbetet për tu provuar është “ilaçi” fetar i cili nuk mund të hidhet poshtë nga shoqëria relevante sepse është “i hidhur” por duhet rekomanduar nga drejtuesit si kurë emergjente për sëmundjet sociale. Aq më tepër që studimet statistike por edhe dëshmitë empirike kanë dëshmuar se kjo alternative ka bërë “mrekulli” me shtresat problematike sociale si: Konsumuesit e lëndëve narkotike, trafikantëve, njerëzve të implikuar në akte kriminale etj.

Ok arsimit laik, pse fetarit?

Promovimi formimit fetar, apo siç quhet në gjuhën ekonomike kapitali human apo kapitali social është i një rëndësie të lartë për çdo shoqëri. Promovimi i tij është bërë nga politologu amerikan Robert Putnam më 19953, Putman i tronditi të gjithë me vizionin e tij të veçantë për rëndësinë e kapitalit social, kur nënvizonte se, “nëse në ShBA do të kishte një degradim të kapitalit social, kjo do të shkaktonte një dobësim të pjesëmarrjes politike dhe angazhimit të shoqërisë civile duke goditur rëndë vitalitetin e demokracisë dhe ekonomisë amerikane”. I zhvilluar më tej nga autorë si Coleman, Bourdieu, por dhe nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, OCDE, BERZH, OKB etj., kapitali social konsiderohet si një faktor me impakt determinues në ritmet e zhvillimit ekonomik, efiçencën e investimeve dhe projekteve të zhvillimit, nivelin e mirëqenies, cilësinë e shëndetit publik, stabilitetin dhe kohezionin social të një shoqërie, shteti apo territori, nivelin e korrupsionit, informalitetit e kriminalitetit. Sipas OCDE, rezulton që nocioni i kapitalit social është shumë i nevojshëm në ecurinë dhe rezultatet e punës qeverisëse dhe se kapitali social ndikon ndjeshëm në reduktimin e pabarazisë sociale dhe prodhon efekte shumë pozitive në nivel makroekonomik.

Ky eksternalitet pozitiv –siç quhet në gjuhën ekonomike- në plan afatgjatë sjell një progres të qëndrueshëm social, larg gangrenave të çdo pushteti –siç thotë iben Haxher El Askalani- të cilat janë: Mitmarrja, nepotizmi, korrupsioni etj. Sepse ndjesia e vëzhgimit hyjnor dhe autokritika subkonshenciale tek i riu ruajnë ekuilibrat moral dhe sigurojnë një performancë të mirë tek ndërtuesit e shoqërisë të së ardhme. Dhe këtë gjë nuk e siguron vetëm se religjioni me anë të edukimit fetar.

Ç’të bëjmë ne?

Nisur nga thënia e Platonit se: “Idetë modelojnë realitetet” ne si aktivistë të shoqërisë duhet të ndryshojmë realitetin tonë të hidhur social, i cili agravohet çdo ditë e më shumë, e të hapim një kapitull të ri në arsimimin e brezave të ardhshëm.

Turpi nga identiteti ynë fetar po na çon në identitete të turpshme, prandaj duhet me doemos implementimi ideve në terren për të modeluar një realitet dinjitoz për të ardhmen dhe progresin tonë kombëtare dhe siç e thamë kjo gjë fillon pikërisht nga arsimimi dhe programimi brezave të rinj me kapitale humane dhe sociale.

Si gjithmonë postulati thotë një shoqëri e mirë një edukim i mirë.

 

 

1 {Qytetaria parë në këndvështrimi filozofik. A. Kaçani/ Fq 32}
2 http://ëëë.mapo.al/2013/03/30/kapitalizmi-dhe-logjika-e-kapitalit/
3 në librin Alone: Amer- ica’s Declining Social Capital, libër që bëri shumë bujë në gjithë botën për këndvështrimin e tij të veçantë.