M.Sc. Gëzim Zeqiri
Në gjuhën shqipe, shumë shpesh përdoret terminologjia e gabuar. Ky fenomen vërehet jo vetëm në fjalimet dhe shkrimet e zakonshme, apo jo-profesionale. E njëjta gjë vërehet edhe në literaturën shkencore, madje edhe në tekstet universitare. Pse ndodhë kjo ?
Përdorimi i gabuar i termave ndodh për disa arsye. Një nga faktorët ndikues në këtë fenomen është përkthimi i gabuar. Në shumë raste, duke dashur që të gjinden emërtime të reja të cilat përshkruajnë një objekt apo dukuri, huazohen fjalë të ndonjë gjuhe tjetër. Gjuha nga e cila huazohen më së shumti terma, është gjuha angleze.
Por, përshtatja e termave të tillë në gjuhën shqipe shpesh bëhet në mënyrë të gabuar. Si pasojë e këtij lloj jo-profesionalizmi në përkthim, vjen deri te ngatërrimi i terminologjisë.
Në Shqipëri, shumë herë ngatërrohen termat “recesion” dhe “recension”.
Në fjalor, Recesioni “ paraqet rënien e aktivitetit ekonomik, uljen e prodhimit; shprehje eufemike për krizën”1 . Ky term shpeshherë ngatërrohet me termin “Recension”. Siç dihet, recensioni është “vlerësim kritik me shkrim për një vepër artistike, për një punim shkencor, për një shfaqje, etj.”2
Siç mund të shihet, këto dy terme nuk janë aspak të njëjta, madje ato përshkruajnë diçka plotësisht të dallueshme e të ndryshme.
. “Rëndom ndër gazetarë dhe spikerë televizivë dëgjon apo lexon që ata e shqiptojnë apo e shkruajnë "REÇENSION"!”3 . Kjo tregon për paditurinë elementare ekonomike, si dhe për pakujdesinë e personave të tillë për këtë problem. Mënjanimi i këtij gabimi absurd do të mund të bëhej mjaft lehtë. Do të mjaftonte pak kohë për të shikuar në fjalorin e gjuhës shqipe dhe gabimi do të zhdukej.
Por, problemi nuk qëndron vetëm te gazetarët apo te spikerët që u përmendën. Logjikisht, gabimi i tillë lëshohet edhe nga mbikëqyrësit dhe redaktorët e lajmeve, madje edhe më tepër se kaq. “Termin ""REÇENSION" e përdorin në vend të termit "RECESION" edhe disa nga specialistët që thirren në emisione televizive për ta analizuar krizën. Deri edhe bankierë kemi dëgjuar të shprehen "REÇENSION"! “4
Vërtet është e tmerrshme se sa larg shkon problemi i ngatërrimit të termave të ndryshëm. Dëmi shkon aq larg, saqë në mendjen e popullatës mund të ketë keqkuptime të mëdha. Po ashtu, një dëm i pamasë i bëhet edhe gjeneratave të ardhshme, të cilët do ta kenë shumë të vështirë të dallojnë termet e sakta nga ato të gabuara.
PSEUDO - INTELEKTUALIZMI
Një tjetër faktorë i cili nxit përdorimin e gabuar të termave, është pseudo-intelektualizmi. Disa individë, duke dashur që të duken më të mençur, përpiqen që pothuajse çdo fjalë shqipe ta zëvendësojnë me një fjalë të huaj. Në këtë mënyrë, ata mendojnë se duke folur sa më paqartë, do t’i duken publikut më të mençur.
Shembuj të tillë të ndërrimit të fjalëve shqipe me fjalë të huazuara janë shumë të paarsyeshme, madje të pafalshme, ngase e dëmtojnë rëndë gjuhën e pastër shqipe. Rrjedhimisht, ky lloj bastardimi i gjuhës shqipe e vështirëson komunikimin ndër-shqiptar, si dhe e rëndon kuptimin logjik të kësaj gjuhe. Në vend të këtyre termave të huaj, shumë lehtë do të mund të përdoreshin fjalë shqipe, të cilat e kanë kuptimin e njëjtë.
FJALËT E HUAJA – TË PANEVOJSHME
Përdorimi i shumë fjalëve të huaja në gjuhën shqipe është plotësisht i panevojshëm. Kjo për faktin se ekzistojnë fjalë shqipe të cilat plotësisht e kanë kuptimin e duhur.
Si ilustrim mund t’i marrim disa raste të përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja. Në tabelën 1 është bërë krahasimi mes fjalëve të duhura shqipe, me fjalët e huazuara dhe burimin e tyre.
