Azem Vllasi
Në vend se të rrënohet, objekti i jashtëligjshëm i Kishës ortodokse serbe në kampin universitar të Prishtinës më mirë të shndërrohet në një muze kushtuar viktimave të luftës.
Kishës Ortodokse Serbe, në kampin universitar të Prishtinës, historia ia ka dedikuar fatin që të jetë muze e jo objekt fetar.
Ideja që të rrënohet nëse është jashtë planit urbanistik dhe pa leje ndërtimore nuk është e mirë, sepse do të kishte pasoja politike për shtetin tonë dhe për imazhin e pushtetit ku dominojmë ne shqiptarët e besimit islam. Apo ndoshta edhe kjo temë së fundi po bëhet pjesë e fushatës parazgjedhore duke u fokusuar te një shtresë e votuesve në rritje.
Që kjo godinë është ndërtuar në kundërshtim me rregullat ligjore për urbanizëm dhe leje ndërtimore të vlefshme para vitit 1990, dhe është në kundërshtim të plotë me rregullat urbanistike të tanishme të Prishtinës, dihet fare mirë. Vendimi për ndërtimin e saj ishte me motive politike e jo fetare të pushtetit okupues. Dhe ata që mendojnë se është ide që të prishet, kanë mundur këtë ta bënin menjëherë pas luftës, apo qe 15 vjet.
Ky objekt, edhe ashtu, në rrethana të reja është i papërshtatshëm për lutje të besimtarëve ortodoksë serbë, edhe për shkak të lokacionit ku gjendet.
Por është mirë që t’i ndërrohet dedikimi. Duhet të shndërrohet në muze të viktimave të luftës. Në muze të “Holokaustit kosovar, shqiptar”.
Pse nuk është e mirë ideja që të rrënohet? Para së gjithash, kjo as që do të ndodhë, sepse nuk do të lejojnë miqtë tanë perëndimorë. Prandaj, nuk bën që me ide të parealizueshme njerëzit e elitës së pushtetit dhe të politikës sonë, qendrore apo lokale-komunale, të merren me ide boshe, të japin autogola, siç bëjnë shpeshherë.
Për imazhin e shtetit tonë laik, për traditën tonë të shquar të tolerancës ndërfetare, edhe vetëm të folurit për rrënim të ndonjë kishe, xhamie apo objekti tjetër fetar, qoftë edhe i ndërtuar jashtë planeve urbanistike dhe pa leje ndërtimore, do të ishte porosi e keqe.
Popullata (shqiptare) e Kosovës dominuese është e besimit islam. Por kemi vëllezër katolikë e ortodoksë që vendin e lutjes, Zotin, e kanë kishën, e shenjën e besimit kryqin. Miqtë tanë ndërkombëtarë (perëndimorë), përkrahës të shtetit tonë, janë të krishterë.
Me çfarëdo preteksti, rrënimi i një kishe, që nënkupton edhe heqjen e kryqit, jo që nuk do të pritej mirë, por do të shkaktonte zemërim. Kështu do të ndodhte edhe tek ne të besimit islam po të rrënohej ndonjë xhami dhe të hiqej minarja bashkë me gjysmëhënën me yll.
Serbët e Kosovës, bashkështetasit tanë, do ta përjetonin një gjest të tillë me zemërim, edhe pse e dinë historikun e “kishës universitare” dhe nuk mendojnë kurrë që të shkojnë të luten aty. Reagimi i tyre do të kishte konsekuenca politike, të dëmshme për shtetin tonë dhe për raportet ndëretnike.
Pushteti në Beograd, i cili mirë e di se fati i kësaj “kishe universitare” është sikur edhe fati i politikës së Milosheviqit lidhur me Kosovën, mezi do të priste të ndodhte një akt i tillë dhe shumë do t’i gëzohej. Me shpejtësi do të dërgonte imazhe televizive në mbarë botën me pamje të ekskavatorëve të angazhuar nga shteti që të rrënojnë një kishë, objekt të tyre fetar. Vend qendror do të merrte pamja e heqjes së kryqit. Sikur ai imazhi nga ngjarjet e 17 marsit 2004, ku shihet një djalosh në maje të kishës, me fanatizëm, duke u munduar që ta hiqte kryqin.
