Ngadhënjimi i së vërtetës në tokën e faraonëve

 

Dr. Shefqet Krasniqi

 

Për herë të parë, pas shumë muajsh pritje e vuajtje, publiku pati rastin ta shohë presidentin e izoluar, Dr. Muhamed Mursi. Edhe pse i burgosur, ai megjithatë u shfaq krenar dhe madhështor si gjithmonë. Doli para gjykatësve për të dëshmuar madhështinë e personalitetit të njeriut të formësuar, të matur, e besimtar.

Me krenari vazhdimisht përsëriste se është vullneti i popullit të tij që e bëri dhe kërkon që ai të jetë president. Ai është i zgjedhuri. Ai nuk duhet të gjykohet. Atij duhet t’i lirohet rruga që të vazhdojë të ecë tutje me vullnetin e popullit. Puçi është imponim. Është dhunë ndaj vullnetit të popullit dhe shtypje e së vërtetës. Puçi është pretendim i rrejshëm se kinse situata, aktuale, po e do kështu.

Çuditërisht, gjykimi i tij filloi në muajin Muharrem, muajin e parë të kalendarit hënor, muajin e fitores dhe ngadhënjimit të së vërtetës mbi të kotën. Ky muaj shënon përvjetorin e fitores së Musait [alejhiselam] mbi Faraonin, fitore e njeriut dashamirës e paqedashës mbi njeriun ‘bishë’ i cili, rreth 3700 vite më parë, impononte pushtetin e tij të hekurt ndaj popullatës së pambrojtur. Bile edhe likuidonte secilin që ‘i dilte përpara apo ia turbullonte ujin’.

Faraoni i periudhës së Musait a.s., Ramses II, konsiderohet një ndër kasapët më të mëdhenj të historisë së njerëzimit. Arroganca e tij cekët edhe nëpër librat e shenjta. Ai harroi Zotin dhe fuqinë e pakrahasueshme të Tij. Mirëpo Allahu i madh ia solli fundin me fundosje në det, atij dhe tërë ushtrisë e tij, Ramses II u fundos i fundit gjersa shihte ushtarët kah i mbyteshin një nga një, e kjo ngjarje padyshim konsiderohet një ndër ngjarjet më interesante dhe të veçanta të historisë njerëzore.

Kështu, si falënderim ndaj Zotit që ua hoqi qafe këtë zullumqar, Musai a.s. e agjëroi këtë ditë, më pas edhe populli i tij vazhdoi ta agjërojë këtë ditë. Mu për këtë, Pejgamberi ynë, Muhamedi [alejhiselam], gjithashtu e agjëroi këtë ditë dhe porositi pasuesit (umetin) e vet ta agjërojnë atë. Kjo për faktin se me shkatërrimin e mizorëve dhe përfundimin e pushteteve të kobshme gëzohen banorët e qiejve dhe të tokës.

Është interesant se Egjipti ka pasur shumë faraonë por edhe zullumqarë, përfshirë të atillë që eliminonin kundërshtarët e tyre politik si Muhamed Ali Pasha, me origjinë shqiptare, Naseri e Mubaraku. Ndërsa krejt në fund na shfaqet edhe faraoni i kohës moderne, Abdulfetah Sisi, i cili vret dhe masakron popullin paqësor e duarthatë, duke ekzekutuar në mënyrë brutale mbi një mijë protestues, shumica e të cilëve gra e fëmijë, dhe atë para syve të botës ‘demokratike’.

Së këndejmi, gjatë periudhës së tij bashkëkohore padyshim se Egjipti njohu vetëm një sundimtar të butë, të qetë e të urtë, pra Muhamed Mursin. Por si duket shumë kë e paska penguar një pushtetar i butë e i dashur për popullin në Egjipt, ndaj dora ogurzezë nuk arriti dot ta përballonte që Egjipti të ecë përpara. Andaj edhe e hoqën, madje edhe e burgosen nën akuzat e rrejshme ndër më të rëndat.

Ah sa e padrejtë dhe e verbër është bota, atë që i kishte duart e zhytura me gjakun e të pafajshmëve mbi tridhjetë vite, Husni Mubarak, e liruan ndërsa atë që e zgjodhi populli, me votën e lirë, që jetonte thjeshtë në mesin e popullit duke mos pranuar në asnjë mënyrë të dallohej prej tij, e rrëzuan bile edhe po e akuzojnë rëndë. Ec e pritë ditë të mira në këtë lloje bote. Apo ndoshta këtë afërsi të madhe, mes tij dhe qytetarëve, nuk mund ta përballonin dot të tjerët për rreth, “vëllezër, shokë, miq e komshi”, të cilët ishin mësuar që në Egjipt të dëgjohet zëri i një njeriu, assesi zëri i popullit.

Të pyetët vetëm një, të përgjigjet vetëm një, ndërsa të tjerët të qëndrojnë në vrimën e miut përndryshe u vërsulet ‘shpendi grabitqar’. E kur në Egjipt filloi të flasë populli, përmes të zgjedhurit të vet, kur atje erdhi ai që punonte për popullin, jo për xhepa e as për interesa individuale apo klanore, por për interesa të popullit, atëherë bënë çmos, blenë gjithçka që blihet e që nuk blihet, shpenzuan miliarda, vetëm e vetëm që ta rrëzojnë dhe ia dolën.

Më sa po duket edhe në vendin tonë dikë po e pengon stabiliteti dhe qetësia. Përndryshe si mund të shpjegohet lejimi strukturave paralele që veprojnë lirshëm në veri të vendit, të cilët kanë krijuar një lloj “hizbullahi” që operon ilegalisht brenda një shteti të njohur ndërkombëtarisht dhe atë midis Evrope, madje në prani të mijëra forcave ndërkombëtare të sigurisë. Si mund të shpjegohet mungesa e sigurisë së mjaftueshme vendore dhe ndërkombëtare ndaj qendrave të votimit, kur veç pritej të ketë probleme? Sa kohë u dashtë të shpenzohej për të ardhur deri tek zgjedhjet në tërë vendin dhe mu ata që thirrën për ato zgjedhje, thirrën njëkohësisht edhe për bisedime me hasmit tanë, tash lejuan të prishet apo dëmtohet ky proces?

A thua vallë më i fortë qenka Brukseli apo “hizbullahi” i veriut pas të cilit qëndron Serbia? Sipas kësaj logjike po del se Brukseli nuk qenka i aftë të kontrollojë disa dhjetëra apo qindra militantë e çetnikë në një vend ku në esencë Brukseli pretendon se duhet të punohet sa më shumë për përforcimin e sundimit të ligjit.

Këto kalkulime po na përfytyrojnë një tablo të ngjashme me atë që u tha se në Egjipt dikujt nuk i konvenoi stabiliteti, si duket edhe disa ‘miqve tanë’ nuk po i konvenon stabiliteti e qetësia në tërë vendin tonë. A thua ka tendenca që të përsëritet një Bosnje e dytë. Kështu pra na qenka bota, e po kështu edhe demokracia, për dikë nënë e për dikë njerkë.

Besoj se ka ardhur koha të mos mbajmë shumë shpresë tek të tjerët, por t’i përvjelim duart e t’i përvishemi punëve vet. Allahu na e ruajt Kosovën tonë nga çdo e ligë, por edhe Egjiptin dhe popullin e tij të pambrojtur. Allahu e ndihmoftë çdonjërin që i shkelën të drejtat, dhe çdo vend ku nënçmohen të mirët e ngritën të ligjtë. Amin ... dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër, selam alejkum..