Parimet tona

 

Dr.Shefqet Krasniqi

 

Kur dëgjoj dikë që ma fyen dhe ma lufton fenë, vjedh pasurinë e shtetit, mashtron qytetarët, si do të mund ta dua atë! Druaj se me vret Zoti po ta bëjë një gjë të tillë!

Ne, në asnjë mënyrë, nuk mund të bëjmë kompromis me askënd kur është në pyetje interesi i fesë, ashtu siç nuk pajtojmë të bëjmë kompromis kur është në pyetje interesi i vatanit.

Çështja e ezanit edhe më tej vazhdon të jetë mjaft aktuale në gjithë vendin. Kjo çështje, pa pasur nevojë fare, është bërë temë diskutimi në parlament e qeveri, e në veçanti nëpër media, ndaj meqë për besimtarët ezani është prej gjërave esenciale nuk na mbetet zgjidhje tjetër vetëm se të reagojmë.

Por reagimi ynë ndaj atyre që votuan leximin e parë të ligjit kundër zhurmës, ku ezani trajtohet si zhurmë akustike, u keqinterpretua nga disa medie, si zakonisht siç dinë mediet tona të bëjnë gallatë pa farë përgjegjësie. Ndaj reagimi ynë u interpretua si fillim i një distancimi dhe kundërveprimi ndaj VV-së, të cilën, sipas tyre, ‘gjithnjë e paskam përkrahur, paskam lobuar dhe paskam folur mirë për të’. Votimi i deputetëve të tyre në favor të këtij projektligji është marrë si shkas që të parafrazohet një lloj çarje apo fronti në mes nesh dhe VV-së. Sigurisht këtij paragjykimi i ka shërbyer edhe një reagim i yni në emisionin tonë të rregullt televiziv javor “Rruga e ndriçuar”. Madje disa individë, që kryesisht shquhen për nguti dhe mendime e deklarata të pamatura, shkuan deri atje sa që u shprehen se ne jemi bërë të atillë që i ndryshojmë parimet dhe qëndrimet ndaj çështjeve të caktuara mëngjes e mbrëmje. Me këtë rast, dëshiroj tu rikujtojë të gjithëve, qofshin medie apo individë, se parimet dhe qëndrimet tona as nuk janë tepër të ngurta që të bëhen de-mode e as tepër elastike që, siç thotë populli, të mos presë sëpata asnjëherë në një vend.

Ne, falë Zotit, çdo qëndrim tonin mundohemi ta ndërtojmë mbi bazat e interesit fetar dhe kombëtar, interesit shoqëror dhe atij mbarënjerëzor. Mbi këtë parim i zhvillojmë edhe ligjëratat, mësimet, këshillat, fetvat, intervistat, deklaratat dhe tërë jetën tonë. Nga ky kontekst nuk ka gjykim të përhershëm ndaj njerëzve apo subjekteve të ndryshme. Fillimisht mund të kemi mendim të mirë për dikë, por posa ta shohim se ai/ajo ka shkelur haptas normat fetare dhe njerëzore, se ka punuar apo vepruar kudër interesit shoqërorë, atëherë, fillojmë të formojmë mendim tjetër ndaj tij/saj. Por edhe e kundërta, mund të kemi mendim jo edhe aq pozitiv ndaj ndokujt, për shkak të qëndrimeve apo sjelljeve të tij apo saj, por posa ta shohim se ai/ajo fletë dhe vepron në të mirë të fesë, vatanit dhe interesit shoqërorë në përgjithësi, atëherë, ne e ndryshojmë mendimin tonë karshi tij/saj.