Pamjet e rrënimit të kishës do të përcilleshin me tregime për pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë në anë të ekstremistëve islamikë. Do të rikujtohet vërejtja e State Departmentit amerikan qytetarëve të vet për kujdes gjatë udhëtimeve eventuale për festat e Krishtlindjeve në Kosovë nga rreziku i ekstremistëve islamikë. E tjera, e tjera. Nuk di a do të kishte në botë ndokush mirëkuptim se kjo kishë po rrënohet nga mungesa e lejes ndërtimore dhe shmangia nga normat e planit urbanistik. Në Kosovë apo në Prishtinë, ku dihet se gati një e katërta e të gjitha ndërtimeve janë pa leje ndërtimore e urbanistike, ndër to ka edhe xhami.
E ja pse është mirë që ky objekt të shndërrohet në “muze të viktimave të luftës”. Të gjitha viktimave, pa dallim etnie. Edhe Serbët e Kosovës kanë dalë viktima të politikës së kohës kur është ndërtuar kjo “kishë universitare”.
Para së gjithash, sepse është në një hapësirë urbanistike e dedikuar për fakultete, institute, biblioteka muze dhe institucione të ngjashme që lidhen me dije, shkencë, traditë, histori… Pastaj, vetë objekti është dëshmi e keqpërdorimit dhe instrumentalizimit të Kishës Ortodokse Serbe për politikën antishqiptare që shteti serb bëri në të kaluarën. Madje Kisha Ortodokse Serbe ishte edhe promotor i një politike të tillë dhe kurrë nuk u distancua nga ajo dhe nga krimet ndaj shqiptarëve.
Kisha në qendrën universitare të Prishtinës simbolizonte qëllimet e shtetit të Serbisë kundër arsimit shqiptar. Në rrethin e kampusit universitar në Beograd, Nish, a Novi - Sad nuk ka kisha të tilla. Në kampusin e Universitetit të Prishtinës për 15 vjet askujt nuk i shkoi mendja që aty të ndërtonte xhami, sepse, sipas planit urbanistik, aty nuk ka vend as për kishë, as për xhami.
Me një agjendë-kurikul para hyrjes në këtë “muze-kishë”, shumëçka do të shpjegohet.
Eksponatet e shumta (fotografi, videoxhirime, dokumente të shkruara, faksimile nga punimet historike, vrasja e Jasharëve në Prekaz, masakrat e civilëve në Izbicë, Mejë, kolonat e të përndjekurve drejt Maqedonisë, Shqipërisë, dokumente nga varrezat masive me kufoma të viktimave të luftës, fati i viktimave të pagjetura, shtëpitë e xhamitë e djegura, videoxhirimet e dëshmive mbi masakrimet e civilëve, videoxhirimet nga gjykimet në Hagë me dëshmi dhe prova autentike gjatë gjykimit të Milosheviqit dhe kriminelëve të tjerë serbë…), do të zënin vende gjithandej në brendinë e këtij “muzeu-kishë” unikat. Pse jo, në një pjesë edhe dëshmitë dhe eksponatet e viktimave serbe të luftës, dëshmitë e të zhdukurve, të kidnapuarve serbë. Edhe ata ishin viktima të politikës së Milosheviqit dhe të Kishës Ortodokse Serbe, e cila mbi propagandimin e mitit mbi Kosovën “djepin serb” inkurajoi krimet mbi shqiptarët, e në fund iu kthye si bumerang vetë serbëve.
Vështirë se dikush mund ta kundërshtonte një vendim që ky objekt, në vendin ku është, e ka një destinim tjetër - SI MUZE, por jo SI KISHË. Si muze i krimeve që u nxitën dhe u kryen, përveç motiveve të tjera, edhe për motive fetare. Ky objekt, kur u ndërtua, u pagëzua si “Kisha e shpëtimit të shenjtë” (“Crkva Svetog Spasa”). Kinse, për nder të “shpëtimit të serbëve” që ua solli regjimi i Milosheviqit duke përgatitur gjenocid kundër shqiptarëve. Në çfarë shpëtimi u kthye ajo politikë, të gjithë e dimë.
Pasi që një dedikim i këtillë “kishës universitare” nuk do t’i pëlqente KOS, ajo së paku vetë do ta hiqte kryqin në majë, që mezi e patën vendosur atëherë. Dhe kështu, tamam edhe me pamjen që ka, objekti do t’i përshtatej një “muzeu të krimeve”.
Vendimi eventual për një ide të tillë duhet të merret pasi që të studiohet dhe të vlerësohet mirë nja njerëz dhe institucione kompetente, pa zhurmë në opinion. Nuk është mirë që as pushteti komunal i Prishtinës e as ministri i Ambientit të bënin zhurmë përmes mediave dhe të shkaktonin polarizime lidhur me këtë çështje të ndjeshme, pa një studim të mirë dhe vendim meritor. Madje, pushteti komunal i Prishtinës as që duhet të merret me këtë punë.