Për cilin terrorizëm e keni fjalën?

 

Burhan Seferi

 

Është harruar Kim Kardashiani. Si duket, Lavdrim Muhaxheri po thyen rekordet e leximit dhe shikueshmërisë, saqë, rrallë gjen portal i cili nuk e shfrytëzon emrin e tij për të tërheq syrin e vizitorëve drejt interesave të redaksisë.

Nuk ka njeri në botë, vetëm se dëshiron që njëherë e përgjithmonë, ekstremizmi të zhduket nga çdo skaj i botës, por kjo bëhet e vështirë kur civilizimet kanë kundërshtime rreth definicionit të ekstremizmit. Për ta sulmuar njëra tjetrën, si kombet, ashtu edhe partitë, shfrytëzojnë terme të ndryshme rreth ekstremizmit, edhe atë për disa arsye: Ose për interesa kombëtare shtetërore, ose për interesa partiake, ose për defokusim të situatës, ose për sulm të ndonjë armiku që e kanë, ose ose...

Pesë vitet e fundit, e gjithë atmosfera në Kosovë dhe Shqipëri, ka qenë atmosferë e cila ka lundruar në mes armiqësimit ekstrem të "arabizimit" dhe miqësimit ekstrem ndaj "perëndimit".
Gjithçka që ka të bëjë me botën arabe, qoftë islame ose jo, i është mbyllur dera dhe me gojën plot, i është thënë: Ju nuk jeni të mirë se ardhur këtu. Ndërsa gjithçka që ka të bëjë me botën perëndimore, qoftë krishtere ose jo, i është hapur dera dhe me gojën plot, i është thënë: Dyert janë të hapura, veproni çfarë të doni.

E marrim si fakt vetëevidentues se terroristët që bredhin nëpër Evropë janë të gjithë musliman. Nuk është e befasishme kjo, duke marrë parasysh se rastet e terrorizmit në Evropë që nga eksplodimet e Madridit më 7 korrik, u kryen nga të rinj muslimanë. Shto kryetitujt e gazetave ditore për "kërcënimin musliman", zbulimet rutinë të "komploteve terroriste" të përgatitura ose në përgatitje e sipër dhe natyrisht që e tërë kjo fillon të duket si një e vërtetë vetëdëshmuese.

Megjithatë, të vërtetat vetëdëshmuese - kam arritur të kuptoj nga përvoja ime, shpeshherë dalin të jenë false nëse i nënshtrohen hulumtimit të mëtutjeshëm kurioz.
Faktet janë si vijon. Më 2006, 498 incidente të klasifikuara si "sulme terroriste" ndodhën në Bashkimin Evropian. Pikërisht 424 sish ishin sulme të organizuara nga "terroristët separatistë", si grupi bask ETA, i cili operon në Spanjë dhe në Francë, dhe ishin kufizuar brenda rajonit të Baskisë dhe Korsikës. Vetë ETA e pranoi përgjegjësinë për 136 prej tyre.
Grupet aktive majtiste dhe anarkiste në Gjermani, Greqi, Itali dhe Spanjë kryen dhe 55 sulme të tjera prej tyre. Shumica e këtyre rasteve rezultoi me dëme të kufizuara materiale dhe nuk kishin pasur vrasjen si qëllim.

Vetëm njëri, ai i organizuar nga ETA në Madrid, ishte vdekjeprurës dhe rezultoi me dy fatalitete.

Ku e kanë vendin terroristët muslimanë në gjithë këtë situatë? Nëse kjo i brenë në zemër çdo shqiptari i cili është kurioz rreth situatës në kohën tonë.

Ekstremistët musliman ishin përgjegjës për një sulm të vetëm në Gjermani. Më 31 korrik, dy valixhe me mjete eksploduese u vendosën në trena rajonale të Këlnit. Valixhet dështuan detonimin. Dy persona të nacionalitetit libanez u arrestuan dhe u akuzuan. Të dyshuarit deklaruan se ishin nxitur nga kontraversiteti i karikaturave daneze. Si shtesë, ishin edhe dy sulme të tjera të planifikuara, njëri në Danimarkë dhe tjetri në Britani, që të dy gjoja të dështuara. Ato as nuk figurojnë në totalin e 498-shit.

Statistikat e tilla vijnë nga Raporti për Situatën dhe Trendin e Terrorizmit në Bashkimin Evropian (TE-SAT), 2007, publikuar nga një burim i sigurt i Zyrës së Policisë Evropiane apo Europoli. Raporti deklaron se terrorizmi nuk është fenomen i ri në Evropë, porse konteksti i tij ka ndryshuar. Ai ka dy veti të reja: është transnacional dhe karakterizohet nga "eksternaliteti", që nënkupton se veprimet e ndërmarra nga një shtet kanë implikime për shtetet tjera. Për shembull, masat e sigurimit të ndërmarra nga një shtet mund të shmangin sulmin terrorist në një shtet tjetër.
Përveç të ashtuquajturit "terrorizëm islamik", raporti identifikon dy tipa të tjerë të terroristëve: "etno-nacionalistët dhe grupet separatiste", siç janë ETA dhe Partia Punëtore - Kurdistan, si dhe grupet majtiste terroriste, si Lufta Revolucionare e Greqisë.

