Pse kaq zhurmë për Xhaminë e Madhe?

 

Agim Baçi

 

Prej disa javësh, mbrojtës të  ambientit kanë kontestuar ndërtimin e Xhamisë… në vendin e quajtur Namazgjaja, në emër të mbrojtjes së zonës së gjelbëruar.

Po pse ka zhurmë për një ndërtesë me destinacion shumë të rëndësishëm shpirtëror për shumicën e shqiptarëve?

Nuk është thjesht ideja për të pyetur për faktin se këta mbrojtës nuk kanë thënë asnjë fjalë për ndërtimet që janë bërë për dy kishat në mes të Tiranës, në vende që kanë qenë lulishte. Fundi i fundit, institucionet e kultit janë institucione shpirtërore që përhapin paqe dhe kulturë. Po përse kaq shumë zhurmë për institucionin e myslimanëve, kur ndërtimi do të jetë në një tokë që është trashëguar për këtë destinacion?

Pikësëpari duhet pohuar se, e mbetur për shumë kohë pezull, dhënia e lejes së ndërtimit duket se i ka kapur të papërgatitur edhe vetë drejtuesit e Komunitetit Mysliman, të cilët edhe pse e kanë marrë lejen prej muajsh, kanë bërë punime fillestare. Ndërkaq, nuk ka një qëndrim të qartë lidhur me debatin që ka nisur fillimit Guri e Ferruni, e që më pas është amplifikuar nga Artan Lame e disa arkitektë, të cilët në kohën që ishin në drejtim të punëve të Bashkisë së Tiranës në kohën që drejtonte Rama, nuk u kujdesën aspak për territoret e gjelbra, por për ndërtimet me bojëra të ndryshme anembanë Tiranës, përfshi këtu edhe lejen për institucione të tjera kulti.

Në fakt, duhet pranuar se mbrojtja e mjedisit është një mision fisnik që i shërben shëndetit të qytetarëve. Por a mundet në këtë rast që disa pemë në zemër të Tiranës të jenë më të rëndësishme se sa një institucion që është për përkujdesje shpirtërore, pra që edukon njerëz që t’i duan jo vetëm pemët, por edhe tjetrin? Sepse kështu, nën modelin që propozon Guri, Lame, Ferruni apo të tjerë, të përfundojmë në një sistem me pemë dhe pa njerëz që t’i duan pemët. Ndërkohë që xhamia edukon njerëz që i duan pemët dhe natyrën. Për këtë mjafton të kujtojmë kohën e diktaturës së Hoxhës, që Guri e Ferruni duhet ta mbajnë mend mirë që kishte pemë pa fund e njerëz aspak. Pra nuk ka as natyrë e as përkujdesje nëse nuk ka njerëz që të sillen si të tillë!

Por, si u duket këtyre personave teksa shohin që myslimanët, në vend të sheshit që e kanë trashëguar për ta pasur institucion shpirtëror, shkojnë e falen mes bulevardit të madh të Tiranës?

Në rastin më të mirë kjo është një përpjekje e mbrojtësve të ambientit. Por heshtja e tyre për projekte të ngjashme në kryeqytet të bën të besosh shumë pak te kjo ide e mirë. Më shumë se sa kaq, duket një gatishmëri për të sulmuar pikërisht ata që në këto 23 vite kanë bërtitur më pak për të drejtat e tyre – myslimanët. Ky sulm, i cili është ushqyer edhe nga një qëndrim i pajustifikueshëm prej inferiorësh të drejtuesve të Komunitetit, duket se u jep kurajë zërave si Guri e Ferruni, të cilët nuk e kanë parashikuar që po u shtrojnë tapetin e kundërshtimit llojit të Lames, i cili gjënë e fundit që duket se ka për zemër është ngritja e një xhamie të madhe. E duke parë se shefi i tij i dikurshëm në Bashki tani do të drejtojë qeverinë, ai duket se do ta ketë të lehtë ta rrëzojë këtë iniciativë të ndërtimit të xhamisë te Namazgjaja. E për këtë po i vjen në ndihmë edhe plogështia e Komunitetit Mysliman, i cili duket se e ka pasur justifikim mosdhënien e lejes, pasi nuk kanë qenë të përgatitur.

Kështu siç po vijojnë ngjarjet, nuk do të jetë çudi që drejtuesit e Komunitetit të bien dakord me ndryshimin e projektit pas Pallatit të Kulturës. E nëse pranon këtë, me shumë lezet do ta ketë lejen në bulevardin e ri, të cilin Basha e ka shpallur në letër. Pra, myslimanët shumë shpejt do t’i futen sërish ëndërrimit për të pasur një vend falje të madhe për të gjithë.

Në këto ditë krimesh që kanë tronditur çdo familje, ne kemi nevojë për njerëz që dinë të duan tjetrin, që kanë frikë ndaj Krijuesit për jetën e tjetrit. Dhe të mos harrojmë që një pjesë e këtyre krimeve brenda familjes janë bërë në periferi të Tiranës apo në disa fshatra ku pemët janë me bollëk. Kështu që arkitektët dhe mbrojtësit e ambientit është më mirë të kontribuojnë në përmirësimin e projektit të xhamisë me ide arkitekturore e ambientaliste, por jo në zhdukjen e tij.