Islami fe e mesatares - kjo është ajo çka predikojmë

 

Dr. Shefqet Krasniqi

 

Edhe pse jemi këtyre ditëve në kohë fushate elektorale, neve nuk synojmë të bëjmë fushatë ani pse po shpalosim një program tonin universal. Po shpalosim programin dhe bindjet tona pikërisht për shkak se vazhdimisht jemi thumbuar, etiketuar madje edhe akuzuar nga “tolerantët” se gjoja qenkemi ekstrem e radikal.

Qëndrimet tona i kemi bërë publike disa herë, shpesh kemi shpjeguar se interpretimi ynë i islamit është i bazuar, i argumentuar mirë, burimor, tradicional dhe i mbështetur thellësisht në Kuran dhe Sunet, por ja që, kësaj radhe, me shkas, na duhet t’i bëjmë publike edhe njëherë këto qëndrime.

Me ftesë të forumit rinor, Kandili Ndriçues, shoqatës Alb Tradita si dhe me mbështetjen e Myftinisë së rrethit Shkodër, më 15.09.2013, mora pjesë në një tribunë fetare në Shkodër. Temën që trajtuam ishte “Mesatarja e Islamit”, duke pasur parasysh jo vetëm rrethanat në të cilat gjendemi por edhe atë përbërjen fetare të Shkodrës, që paraqet një mozaik vlerash në vete, u binda se trajtimi i kësaj teme ishte gjëja më e qëlluar.

Ishte një temë e përgjithshme, një koncept, një politikë, një vizion, dhe një shpjegim parimesh me të cilat ne si myslimanë mburremi shumë. Materiali u shpërnda në formë të video-incizimit, por, me insistimin e të pranishmëve të cilët u ndanë të mahnitur nga kjo temë vendosa të publikojë, për të dokumentuar qëndrimet e mia, në formë të shkruar.

Çfarë nënkuptojmë me mesatari?

Islami në esencë është fe e mesatares në çdo gjë, të gjitha parimet e islamit bazohen në mesatare duke i ikur ekstremizmit qoftë në teprime e ngurtësi por edhe në lënie mangët e përbuzje. Allahu i madhërishëm na mësoi e na urdhëroi të jemi të mesëm:
“Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur).” (Bekare:143).

Imazhe të mesatarisë në Islam

Islami ka ndërtuar të gjitha konceptet mbi bazën e këtij kriteri: mesatarisë.
Kështu, kjo mesatare u reflektua tek Pejgamberi i Zotit në çdo gjë, në tërë fenë duke besuar në atë që ka urdhëruar Zoti, duke punuar për botën tjetër, por duke mos e harruar asnjëherë këtë botë.

“Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangët atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty mirë, e mos bëj të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit” (Kasas: 77).

Mesatare në logjik: ashtu që islami nuk pajtoi me ata të cilët nuk pranojnë gjërat përtej kufijve të mendjes, duke pretenduar se vetëm çka percepton mendja njerëzore mund të pranohet dhe me këtë mohuan botën e fshehtë, të padukshme. Ashtu siç nuk pajtoi me ata të cilët mohojnë rolin e mendjes njerëzore, në kuptimin e realitetit, në zbërthimin e analizimin e fakteve, dëshmive etj.

Mesatare në adhurim: ashtu që islami nuk lejon t’i përkushtohet tërë koha adhurimit, si p.sh. islami nuk lejon myslimani gjatë gjithë kohës të rrijë vetëm në xhami, apo të agjërojë për çdo ditë, apo ta japë tërë pasurinë e tij si lëmoshë etj. por urdhëron mesataren, të gjitha nga pak dhe me masë.

Mesatare në etikë: ashtu që nuk pajton me ata që konsideruan njeriun si melaqe-engjëll që nuk bënë të gabojë dhe nuk bënë të jepet pas çështjeve të dynjasë, por vetëm pas shpirtit. Ashtu siç nuk pajton me ata që anashkalojnë çështjen shpirtërore duke e ulur vetën në shkallë të shtazës duke u dhënë pas shfryrjes së epsheve në çdo formë a mënyrë, pa limit dhe pa kufizime e rregulla.
Mesatare në shijimin e të mirave të dynjasë, siç na ka thënë Allahu: “Hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë ” (El A’raf: 31),
Këta ishim vetëm disa shembuj, ndryshe, mesataria është motor që vë në qarkullim Islamin. Islami vetëm me të rreh siç duhet.

Ndjekja e mesatarisë si rrugë shpëtimi:

Kjo mesatare të cilën Allahu ia zbriti Muhamedit alejhi selam dhe e urdhëroi atë dhe pasuesit e tij që t’i përmbahen asaj: “Dhe ja kjo është rruga ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t'ju ndajnë nga rruga e Tij” (El-Enam: 153).

Mos e lëshoni këtë rrugë, këtë mesatare, sepse lëshimi i saj do të thotë kalim në ekstrem qoftë majtist apo djathtist, pra cungim-mangësi ose teprim në gjëra e dispozita. Lëshimi i kësaj mesatareje do të thotë devijim rruga e vërtetë. Zaten po mos të ishte kjo fe mesatare kurrë nuk do të kishte këtë jetëgjatësi.

