Reagim apo heshtje

 

Arjan Ademi

 

Jemi dëshmitarë se në javën që lamë pas, në atdheun tonë të dashur,  jemi përballur me një reagim të ashpër, fyes e shpifës të disa politikaneve tona. Të cilat,  jo pse janë prekur dhe janë dalë në mbrojtje të vlerave morale, kombëtare e fetare të nënave dhe motrave tona, por ato kanë dëshmuar se janë të përkushtuara që vlerat e popullit shqiptar t’i shpallin tashmë të vjetruara kinse ato më nuk duhet të proklamohen si vlera dhe si identitet i popullit tonë.

Nuk ka diskutim se gjuha e komunikimit duhet të jetë e standardizuar, e kujdesshme dhe shumë e matur mirëpo nuk duhet harruar se jemi duke jetuar me një mes ku qëndrojmë larg çdo standardi andaj edhe gjuha e komunikimit jo e standardizuar por e njohur dhe e kuptuar për popullin tonë mund të arsyetohet.

Reagimi i Ministres Vlora Çitaku, i Grave Deputete të Parlamentit të Kosovës, disa politikanëve pa vlera politike dhe nga disa pseudo analist, reagime këto të plasura në media elektronike e të shtypura se kinse Hoxhë Irfan Salihu gjatë një ligjërate paska fyer femrën shqiptare nuk janë aspak të vërteta por në realitet këto reagime janë të padrejta, politike dhe të montuara kundër predikuesve të fesë Islame në Kosovë dhe rrjedhimisht kundër shumicës shqiptare të cilët me dëshirë, sipas regjistrimit të popullsisë vitin e kaluar, 96% u deklaruan myslimanë.

Këto  reagime nuk janë të rastit por vijnë në momentin tepër delikat për vendin tonë, janë reagime të cilat kanë për qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit vendor nga ngjarjet aktuale në vend.

Derisa në Bruksel bisedohet për Veriun e vendit në mes të Prishtinës dhe Beogradit, në të njëjtën kohë i bëhet presion Kosovës që edhe pas gjithë asaj lufte të përgjakshme të lëshoj pe dhe të ju jap status special serbëve të Veriut, të bëjë ligjin për amnistinë e kriminelëve serbë, në Prishtinë pasardhësi i UNMIK-ut vazhdon gjahun e tij ndaj Ish Komandantëve të UÇK-së, duke i dënuar dhe burgosur. Dhe për çudi kemi heshtje nga këto zonja.

Pse kemi reagime selektive, pse nuk reaguan Ministrja Vlora Çitaku së bashku më Grat Deputete për fjalorin e çoroditur fyes e denigrues gjatë Video Fest-it në RTV21, çfarë ishte ky festival një Video Fest apo një “Porno Fest”?
Pse nuk reagoi as Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) për këtë skandal medial, për atë se çfarë po i servojnë popullit tonë këto media sot?

Pse nuk reaguan Ministrja Çitaku së bashku me ato Gra Deputete për këtë fyerje që ju bë gruas apo femrës në përgjithësi në këtë TV nacional?

Pse RTK-ja, hapë edicionin e lajmeve qendrore me një lajm’’ bombastik’’ e shpifës ndërsa injoron ngjarjen tragjike ku në atë ditë në aksidente komunikacioni në Kosovë humbin jetën tragjikisht 4 qytetar dhe disa të tjerë lëndohen rënd?

A është RTK publike dhe e pavarur apo është krejtësisht nën ndikimin e Qeverisë dhe prodhon lajme ditore e me porosi të politikës ditore?

Pse mediet sot shpërndajnë lajme të pa vërteta, shpërndajnë lajme me gjuhë urrejtje dhe shpifëse, athua ua lejon Ligji një gjë të tillë?

Pra, këto ditë, u shpif së pari nga Ministrja Çitaku dhe disa Gra Deputete se kjo ligjëratë i paska atakuar të gjitha nënat dhe motrat tona, gjë e cila nuk është aspak e vërtetë sepse aty në ligjëratën e Hoxhës Irfan Salihu potencohet fare mirë se për cilën kategori bëhet fjalë, pastaj shpifja vazhdon nga mediet të cilat ishin nën presionin e politikës se kinse kjo ligjëratë është mbajtur në ligjërimin e javës së kaluar në njërën nga xhamitë e Prizrenit, gjë e cila as kjo nuk është e vërtetë, sepse kjo ligjëratë është mbajtur në Nëntorin e vitit të kaluar.

