Ministër Dardan Gashi, a je lodhë?

 

Amir B. Ahmeti

 

Normalisht kur s’punon edhe nuk lodhesh, por jo pse nuk ke punë por për shkak se ti nuk je i punës dhe dorën në zemër sot e zbulova se ti paske gajle tjera, ty po të pengojnë besimtarët e Kosovës që çdo ditë e më shumë po praktikojnë besimin e tyre.

Një fjalë popullore thotë “kur ke n’ge shtin ruza n’pe” e ti ministër Gashi maksimalisht je duke e jetësua këtë fjalë popullore, madje edhe merresh me punë të kota dhe etiketime të nivelit më të ultë, por nuk çuditem sepse nuk kam prit më shumë prej teje. Ti para një kohe ke ndërpre edhe punimet me leje komunale të një tempulli të lutjes, ke ndaluar ndërtimin e xhamisë në Veternik të Prishtinës pa kurrfarë argumenti, vetëm se ke pak pushtet në dorë. Edhe për ligjin kundër zhurmës ke dhënë shembull të keq por për atë çështje kam shkruar më herët. E tani nuk mundem me paramendu se çfarë je në gjendje të bëshë po të kishe më shumë pushtet në dorë?!

Krejt kjo, lexues të nderuar e ka zanafillën te miza që po ju rrin mas veshi disa pseudointelektualëve dhe qeveritarëve të cilët kanë ra viktimë e një dezinformimi të gazetës express, e cila ka ndryshuar dhe deformuar një opinion timin që është botuar dje në të përditshmen Tribuna me titull “Alarm! Muslimanët e Kosovës në rrezik nga antiteistët”, poashtu edhe portalet e tjera si indeksonline.net, ekuiliber.com, mesazhi.com etj. e kanë postuar në portalet e tyre opinionin tim origjinal të pandryshuar ashtu si ua kam dërguar personalisht. Derisa gazeta express nuk e ka botuar të plotë opinionin tim, që lexuesit të njoftoheshin drejt me atë opinionin, por vetem ka marre pjesë nga shkrimi im dhe atë duke e ndryshuar termin kryesor të shkrimit që prej titullit dhe krejt në vazhdim, e kuptohet se ky deformim i qëllimshëm i gazetës express ka ngjallur reagime. Menjëherë i kam shkruar redaksisë së gazetës express me shumë mirësjellje që ta përmirësojnë artikullin e tyre por nuk kanë reaguar fare.

Si rezultat, viktima e parë e këtij dezinformimi të gazetes express bie ministri Dardan Gashi, i cili me një shkrim të tij sot më akuzon për shkrimin dhe në mënyrë të paskrupullt më quan fashist. Do të ju duket e çuditshme nëse e dini se krejt kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të ndryshimeve të një termi që unë i akuzoj vazhdimisht e ata janë antiteistët.

Kështu gazeta express këtë term e ndryshon në krejt artikullin rreth opinionit tim dhe e bënë se kinse unë po i sulmoj ateistët duke e fshehur se unë po i sulmoja antiteistët dhe dallimi është mjaft i madh.

Nëse ministri Gashi është ateist, askush deri sot nuk e ka penguar e as pas sotit nuk do ta pengoj në mosbesimin e tij e veçanërisht nga unë që jam i besimit islam. Ngase besimi im më mëson se: “Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)!” (Kur’an, 109:6).

Kështu që ministri Gashi shpresoj ta kuptoj se është ngutur me deklarimin e tij dhe fyerjen që më ka bërë dhe njëherit pasi që ky mister terminologjik u zbulua atëherë pres prej tij që të më kërkoj falje publike. Përndryshe unë e ftoj prokurorinë që të merret me akuzat fyese dhe denigruese të ministrit Gashi, i cili ofendon rëndë një qytetar të Republikës së Kosovës.

Por për fund edhe diçka; nëse ministri Gashi është antiteist dhe fshihet pas petkut të ateizmit në mënyrë që më lehtë të fyej besimtarët aëherë ia paftë hajrin artikullit tim të mëhershëm dhe njëherit ia bëjë me dije atij dhe të gjithë antiteistëve të tjerë se nuk do të ndalem kurrë së luftuari me shkrimet e mia këta racistë e nazistë që po terrorizojnë besimtarët e Kosovës e veçmas ata musliman.

Shpresoj së shpejti në Kosovë të kemi ligjin kundër blasfemisë për t’i dënuar sulmet, akuzat e pabaza të antiteistëve dhe fyerjet që po ua bëjnë besimtarëve. Deri atëherë me shkrimet e mia do të vazhdoj të mbroj bindjen time fetare, dinjitetin dhe identitetin tim.

(autori është deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës)