Justinian Topulli
Ai që i ka ndjekur me vëmendje kronologjinë e lajmeve që lidheshin me çështjen e ekstremizmit këto ditë në Kosovë, e kupton fare lehtë, sesi merren të tilla vendime politike, juridike... etj. që të bindin akoma më shumë sesa pak të përgjegjshëm dhe të paurtë, janë ata që na udhëheqin.
Ashtu si shumica e hoxhallarëve në trojet shqiptare, edhe ne kemi qenë kundra vajtjes në Siri e pjesëmarrjes në luftë atje të shqiptarëve, për disa arsye, mes tyre pikërisht edhe për shkak të këtyre pasojave që po ndodhin sot. Një pjesë nuk na kanë dëgjuar, përkundrazi disa na kanë sharë, ofenduar deri edhe me fjalë banale, madje na kanë akuzuar, çuditërisht të vetëbindur, se pikërisht ne qëndrojmë pas arrestimeve të këtyre muslimanëve! Të përpiqesh t'i mbushësh mendjen se nuk është kështu dhe se qëndrimet tona janë parimore, fetare dhe në përputhje me atë që gjykojmë se është më e mira, është një mision gati i pamundur. Pikërisht edhe për këtë situatë kaq mosbesuese, konfuze dhe polarizuese që është krijuar mes nesh, ata nuk duhet të kishin ikur atje. Sot ne ndodhemi para faktit të kryer, arrestime -show- masive në Kosovë dhe para disa muajsh disa të tilla në Shqipëri. Këto arrestime do ta shtojnë edhe më shumë polaritetin dhe do të thellojnë konfliktin mes besimtarëve. Dhe sikur vetëm kjo pasojë të kihet parasysh, çdo njeri i drejtë do ta kuptojë se pse ne nuk jemi aspak dakord me të tilla metoda represive nga shteti, ashtu siç edhe kemi qenë kundra vajtjes në Siri, si një nga shkaqet e para që sjell të tilla pasoja negative të pritshme.
Një fjalë e urtë popullore, që shpreh në fakt një normë fetare, thotë: "ik qarë, se nuk du zarar", ndërkohë kjo situatë që është krijuar, duhet thënë: "bir, Selman i nënës, kë të qaj më parë?!" Të qajmë për ata që shkuan, e për ata që u arrestuan, e për këtë fitnen që është hapur mes nesh, apo për këto veprime që bëjnë këta farë politikanësh, që nuk e kuptojnë ose s'duan ta kuptojnë që të tilla operacione dhe të tilla metoda vetëm se e përkeqësojnë situatën?! E vërteta është se do t'i qajmë të dyja njëherësh! E dimë se, shumë nuk do të na kuptojnë, dhe do të kërkojnë pozicionime të tipit: ose me ne, ose kundra nesh! Por, për ne e drejta, prevalon mbi çdo individ, qoftë kjo mbi vëllazërinë muslimane apo nënshtrimin ndaj pushtetit, ndaj themi: gabim vajtja në Siri, gabim dhe arrestimet. Se cili është më i madh dhe cili më i padrejtë, kjo çështje nuk është objekt i këtij shkrimi të shkurtër.