Lajm nga Prishtina: shpërthen “muhaxherizimi” i flamujve!

 

Ermir Hoxha

 

Imagjoni një grup artistësh, posaçërisht muzikantë, si dhe adhurues të një muzike të kultivuar plot shije, që dalin e protestojnë kundër turbofolkut në ofensivë, me pretendimin se po kryhet një mizori në formimin shpirtëror të njerëzve, po i shkatërron, po i degradon, po kryen një masakër sidomos ndër rini, duke iu heq ndjeshmërinë e lartë estetike e duke u mbjellë në shpirtëra farëra të këqija personaliteti, që të nesërmen e tyre do rezultojë i cungët e harbut. Dhe si akt final në këtë reagim, kanë djegjen e…ca fletëve pentagrami, prej nga buron ajo palo muzikë. Por nuk vërejnë se, fletët e djegura përmbajnë etydet e Vivaldit ose simfonitë e Bethovenit.

Sillet ky shembull hipotetik, në funksion të qartësimit se ç`budallallëk me brirë ka gjasë të përhapet ndër njerëz kudo në planet, të cilët po rreken të ndëshkojnë ISIS-in, duke ja djegur flamurin publikisht, meqë morri fund dhe meseleja globale e ujit me akull mbi kokë, e arena e marrëzive të përbotshme ka një boshllëk për momentin . Ndodhi s`pari në Liban, e më pas - nuk dihet se për ç`arsye - ky trapllëk njerëzor duhej vijuar me Kosovën; e pagëzuar e tillë – pra trapllëk – vetëm si akt djegje flamuri, pa i hyrë fare si, kujt dhe për ç`arsye.

Djegja e flamurit, është një ndër aktet më të pastra të një ndëshkimit kolektiv, që përfshihet ndër padrejtësitë më të mëdha që mund t`i bëhet qenies njerëzore. Nuk nuk mund të djegësh flamurin e një shteti a kombi, derisa me atë identifikohen dhe njerëz pa asnjë përgjegjësi direkte në një ngjarje që ka dëshpëruar dikë. Sociologjikisht, djegja e një flamuri, as nuk futet ndër recetat për zgjidhjen e një problem a ngërçi, por është tipikisht mishërimi i paradigmës se kur nuk ke ç`i bën gomarit, i bije samarit.

Flamuri i djegur i ISIS-it në Prishtinë, nuk ka asnjë ISISllëk si flamur; përkundrazi, përmban një kredo tejet njerëzore besimi, që e ndesh tek çdo popull a besim, në ngjyresa të ndryshme, ndërkohë që akti i atyre të rinjve, ngjante më tepër me prirjen për të ekuivalentuar trapllëkun mizor të një farë Lavdrim Muhaxheri, pa e kuptuar të përfunduarit në anën tjetër të së njëjtës medalje. Ata të rinj, që për nga inteligjenca rezultojnë më poshtë se Coli i hedhur i pafajshëm i Debatikut, nuk bën gjë tjetër atë ditë në Prishtinë, veçse promovuan “muhaxherizmin” e flamujve.