Tabela 1: Fjalët më të përdorura në shqip që janë huazuar nga anglishtja dhe/ose gjuhë tjera 5
Fjala e duhur shqip |
Fjala e huazuar në përdorim |
Fjala burimore e huazuar |
Burime/Pasuri njerëzore |
Resurse humane |
Human resources |
Dërgesat monetare të emigrantëve |
Remitanca |
Remittances |
Ekonomikë |
Ekonomiks |
Economics |
Këshilli drejtues |
Bordi i menaxhmentit |
Management board |
Kushtet e dhënies së kontratës/punësimit |
Termat e referencës |
Terms of reference |
Konkurrim |
Aplikim |
Apply/Application |
Lakorja |
Kurba |
Curve |
Para e gatshme/Arka |
Kesh |
Cash |
Pasuri/Mjete |
Asete |
Assets |
Rendiment/Rezultat |
Performancë/Autput |
Performance/Output |
Shoqatë Afariste |
Asociacion i Biznesit |
Business Association |
Vendosje/Përndarje |
Alokim |
Allocation |
Veprimtari |
Aktivitet |
Activity |
Siç shihet në tabelën 1, fjalët e huazuara të cilat përdoren shumë shpesh në ekonomi, e kanë zëvendësimin e tyre me fjalë të plot-kuptueshme shqipe. Atëherë, shtrohet pyetja, pse të përdoren fjalët e huaja, nëse flasim shqip ?
Përdorimi i këtyre termave të huaj nuk ka kurrfarë arsyetimi. Përkundrazi, një gjë e tillë është pengesë në komunikimin ndër-shqiptarë. Po ashtu, injorimi i fjalëve shqipe përballë fjalëve të huaja, është një goditje e rëndë për vetë gjuhën shqipe. Vargu i dëmeve shkon edhe më larg. Futja e termave të huaj në literaturën shkencore e bën të vështirë nxënien e lëndës për studentët, e në veçanti për ata që nuk e njohin gjuhën angleze.
LITERATURA SHKENCORE
Përdorimi i termave të huaj dhe termave të gabuar nuk e ka kursyer as literaturën shkencore. Në librat shkencorë mund të vërejmë shembuj të tillë. Për ta argumentuar këtë, do të analizohet libri i ekonomisë i titulluar: “Hyrje në Ekonomi”, i cili do siç do të shihet, është një përkthim shumë i keq nga gjuha angleze. Që në fillim të librit, ende pa filluar leximin e tij, do të vërejmë se në Pasqyrën e Lëndës gjinden shumë terma të huaj e të gabuar. Te nëntitujt e pasqyrës së lëndës përdoret termi “ekonomiks”6 – në vend se të përdoret termi i saktë “ekonomikë”. Ky gabim përsëritet disa herë. Po ashtu, shpesh përdoret termi “kurbë”7 - e që do të duhej të ishte “lakore”. Pastaj pse të përdoret termi “ekuilibër”8 , kur “kjo fjalë me burim nga gjuhët neolatine mund të
zëvendësohet me fjalën baraspeshë” 9.
Po të fillohet me leximin e tekstit të këtij libri, do të vërehen edhe më shumë terma të tillë.
Gabimet në pasqyrën e lëndës së një libri janë shumë të rënda dhe të paarsyeshme. Ato përçojnë mesazh të gabuar te lexuesi, si dhe mund të krijojnë huti dhe ngatërrim të koncepteve.
Por, çka do të ndodhte në rastet kur gabime të tilla bëhen edhe në Titujt kryesorë të librave shkencorë ?! Mund ta paramendoni ?!
Në realitet, tituj te tillë ka me bollëk. Të përmendim këtu disa tituj të dhënë nga autori Isa Mulaj:
- Menaxhimi i resurseve humane (shqip: Qeverisja e burimeve/pasurive njerëzore )
- E drejta biznesore ndërkombëtare (shqip: E drejta afariste ndërkombëtare )
- Matematikë për biznes dhe ekonomiks (shqip: Matematika për afarizëm dhe ekonomikë )
- Shtegtimi i Unionit Europian (shqip: Rrugëtimi i Bashkësisë Evropiane )
- Management: Menaxhmenti kreativ dhe lidershipi (shqip: Qeverisja kreative dhe udhëheqja/drejtimi. Bënë edhe Menaxhmenti por jo Management).
Vërtetë është për t’u çuditur se si ka mundësi që të lejohen botime të tilla, duke pasur parasysh se sa gabime të tmerrshme përmbajnë në titujt e tyre.
