Amoraliteti përballë imoralitetit

 

Arsim Jonuzi

 

Rëndom në ligjërimin apo literaturën fetare hasim termin (a, i)moralitet. Termin në fjalë e gjejmë në disa vende në Kuran, po do të theksonim vargun e tridhjetedytë të kaptinës së shtatëmbëdhjetë. Herë-herë në shqipe sillet rregullisht, po herave të tjera ka parregullsi kuptimore në të. Ky është aspekti i parë që do të shtjellojmë. I dyti ka të bëjë me përkthim me brumë të natyrshëm të shqipes.

Të shkojmë nga rrënja. Morali, në kuptimin e parë – dhe ai kuptim që na kryen punë – është tërësia e parimeve që duhet përmbushur në lidhje me Zotin, njerëzit etj. Edhe pse është fjalë me prejardhje të huaj, ajo veçmë ka hyrë në fjalësinë (leksikun) shqipe dhe nuk përjetohet si diç e panjohur, madje edhe nga gjeneratat më të vjetra. Problemi zë fill kur kjo fjalë trajtësohet në “moralitet”. Ky praprashtesim e bën fjalë tipike joshqipe. Dhe ngatërrimi fillon kur kjo fjala, tash e re, do të parashtesohet. Herë i thonë “amoralitet”, herë “imoralitet”. E si duhet të jetë?

Të tërheqim paralele bashkë me faktin se parashtesat “a-“, “i-“, (“anti-“), janë me prejardhje angleze. Për fat të mirë kemi edhe barasvlerasit e tyre në gjuhën tonë, gjegjësisht: “a-“ = “jashtë-“, “i-“ = “jo-“ [(kurse te mbiemrat e nyjshëm “i/e pa-“; p.sh.: “ilegal” – “jolegal”). Këtu nuk është me rëndësi se fjala “legal” nuk është shqipe. Përndryshe, barasvlerasi i saj do të ishte “ligjor”], “anti-“ = “kundër-“.

E këtu gjendet edhe vetë përgjigjja e kësaj hamendjeje. Pra: kur themi për dikë se është “i pamoralshëm”, ne nuk e qesim jashtë kategorisë së moralit. Qitja jashtë kategorisë së moralit nënkupton se njerëzit fare nuk kanë mundësi të jenë të moralshëm. Me vetë faktin se vullneti është i lirë (premisa e parë) dhe se ekzistojnë njerëz që janë të moralshëm (premisa e dytë), atëherë (silogjizmi i rregullt është se) nuk mund të flasim këtu për “amoralitet”. Kur i tërheqim vërejtjen dikujt kundër kësaj dukurie, ne i themi që të mos bjerë në “imoralitet”.

Çështja e dytë që do të shtjellojmë është segmenti leksikor. Para së gjithash, duhet të tërheqim një paralele që tani. Dallojnë dukshëm përkufizimet e fjalorëve laikë me fjalorin fetar (islam) për këtë term. Fjalori fetar është më i shtrënguar në këtë krahasim, sepse paraqet  kufij më të rreptë. Është ideja për të gjetur një fjalë që mbërthen sa më shumë përkufizimin e arabizmit “zina”.

“Prostitucion” është barasvleras me fjalën tonë “kurvëri”. E kjo është fjalë shumë e ngushtë për të paraqitur gjithë kuptimin e zinasë. Sepse, thënë troç, kurvëria ka të bëjë vetëm me femrat. Atëherë ajo që më së shumti do t’i afrohej “zinasë” është fjala pandershmëri. Me vetë analogjinë e fakteve si vijon:

moral – nder

moralitet – ndershmëri

imoralitet – pandershmëri

Ia lë kritikës kompetente të argumentojë se mund të jetë ndryshe.

Përndryshe, shtjellimi do marrë parasysh nga ligjëruesit/shkrimtarët e fesë, për vetë qëllimin se duhet të kulturohemi gjuhësisht, siç do të thoshte Ilmi Rexhepi. Me pak fjalë, pse jo “amoralitet” dhe pse po “imoralitet” është se njerëzit mund të jenë imoralë, ndërsa amorale kafshët janë. E nëse themi se është “i pandershëm”, atëherë kemi bërë edhe një punë të mirë, se kemi flakur tej edhe një fjalë të huaj.