Ermir Hoxha
E ka trazuar sërish opinionin personazhi me emrin Lavdrim Muhaxheri, kosovari nga Kaçaniku, që lufton në Siri, i cili vetëshfaqet në një foto, si ekzekutues me prerje koke i një të riu.
Impakti i parë, ka qenë ai sikur kokëprerja që ka realizuar Muhaxheri, ka qenë sefte në këtë botë, e padëgjuar dhe e panjohur si formë ekzekutimi; dhe e bërë për sport. Madje, prej zellit nacionalist, u shkua deri aty sa të deklarohej (nga Isa Mustafa), se shqiptari nuk pret koka(!!!) (po këmbë e duar? po thyerje nofullash e brinjësh? ç`ofron tradita e luftimeve pra?!), deklaratë që ngacmoi individë të caktuar, të cilët, në rrjete sociale ia behën menjëherë me publikimin e një ish-ushtari të UÇK-së që pozon me kokën e prerë, afërmendsh të një krimineli serb; madje dhe duke u ngërdheshur. Dhe ditë pas kësaj gurguleje, Muhaxheri poston një mesazh ku bën një vërejtje, sikur të ishte specialist komunikimi: “ju nuk e dini çfarë ka bërë ai!”, duke lënë të nënkuptuar se viktima nuk ka qenë një qengj i pafajshëm me të cilin ai është englendisur kriminalisht. Dhe në fakt, e gjithë kleçka qëndron jo tek akti në vetvete, por tek aspektet komunikative, që zakonisht, janë ato që vendosin çmimin real të gjërave në këtë botë, sesa aktet vetë, të mira apo të liga qofshin. Vetë zelli që ka Muhaxheri për t`ia servirur botës veprimet e tij në frontin e luftës, është një idiotësi më vete, derisa nuk e kupton me minimumin e inteligjencës që, nga realiteti ku ai ndodhet, nuk vlen të dërgohen mesazhe në realitete krejt të tjera, me diferenca ekstreme.
Muhaxheri na është shfaqur një superlubi e pashpirtësisë për kontekstin tonë social, por nëse do ta vendosnim atë dhe aktin e tij në realitetin e para 15 viteve në Kosovë, do ishte krejt i përligjur, po të llogarisim llahtarat e serbëve me kosovarët. A nuk ndodh me njeriun, biles atë më paqësorin, më të ndjeshmin dhe më humanin që, kur dëgjon për një krim të rëndë, të kërkojë po ashtu ndëshkimin më të rëndë për autorin, si: Të varet! Të përvëlohet me vaj të nxehtë! T`i pritet mishi copa-copa! Dhe kjo, jo domosdoshmërisht në luftë, por ndodh dhe në kushte paqeje, mjaft që krimi te jetë monstruoz. Mendo pastaj për rrethana lufte. Muhaxheri është në luftë e jo në plazh, ku në vend të shalqinit, shkon e pret një kokë njeriu!
Përballë realitetit të Sirisë e asaj çfarë ofron Muhaxheri si individ, është Gaza. Pamjet që vijnë prej aty, nuk janë më pak makabre; madje më shumë, ku prej sulmeve izraelite, shfaqen foshnja e fëmijë gjymtyrëkëputyur, kafkëçarë e me tru të dalë jashtë, por askush nuk thotë për Netanjahun dhe Izraelin atë që thotë për Muhaxherin.
Që ka ca gjëra që nuk shkojnë në aktet e Muhaxherit, kjo po dihet; por që po ashtu, çalon rëndë dhe gjykimi mbi të. Përndryshe, nëse ai, më së pari do i përcillte botës telegrafikisht, një info mbi krimet e viktimës, përdhunimet që ai mendohet se ka bërë, e më pas të ish shprehur se vendosi ta ndëshkojë duke i marrë jetën, pa e specifikuar se me ç`mënyrë dhe pa asnjë foto shoqëruese, jo ndoshta, por sigurisht që do na ngjante me një hero!
Mos vallë, më shumë sesa një kriminel, Lavdrim Muhaxheri është thjesht një idiot në Public Relations?!
"Opinionet e autorëve nuk paraqesin doemos edhe opinionin e redaksisë së portalit Shembulli.com"