Kush kë po e fyen dhe të drejtat e kujt po shkelen?

 

Dr. Shefqet Krasniqi

 

Deklarata e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në lidhje me lejimin e shamisë në shkolla publike dhe të mësim-besimit, derisa është pritur mirë nga shumë zemra që s’duan gjë tjetër përpos që të ndjehen të barabartë me të tjerët. E që ishte një deklaratë e rrallë, e cila, të paktën, reflekton një maturi dhe vetëpërmbajtje të një grupi politik.

Në anën tjetër ka të atillë që i ka zhgënjyer, ku në mesin e tyre është edhe deputetja Alma Lama, e cila për çudi është nga vet radhët e LVV-së. Znj. Lama, e cila fare pa nevojë qe përfshirë në një debat për fenë, ku doli kundër shamisë me tërë fuqinë e saj, dhe atëherë kur lideri i saj u shpreh në favor të përmbushjes së këtyre të drejtave, ajo reagoi kundër, duke përgjithësuar kësaj radhe problemin se kinse ata që kanë fyer Almën, kanë fyer një pjesë të kombit.

Sigurisht se çdo njeri ka këndvështrimin e vet të gjërave, konceptet dhe parimet të cilave u përmbahet, dhe në një shoqëri normale është e natyrshme të ketë shumëllojshmëri mendimesh, përplasje mentalitetesh dhe polemikash konstruktive.

Në lidhje me këtë Allahu thotë: “Sikur të dëshironte Zoti yt, do t'i bënte njerëzit të një feje –të një bindjeje (por nuk dëshiroi, Ai e di pse). Ata vazhdimisht janë në kundërshtime (mes vete).” (Hud: 118)

Kyfakt sikur na e sjell ndërmend se ne jemi nga e njëjta origjinë, andaj edhe sado që mund të kemi dallime mes vete qoftë fizike, intelektuale, mjedisore etj. përsëri kemi respekt dhe tolerancë për njëri-tjetrin duke qenë se gjithsesi që ndajmë edhe vlera të përbashkëta. Në këtë kontekst ne nuk kemi të drejtë ta gjykojmë keq, ta ofendojmë apo diskriminojmë askë që mban qëndrim ndryshe.

Mirëpo problemi qëndron kur një bindje njëdimensionale merr fuqi ekzekutive dhe shkel mbi të drejtat elementare të njeriut duke u thirrur padrejtësisht në nacionalizëm, në sigurinë publike apo laicitetin e shtetit. Për më tepër, përdorë çdo mjet për të krijuar një klimë propaganduese të kësaj padrejtësie. Them padrejtësi, sepse në qoftë se praktikimi i fesë në jetën publike do të ishte në kundërshtim me vlerat kombëtare, me sigurinë publike apo laicitetin e shtetit, atëherë bota me gjasë do të ndahej në shtete teokratike dhe ateiste, ndërsa demokracia nuk do të ekzistonte as si term.

Të shprehësh shqetësim për përhapjen e një ekstremizmi të mundshëm fetar nuk na jep të drejtë për të përgjithësuar problemin, për ta fajësuar fenë dhe për të mohuar çdo identifikim fetar, sepse kjo i bie sikur ta fajësojmë ligjin e komunikacionit për shkak të aksidenteve dhe ta etiketojmë çdo ngasës automjeti si të dëmshëm për shkak të papërgjegjësisë së disave. Prandaj çdo kush që ka si brengë të sinqertë mbrojtjen e shoqërisë nga fryma polarizuese duhet të jetë i kujdesshëm që këtë shqetësim të mos e shpreh në atë formë që e tensionon edhe më tepër shoqërinë e të jap përshtypjen e një të kompleksuari islamofob.

Ngjashëm sikurse çdokush që ka qasje tjetër për vlerësimin e kontributit të një figure historike duhet të jetë i kujdesshëm që të mos lë hapësirë që kjo të interpretohet si dëshirë për përçarje të kombit në baza fetare kur vet Zoti e bëri ligj bashkëjetesën e feve në paqe e harmoni. Prandaj unë i bëj thirrje zonjës Lama, po edhe çdokujt që ka konceptin e saj, që ta zgjerojnë vizionin e tyre e të mos bien në kontradiktë me vetveten duke mbajtur standarde të dyfishta.

A nuk është turp që përveç largimit të një vajze nga shkolla shkaku i mbulesës së saj, të krijojnë edhe ambient të rëndë piskologjik për të, me shpifje, fyerje dhe etiketime të ulta dhe pastaj të thonë se ne preokupohemi për ngritjen e femrës! A duke ua pamundësuar shkollimin dhe punësimin femrave me mbulesë i mbrojnë ato nga “nënshtrimi”?! Si mund të tentohet të paraqitet imazhi i një mashkulli musliman si robërues, kur ai nuk e ngrit zërin për lejimin e mbulesës mbi kokën e gruas, vajzës apo motrës së tij, sepse këtë nuk mund t’ia ndalojë askush, por ngrit zërin pikërisht për arsimimin dhe punësimin e saj, meqë shkaku i mbulesës asaj i mohohen këto të drejta!

Nëse pjesë e paragjykimeve të ndokujt është ta shohë mbulesën si “nënshtrim të femrës”, po ana e anasjelltë a mund të mendohet?! Nëse në demokraci e “vërteta” nuk mund të monopolizohet nga një grup i caktuar, atëherë me çfarë të drejte e shndërrojmë moralin jofetar në kod të përgjithshëm dhe themi se mbulesa është “veshje jo e duhur”. A jemi të interesuar të krijojmë një shoqëri ku çdo njëri frikësohet nga tjetri, apo një shoqëri që përkundër dallimeve funskionon si një familje, ku secili përpiqet ta mbajë atë të bashkuar, të shëndoshë dhe të lumtur?!

Duke qenë se formimi intelektual dhe shpirtëror është një proces i vazhdueshëm për çdo njeri, pavarësisht bindjes që ka, mbesim me shpresë se të gjithë do të bëjmë progres në këtë rrugëtim, për të mirën e përgjithshme. Ngase vetëm me njerëz të hapur, të sinqertë, bëmirës, altruist e të drejtë mund të ndërtohet një shtet i fortë dhe stabil.

Për fund, le ta kujtojmë fjalën e Allahut i Cili thotë: “Ne nuk e ndryshojmë gjendjen e një populli derisa ata të mos e ndryshojnë vetveten.” (Rra’d: 11)