Kjo ka ndodhur më shumë se një herë dhe besoj se do të ndodhë prapë në të ardhmen. Ndaj, një gjë e këtillë besoj se mund të shikohet si hezitim, papjekuri apo qëndrim kontrovers vetëm për ata që nuk e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë realitetin. Mendoj se kjo mënyrë e veprimit është e duhur dhe e qëlluar, sepse rrethanat gjithmonë ndryshojnë e së bashku me to ndryshojnë edhe njerëzit dhe qëndrimet e tyre, madje njerëzit vazhdimisht ndryshojnë, qoftë pozitivisht apo negativisht sepse fazat e jetës ndryshojnë dhe vet jeta është ndryshim. Andaj edhe qëndrimet duhet të ndryshojnë, në veçanti kur kanë të bëjnë me rrethanat, qëndrimet apo sjelljet tashmë të ndryshuara të njerëzve. Po ashtu edhe feja por edhe edukata jonë familjare na mëson se nuk ka urrejtje të përhershme, ashtu siç nuk ka dashuri absolute. Sot mund ta duash dikë pa masë por nesër kur ta kuptosh më mirë realitetin e tij/saj mund edhe mos ta pëlqesh dhe e kundërta.

Andaj kur dëgjoj dikë që ma fyen dhe ma lufton fenë, vjedh pasurinë e shtetit, mashtron qytetarët, si do të mund ta dua atë! Druaj se me vret Zoti po ta bëjë një gjë të tillë. Mu për këtë, kur kam dëgjuar p.sh. ndonjë lider a politikan se ka folur mirë, fjala vjen për shaminë, atëherë e kam përkrahur atë pa hezitim, pavarësisht se cilit subjekt politik i përket. Dhe e kundërta, kur kam kuptuar kush e konsideroi ezanin zhurmë akustike dhe votoi për ta ndaluar atë, natyrisht se më ka prekur thellë në shpirt dhe jam mërzitur shumë, ashtu siç janë mërzitur e prekur qindra mijëra shqiptarë mysliman gjithandej nëpër botë ndaj edhe kemi reaguar.

Ne në asnjë mënyrë nuk mund të bëjmë kompromis me askënd kur është në pyetje interesi i fesë, ashtu siç nuk pajtojmë të bëjmë kompromis kur është në pyetje interesi i vatanit, andaj edhe kam dalë haptazi nga dita e parë e nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë duke e quajtur atë “marrëveshja famkeqe”, sepse e kam kuptuar që dëmi është shumë më i madh sesa dobia dhe se Kosova humbë shumë e fiton pak. Ky reagim nuk ishte punë ezani, por punë vatani, por megjithatë kam reaguar dhe do të vazhdojë edhe më tej të reagoj gjithherë duke i ruajtur dhe përmbajtur të njëjtave parime mbi të cilat e kam ndërtuar jetën dhe lus që kështu edhe ta takoi Zotin tim.

Ndaj ne nuk do të ndalim reagimet e aktivitet e tona vetëm pse, fjala vjen, një portali i teket të manipulojë me deklarata tona. Në veçanti kur kemi të bëjë me portale të atilla që nga dështimi kanë humbur shansin e të qenit gazetë e shkruar dhe tashmë tentojnë të fitojnë lexues e klikime falë aftësive të tyre për të manipuluar e keqcituar deklaratat e të tjerëve.

Meqë jemi te ezani edhe një herë dua t’i falënderojë ata që kanë qenë kundër atij projektligji dhe kërkoj nga të gjithë deputetet që mos ta votojnë atë projektligj nëse nuk hiqet nga aty konsiderimi i ezanit si zhurmë. U japim fjalën të gjithë atyre që votojnë kundër ezanit se jo vetëm ne, por gjithë shqiptarët muslimanë do të jenë kundër tyre përderisa ata vazhdojnë me qëndrime të këtilla të paskrupullta në drejtim te fesë. Dhe për fund u bëjmë me dije se ezani nuk do të ndalet, por do vazhdoj të thirret ashtu siç ka qenë këtu e 15 shekuj, me emër të Zotit. Allahu e drejtoftë këtë qeveri dhe mbarë këtë shoqëri, amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.