TERMINOLOGJIA NË GAZETA
Përveç literaturës shkencore, terminologjia e gabuar përdoret edhe në artikuj gazetash. Madje, gabimet e tilla janë edhe më të shpeshta, e shumë më të mëdha. Si ilustrim do të përmenden disa gazeta. Duke pasur parasysh natyrën e këtij eseu, do të analizohen vetëm rubrikat e ekonomisë.
Si shembull të terminologjisë së papërshtatshme mund të përmendet gazeta “Lajm” e cila në një artikull10 të vetëm, lëshon terme të tilla si: disproporcion (shpërpjesëtim), relevante(të rëndësishme), implemetohet(zbatohet), retrospektivë(prapavështrues, që i përket të kaluarës), subvencione(ndihma), etj.
Të gjitha këto fjalë janë të huazuara nga gjuha angleze. Në vend të tyre mund të përdoren fjalët shqipe të cilat u theksuan në kllapa.
E njëjta gjë ndodhe edhe në gazetat tjera. Në gazetën “Express”11 të datës 25 dhjetor 2010, vërehen gabime të dukshme në terminologji. Në rubrikën e ekonomisë, flitet për “Manipulimin” që po e bëjnë furrtarët. Termi “manipulim”( nga gjuha angleze: Manipulation) shumë lehtë do të mund të zëvendësohej me fjalën shqipe “mashtrim”. Në të njëjtin artikull mund të vërehet edhe termi “intervenim” në vend se te thuhet “ndërhyrje”.
TERMINOLOGJIA NË LIGJET E KOSOVËS
Vargu i problematikës së terminologjisë së gabuar vazhdon edhe më tej, duke u përfshirë edhe në ligjet e shtetit. Në ligjin nr. 03/l-209 Për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Neni 35 Kompetencat dhe detyrat e Bordit të Bankës Qendrore, thuhet se ky bord “1.8. emëron Auditorin e Jashtëm të Bankës Qendrore”12 . Natyrisht, termi “auditor” është përdorur gabimisht, sepse do të duhej të ishte auditues, ose edhe më mirë, të përdorej termi shqip “kontrollor”.13
Në të njëjtin ligj, te Neni 10 përmendet termi “Asete” në vend se të thuhet “Pasuri”. Në nenin 28 / 2, thuhet “...raporte të aprovuara”, në vend se të thuhet “të miratuara”14 . Në nenin 55 / 2.1 të ligjit në fjalë, thuhet: “ekuivalente” në vend se të thuhet “I barasvlershëm”15 . Në nenin 56 “Alokimi i të ardhurave të ndashme”16 , në vend të termit “alokimi”, do të duhej thënë “Shpërndarja”. Neni 74 i të njëjtit ligj është emërtuar “Konfidencialiteti”, në vend se të përdoret fjala shqipe “Mirëbesimi”. Me shembuj të tillë të kulturës së ultë të përdorimit të terminologjisë, mund të vazhdohet thuajse pafundësisht.
Gabimet e tilla jo vetëm që tregojnë për jo-profesionalizmin e hartuesve të ligjit, por po ashtu kanë edhe pasoja të rënda. Si mund të gjykohen rastet e ndryshme në Gjykata, nëse ekzistojnë ligje të tilla me përplot gabime terminologjike ?! Në fakt, ligjet e tilla mund të bëhen të pazbatueshme, për shkak se nuk janë të shkruara qartë. Me përdorimin e pasaktë të terminologjisë, mund të vijë deri te kundërthëniet në mes të ligjeve. Nëse njëri ligj e përdor një term shqip, kurse tjetri ligj një term nga gjuha angleze, atëherë paqartësia e krijuar mund t’i hutojë edhe avokatët dhe gjykatësit.
TERMINOLOGJIA E FJALORËVE
Gjatë dyshimeve për domethënien e termeve të ndryshme, njerëzit e hapin fjalorin për t’u siguruar për domethënien e saktë. Natyrisht, fjalorët e ofrojnë këtë mundësi, sepse janë të krijuar për këtë qëllim. Por, çka do të ndodhte nëse gjatë kërkimit të një termi të saktë, kërkuesit hasin në gabime në fjalorë ?!
Vërtet, diçka e tillë është dëshpëruese, pasi që fjalori do të duhej të ishte burimi i fundit prej nga merren informacionet e sakta për terminologji.
Gjatë kërkimit të termit “auditues”, në një fjalor gjetëm se përdorej gabimisht termi i huaj “auditor”17 . Vërtet, gabimi i tillë është mjaft i rëndë, pasi që fjalori do të duhej të ishte shumë i saktë.
Për fund, themi se terminologjia ka rëndësi shumë të madhe. Kultura e përdorimit të terminologjisë, siç u pa më lart, është në një nivel mjaft të ultë. Terma të shumtë përdoren në formë të gabuar. Për shembull, u argumentua se termi “auditor” është përdorur gabueshëm në shumë raste. Në këtë rast, termi i saktë “auditues”, përdoret më rrallë.