Përderisa terroristët muslimanë preokupojnë tërë hapësirën dhe vëmendjen e mediave, shumica dërrmuese e sulmeve të intensitetit të ulët kundër bizneseve dhe qeverive, ashtu siç tregojnë statistikat, kryhen aktualisht nga terroristë të cilët nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin.

Islami, megjithatë, figuron më së shumti kur vjen fjala tek arrestimet. Shtatëqind e gjashtë persona u arrestuan vetëm për një vit për dyshim pjesëmarrjeje në aktivitete të ndërlidhura me synime terrorizmi në Bashkimin Evropian. Nga kjo, 257 prej tyre ishin qartazi muslimanë Mirëpo, kësaj ne duhet po ashtu t'i shtojmë numrin e 156 arrestimeve britanike, ngase Britania, pohon Raporti, nuk ofroi detaje për arrestimet e të dyshuarve, me arsyetimin e gjykimeve të pafinalizuara. Pra, kemi 413 muslimanë, më shumë se gjysma e totalit të përgjithshëm të arrestimeve - të arrestuar në Evropë për akuza terroriste.

Raporti i Europolit e bën të qartë se muslimanët janë përgjegjës vetëm për një proporcion të vogël të terrorizmit në Evropë, por siç shihet, ata kanë propabilitetin më të lartë për tu arrestuar me dyshimin për terrorizëm.

Në Britani, një mjekër e gjatë dhe një shami, inspiron për terrorizëm, kjo nuk është vetëm në Britani, por kohëve të fundit, e ndjenë me të madhe në Kosovë.

Në Francë dhe Spanjë, nëse jeni maroken, tunizian ose algjerian, është e mjaftueshme të klasifikoheni si terroristë.

Në Gjermani dhe Holandë, të flasësh turqisht është ekuivalente me deklarimin e synimeve terroriste.

Në Norvegji, Anders Breiviku, vrau 69 civil të pafajshëm, menjëherë pas kësaj vrasje masive, qeveria norvegjeze theu dyert e muslimanëve duke i akuzuar si vrasës dhe terroristë, por pastaj u kuptua se pas vrasjeve qëndron një i krishterë i cili vret në emër të krishterizmit.

Sot në Kosovë, propaganda krishtere ndjehet në çdo skaj të vendit, por asnjëherë nuk lidhet me Breivikun krishter dhe Millosheviqin, ndërsa kur është në pyetje Islami dhe thirrja në këtë fe, e gjithë propaganda bëhet duke i shfrytëzuar veprat e personave që i bëjnë 2000km larg Kosovës.

Vetëm në Kosovë, një hoxhë arrestohet si "inkurajues" për terrorizëm dhe shkuarje në Siri, e pastaj lirohet me arrest shtëpiak. A ka ndodh kjo në ndonjë shtet perëndimor? Si mundet që inkurajuesi për terrorizëm të qëndron në shtëpi ndërsa terroristët të arrestohen?

Arrestohen persona dhe rasti para se të del në gjykatë, mediat e gjykojnë se janë arrestuar terroristët, ndërsa në mesin e tyre kishte edhe prej atyre që as nuk falen? Për cilin terrorizëm e keni fjalën?

Nëse Kosova i ka shpallë luftë terrorizmit, këtë luftë duhet ta fillojë në Mitrovicën veriore, ku terroristët serbë po terrorizojnë shqiptarët që jetojnë aty, e pastaj të futet në institucionet qeveritare, të cilat "po terrorizojnë" qytetarët me vjedhje, krime, tenderë, keqpërdorime dhe çka nuk bije ndërmend. E pastaj ta luftojë "terrorizmin mediatik" që po terrorizon shqiptarët me TOP LAJME të përditshme se çfarë ndodhë në Siri, po punë e madhe! Personat i kanë hedhur pasaportat dhe nuk duan të jenë kosovarë! Është e drejta e tij personale ashtu si është e drejta e çdo shqiptari në Evropë i cili ka marr nënshtetësi të ndonjë vendi Evropian dhe nuk e ndjen veten si shqiptarë, a mos duhet të merremi ne edhe me veprat e tyre se çfarë bëjnë në Evropë? Kujt po intereson, pos biznesit mediatik për të fituar lexime dhe nëpërmjet leximeve të fiton sponsorë dhe të holla nga burime të ndryshme financiare?

Po tmerrohemi nga e gjithë kjo atmosferë, na lini rehat të jetojmë, pa i përdor termet qesharake, saqë edhe fëmijët kanë filluar të pyesin: Për cilin terrorizëm e keni fjalën?