Dr.Shefqet Krasniqi
Nga komentet e shumta që arrita të lexojë për vrasjen e Elvis Pistës, Allahu e pastë mëshiruar, u ndjeva dhe ndihem thellësisht i prekur. Një qytetar ngushëllonte veten dhe gjithë Kosovën duke thënë se kjo që i ka ndodhur Elvisit mund t’i ndodhë secilit prej nesh. Me fjalë të tjera, përmes këtij ngushëllimi komentuesi në fjalë mundohej ta shprehte mungesën e sigurisë në vend. U preka fort. Menjëherë mendja më shkoi tek organet shtetërore të cilat, jo që nuk kanë bërë sa duhet, por si duket u mungon vullneti apo ndoshta edhe guximi e kompetencat për të bërë diçka më shumë në lidhje me sigurinë në vendin tonë.
Fushatat elektorale u vërshuan nga retorika boshe për kinse zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës, ndërsa harruan fare sigurinë, pa të cilën zhvillimi nuk ka asnjë vlerë. Në fakt, është dëshmuar se tek ne shkak i dekadencës ekonomike, para së gjithash, është edhe mungesa e sigurisë. Ka shumë investitorë të huaj, të cilët kanë ikur nga Kosova për shkak të pasigurisë. Mendoj se defekti nuk qëndron vetëm në atë se vendi ynë njihet si vend i haraçit, korrupsionit e vjedhjes, por defekti kryesor qëndron në atë se gishti për këto dukuri u drejtohet pikërisht atyre që do të duhej t’i luftonin këto dukuri negative. Pushteti, në të gjitha instancat, është i prekur nga korrupsioni. E tani jemi në prag të formimit të një qeverie, e që ende nuk po dihet se kush do ta formojë atë dhe kush do të jetë në krye të saj. Pavarësisht nga kjo, në shtetet e zhvilluara fare pak ka rëndësi kush është kryeministër, apo kush formon qeverinë, kjo për faktin se të gjithë kanë një qëllim, një vizion, një synim: të punojnë në të mirë të popullit dhe ta zhvillojnë shtetin sa më shumë. E neve, besoj, për të arritur këtë stad na duhet ende shumë kohë dhe vetëdijesim i madh.
Sido që të jetë, është esenciale që qeveria e ardhshme ndër prioritetet e saja parësore ta ketë sigurinë, bile në krye të listës. Vërtetë është e neveritshme dhe njollë e zezë e tërë kombit tonë që edhe më tej të ketë vrasje politike, është dobësi dhe ligshti që njerëzve t’u vuhet haraç, t’u vidhet pasuria mu në mes të ditës, madje të vriten njerëzit në vetëmbrojtje apo mbrojtje të pasurisë së tyre, sepse kjo i bije se tek ne dominojnë njerëzit mbi ligjin, respektivisht bandat. Kjo nënkupton se tek ne po iu qase politikës, iu rreke biznesit apo po bëre pasuri, ka mundësi të të shkojë koka. E çfarë shteti mund t’i thuhet atij shteti në të cilin janë prezent këto dukuri?
Prandaj nëse duam ta forcojmë shtetin, nëse duam të punojmë për shtet, sigurinë duhet ta vendosim në radhë të parë. Sundimin e ligjit duhet forcuar. Nuk guxojmë të kemi ‘mëshirë’ ndaj krimit dhe kriminelit, mëshira ndaj tij është plagë e rëndë e shoqërisë, moszbatimi i ligjit u hap rrugën të këqijve, të sëmurëve shpirtërisht, të cilët janë oportunist shikojnë vetëm vetën e tyre, interesin personal qoftë edhe në dëm të tjerëve. Ne nuk jemi popull i Skandinavisë, ku për shkak të vetëdijes së lartë edhe ligji është më i butë, ne jemi njerëz tjerë, kemi tjera gjene, tjetër gjak, andaj edhe ligjet duhet të jenë tjera.
Nëse e kuptojmë këtë dhe pajtohemi me të, atëherë do ta kuptojmë më mirë dhe më lehtë pse Islami solli ligje shumë të buta, në njërën anë, kurse në anën tjetër solli ligje shumë të rrepta. Kështu në rastin e vrasjes me paramendim, të planifikuar, sikur që ndodhi me Elvisin, vrasësi duhet ekzekutuar, ngase është vrasje e qëllimtë, me paramendim, është vrasje tinëzare, andaj nuk ka mëshirë aty, sepse mëshira ndaj krimit dhe kriminelit është zullum dhe padrejtësi për masën e gjerë, ngase më pas trimërohen kriminelët dhe përhapet krimi. Si mund t’i komentojmë ndryshe rastet kur shumë hajna e kriminel i zë policia, duke rrezikuar jetën e vet, por pas një procedure të shkurtër, kriminelët lirohen dhe ndoshta të njëjtën ditë krimineli e takon policin i cili pak më herët ia dorëzoi atë shtetit në pranga, ai qesh me policin dhe tallet me të. Apo qëndron në burg disa muaj dhe më pas lirohet dhe prapë kthehet në zanatin e vjetër. Tërë kjo vjen si rezultat i mungesës së sundimit të ligjit dhe marrjes së masave të rrepta ndaj krimit dhe kriminelëve.
Nuk do mend se edhe edukimi ka një rëndësi shumë të madhe në sigurinë e qytetarëve, sepse me edukim vetëdijesohen njerëzit, së paku një numër i madh i tyre, e kuptojnë shenjtërinë e gjakut të tjetrit, pasurisë së tij dhe kështu me radhë, e që kjo nënkupton se edhe ministria e arsimit ka një pjesë të fajit, sepse është bartëse e misionit dhe përgjegjëse për edukimin e brezave të ri. E edukimi i mirëfilltë kurrë nuk ka mundësi të realizohet pa u futur lënda fetare edukative nëpër shkolla publike. Ndryshe është kur gjërat mësohen si teori e thatë, e ndryshe kur ato përjetohen shpirtërisht dhe bindet njeriu. Andaj të gjitha këto që u përmenden dhe shumë probleme tjera mbesin sfidë për qeverinë e ardhshme së cilës i urojmë sukses. Dhashtë Zoti që gjithmonë të na udhëheqin njerëzit e mirë, të cilët punojnë për shtetin dhe shoqërinë, e jo të ligjtë të cilët shkatërrojnë të dyjat. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.