A thua rrezik paraqet ligjërata e një Hoxhe e cila ka për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë ndonëse paska pasur fjalë të cilat nuk qenkan pjesë e gjuhës standarde por gjithsesi këto fjalë janë të njohura dhe të ditura në mesin e popullit tonë, ndonëse fjalori i Hoxhës ka mundur të jetë më ndryshe por ai fjalor i përdorur nuk paraqet rrezik zonja Ministre dhe ju zonja Deputete.

Rrezik për vendin dhe popullin tonë parqet zonja Ministre dhe ju zonja Deputete, prostitucioni, amoraliteti, droga, vetëvrasjet, emigrimi i të rinjve, korrupsioni, nepotizmi, aferat e pasaportave , afera Pronto me gjuhën të cilën vetëm ju dini ta arsyetoni zonja Ministre, papunësia dhe varfëria e cila po ngulfat jetën e qytetarëve çdo ditë, keqpërdorimi i parasë publike e cila tashmë po dëshmohet çdo ditë nga Raporti Vjetor i Auditimit  (Zyra e Auditorit të Përgjithshëm), e pjesë e të cilit jeni edhe ju si Ministri e Integrimeve Evropiane, shëndetësia e cila nuk po lejohet të zhvillohet por çdo ditë po prolongohet dhe po bllokohet, arsimimi i cili është larg çdo standardi evropian, ngacmimi dhe dhunimi i nxënëseve nëpër shkolla nga disa mësimdhënës, pastaj gjyqësori i korruptuar  i ndikuar dhe i varur nga politika, mos respektimi i të drejtave të njeriut sepse jeni ju zonja Deputete të cilat me votat e juaja latë jashtë shkolle shumë vajza vetëm pse bartnin mbi kokat e tyre mbulesën-shaminë, jeni ju ato të cilat shpifni se kinse vajzat shqiptare vetëm pse janë të bindura ndaj urdhrit të Zotit dhe bartin mbulesën-shaminë mbi kokat e tyre se kinse janë të paguara dhe janë të indoktrinuara nga rryma të caktuara, pastaj privatizimi i çoroditur e i keqpërdorur deri në palcë, pastaj krimi ekonomik e politik janë rreziku më i madh që po i kanoset sot qytetarëve të Kosovës.

Pse nuk po reagoni për të gjitha këto dhe jo vetëm për këto, apo keni zgjedhur akuzën ndaj myslimanëve si mjet për t’u mbrojtur dhe për të arsyetuar vetën e juaj qoftë si Ministre apo ju si Deputete të cilat jeni në Parlamentin e Kosovës me vota të vjedhura dhe me vende të rezervuara e të pamerituara.

Zonja Ministre, ju zonja Deputete dhe juve media elektronike e të shkruara, ju së bashku tani jeni duke dëshmuar veten e juaj se jeni piromanët e atdheut tonë. Kështu ju nuk jeni duke i bërë nderë shoqërisë shqiptare e rrjedhimisht as shtetit tonë të cilin e kemi ngritur mbi themelet e gjakut të burrave dhe grave më të mirë që pati kombi jonë.

Por mos harroni se populli nuk ua falë kurrë atë më të shenjtën e ajo është vlera morale e cila është trashëguar brez pas brezi tek populli jonë.

Zonja Ministre dhe ju zonja Deputete, populli shqiptarë i Kosovës është përballur me ideologji nga më të egrat por asnjëherë nuk jemi dorëzuar,  nuk jemi gjunjëzuar, nuk kemi lejuar të ecim përpara si popull pa vlera morale, ndaj nuk e kemi ndërmend për asnjë çmimi të falim apo shesim identitetin tonë kombëtar dhe fetar. Ngase pikërisht kjo ka qenë lidhja më e fortë e cila nuk është shkëputur kurrë nga populli jonë shumë i përvuajtur.

Për fund, zonja të nderuara, mos harroni se neve si popull nuk e synojmë integrimin evropian si një popull pa vlera morale. Ne, nuk jemi duke menduar se në Evropë duhet të shkojmë si një popull i sëmurë e ku spitali jonë qenka Evropa, jo asnjëherë Jo.