Në të njëjtën mënyrë, terme të shumta janë huazuar nga gjuhët e huaja, e në veçanti nga gjuha angleze.
Gjuha shqipe është shumë e pasur me fjalë, pra ka një fjalor mjaft të gjerë. Prandaj, përdorimi i termave të huaj është i panevojshëm.
Megjithatë, në shumë raste edhe pse ekziston fjala e duhur shqipe, në vend të saj përdoret një fjalë e huaj. Diçka e tillë është e papranueshme, pasi që e vështirëson komunikimin ndër-shqiptarë, si dhe e bastardon gjuhën shqipe me fjalë të huaja. Pse të përdoren shprehjet e huaja: kurbë, ekuilibër, aset, e të tjera, në vend se të përdoren shprehjet e plotë-kuptimta shqipe: lakore, baraspeshë, pasuri, e kështu me radhë ?!.
Pasojat e përdorimit të terminologjisë së pasaktë janë të rënda. Nga analiza e termave të gazetave, u pa se në to përdoren terma të shumtë të pasaktë, si dhe të huazuar nga gjuhët e huaja. Një gjë e tillë është e dëmshme në radhë të parë për lexuesit e gazetave, sepse në këtë mënyrë krijohet një fjalor i gabuar dhe i stërmbushur me fjalë të huazuara. Rrjedhimisht, lexuesit e gazetave të ndryshme, mund të ndihen të hutuar nga ekzistimi i termeve të ndryshme të cilat e përshkruajnë të njëjtin koncept. Po ashtu, lexuesit ndikohen nga termat e huaj të përdorur në gazeta, ashtu që te ta krijohet fjalori i mbushur me fjalë të huazuara. Një gjë e tillë e dëmton shumë gjuhën shqipe.
Përveç gazetave, siç u argumentua, terminologjia e mangët përdoret edhe në literaturën profesionale – shkencore. Në veçanti, vërehen terme të huazuara nga gjuhët e huaja, me gjithë ekzistimin e termave shumë të qartë në gjuhën shqipe.
Vërtet, diçka e tillë është vështirësi e madhe në nxënien e mësimit nga studentët. Termet e huazuar nga gjuhët tjera kuptohen me vështirësi në rastet kur studentët nuk e njohin mirë gjuhën nga e cila janë huazuar termet.
Po ashtu, përdorimi i terminologjisë së gabuar u vërejt edhe në ligjet e Republikës së Kosovës. Pa u ndalur shumë në termet e huazuara nga gjuhët e huaja, në ese u analizua termi i gabuar “auditor”, term ky i cili përdorej në ligjin e analizuar në ese. Nga ky shembull shihet se sa larg shkon problemi i terminologjisë. Nuk do të ishte çudi e madhe nëse një ditë shohim deputetët e Parlamentit të Kosovës duke u ndarë në dy grupe: në disa që flasin për “auditues – kontrollor”, dhe të tjerët që flasin për “auditorin – sallën me dëgjues”.
Në rastin më të keq, njëri grup do të fliste për “recesionin”, përkatësisht për ekonominë, kurse grupi tjetër për “recensionin”, përkatësisht për letërsinë.
1 Ndreca, Mikel: “Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja”, Rilindja, Prishtinë, 2000, f. 596
2 Ibid, f. 595
3 http://www.telegrafi.com/?id=49&a=128&komentet=1
4 http://www.telegrafi.com/?id=49&a=128&komentet=1
5 Mulaj, Isa: “S’ka zhvillim të qëndrueshëm pa standardizimin e terminologjisë së ekonomisë në gjuhën shqipe”
6 Ahmet Mançellari, Sulo Hadëri, Dhori Kule, Stefan Qirici: “Hyrje në Ekonomi”, Tiranë, 2000, “Pegi”, f.III
7 Ibid
8 ibid
9 Shaban Kelmendi, “Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj”, Mitrovicë, 2000, f.23
10 http://www..gazetalajm.info/ekonomi/3935-Stavileci-Prioritet-sektorit-drithrave.html
11 http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,14,44148
12 http://www.assembly-kosova.org/?cid=1,191,444
13 Axhemi, Zyhdi: “Fjalor – Fjalë dhe terma nga lëmia e shërbimit doganor”, f.13
14 Shaban Kelmendi, “Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj”, Mitrovicë, 2000, f.11
15 ibid
16 http://www.assembly-kosova.org/?cid=1,191,444
17 Kaceli, Luan: “Fjalor Xhepi”, botues “Gervis”, f.162