Falë kësaj mesatareje kjo fe arriti t’i përshtatet çdo vendi dhe çdo kohe, që nga koha kur filloi shpallja hyjnore në shkretëtirat e Arabisë, fillimisht te një shoqëri e cila nuk njihte tjetër pos shkretëtirës dhe devesë, e deri më sot kur njerëzit kanë arritur të shkojnë në hënë e ndoshta edhe në planete tjera.

Islamit asnjëherë nuk i humbi vlera e as që iu pakësua, atë asnjëherë nuk munden ta mposhtin ideologjitë, kulturat e ndryshme të cilat lindën gjatë historisë njerëzore. Madje, edhe përkundër keqinformimeve e propagandave, njerëzit më së shumti të lumtur ndihen në islam, ndaj edhe kanë më së shumti nevojë për të.

Kështu gjejmë njerëz nga më të ngriturit intelektualisht nga të gjitha anët e botës që përqafojnë këtë fe, për çdo ditë, duke ndjerë kështu vetën më të lumtur e më të qetë sesa kurrë më parë.
Kjo sa i përket bazave të fesë dhe rregullave të saj, sepse feja në tërësi është rrugë e mesme, zaten punët ma të mira dhe më afatgjate janë ato që kryhen në mënyrë konstante me një interpretim mesatarë.

Mesataria në kontekstin tonë:

Se këndejmi, nëse kthehemi në vendin tonë respektivisht te shoqëria shqiptare dhe i hedhim një shikim të shkurtër së kaluarës sonë gjejmë se kjo shoqëri ka pasur ngritje dhe rënie.

Kam parasysh fillimin e përhapjes së islamit kur këta njerëz me pranimin e islamit ndoqën tamam rrugën e Allahut dhe ishin të përkushtuar si duhet, ndaj edhe ishin të suksesshëm.

Më pas, në veçanti me dobësimin e perandorisë osmane dhe fillimin e depërtimit të rrymave tjera, muslimanët shqiptarë filluan të dobësohen deri kur u paraqit komunizmi dhe muslimanët pësuan rënie drastike.

Periudha komuniste në pamundësi ta shlyej Islamin si tërësi dhe ta shpartalloi nga zemrat e njerëzve, arriti që ta dobësoi atë deri në atë masë saqë krijoi një shoqëri e cila ani pse me identitet mbeti muslimane, në realitet pak mbeti nga Islami i tyre për të mos thënë asgjë.

Kjo gjendje, në fakt, është një ekstremitet apo ekstremizëm në vete e që mjerisht vazhdon të jetë edhe sot tek një numër i konsiderueshëm i shoqërisë sonë shqiptare. Pas rënies së komunizmit, respektivisht pas luftës sonë çlirimtare në Kosovë, njerëzit filluan t’i kthehen fesë me të madhe, por nganjëherë pak me eufori.

Me qenë se jetojmë në kohë globalizmi, nuk mund të përjashtohen edhe ndikimet nga jashtë si rezultat i të cilave ndikime një pjesë e paktë e komunitetit kaloi mesataren dhe, me ose pa dashje në disa aspekte, doli në ekstrem. Ndaj ne sot jetojmë mes dy rrymave, ani pse ekstremizmi për t’i lënë gjërat mangët është shumë i më i theksuar sesa për t’i tejkaluar ato. Apo, ekstremizmi minimal është shumë më i theksuar sesa ai maksimal.

Në çka thërrasim ne sot:

Duke e njohur natyrën e fesë, duke e kuptuar mesataren e kësaj feje dhe se ajo është e vetmja rrugë që duhet ndjekur, mundohemi në maksimum që mesatares t’i qëndrojmë besnik. Andaj kurrë nuk e kemi shtrënguar fenë, por as nuk e kemi liruar jashtë kësaj mesatare.

Vazhdimisht kemi thirrur në kthimin në bazë, kryerjen e obligimeve-farzeve të fesë, si namazin, agjërimin etj. pastaj largimin nga ndalesat-haramet, si alkooli, amoraliteti, vjedhja etj, dhe kjo është mesatare, sepse lëshimi pe nën këtë nivel nënkupton ekstremitet kundër fesë ndërsa shtrëngimi i tepërt nënkupton ekstremitet ndaj njerëzve.

Ja kështu pra disa njerëz në emër të civilizimit bashkëkohor, demokracisë, globalizmit e plotë e përplot ideologjive tjera, duke mos e njohur natyrën dhe esencën e kësaj feje dhe qëndrimet e saja mesatare na akuzojnë për ekstremizëm, duke mos vërejtur kështu se në fakt ata po tregohen ekstrem ndaj nesh. Ne jemi, në fakt, ata që e luftojmë çdo lloj ekstremizmi jo për shkak të ideologjive të përkohshme me të cilat jetojmë por për shkak se ekstremizmi atakon drejtpërsëdrejti natyrshmërinë dhe esencën sublime të fesë sonë të ndritur.

Deri në javën e ardhshme, Es selamu alejkum