Mos i lejoni ata të na vrasin!

 

Justinian Topulli

 

Arrestohen hoxhallarë me akuza bombastike, sepse sipas tyre këta njerëz kanë bërë:

1.Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste!
2.Nxitje e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik!
3.Rekrutimi për terrorizëm!
4.Shtytja për kryerjen e veprave terroriste!
5.Gjatë predikimeve nëpër xhami, kanë përcjellë mesazhe tek persona të ndryshëm që t'u bashkëngjiten grupeve terroriste si Al Nusra e ISIS!

Po fakte s’ka! Ku janë provat dhe faktet? Prova s’ka!

Ah, harrova!

Ekziston dyshimi se...! Ekziston dyshimi se...! Ekziston dyshimi se...!

Po është fakt se, ata kanë mbledhur të holla dhe ua kanë shpërndarë të varfërve, jetimëve...

Po është fakt se kanë mbledhur të holla dhe kanë kontribuar për xhami...

Po është fakt se kanë mbledhur të holla dhe kanë bërë iftare e bamirësi...

Mirëpo kjo u quaka pastrim parash! Organizim i pastër për terrorizëm!

Po ka fakte se kanë folur nëpër xhami e në vende të tjera dhe kanë predikuar që të mos shkojnë në Siri. 

Mirëpo kjo qenka nxitje për të shkuar atje, por ne s’kuptojmë gjë!

Ata që i stisën akuzat e dinë më mirë këtë gjë!

Po ka fakte se janë kërcënuar me vrasje nga simpatizantë të ISIS-it, sepse kanë dalë kundra tyre.

Mirëpo kjo, sipas atyre që i kanë montuar këto akuza tregon se, ata kanë shtyrë njerëzit t’i bashkohen ISIS-it!

Po është fakt se ka prej tyre që janë veteranë të luftës së Kosovës, madje dhe që kanë vuajtur në burgjet e Serbisë për lirinë e kësaj cope Shqipëri.

Mirëpo akuzuesit po e dinë më mirë se kjo është parapërgatitje për terrorizëm! 

Ciceroni do të ulërite duke thënë: O tempora o mores!

Që e gjitha kjo zallamahi dhe histeri anti-islame është një flluskë sapuni, këtë e dinë mirë ata që e kurdisën, por se çfarë kërkohet të provokohet me këtë edhe ne e dimë shumë mirë.

Këta njerëz duan të na vrasin! Po po, duan të na vrasin!

Duan që ne të mos predikojmë më askund fenë tonë!

Duan që ne të mos shtohemi!

Duan që ne të mos jetojmë më të lirë në këto troje!

Duan që ne t’i kemi frikë hijes tonë!

Duan të na izolojnë nga pjesa tjetër e shoqërisë!

Dhe që ta bëjnë këtë ata duan të na provokojnë, që ne vetë në përhumbje e sipër t’i përmbushim akuzat që lexuat më sipër. Duan të na irritojnë, nxisin dhe tërbojnë, ashtu siç tërbohet kafsha që kërkohet preteksti për ta vrarë.

Dhe e gjitha kjo, jo se ata i përkasin fesë së krishterë, apo perëndimit. Jo ata nuk janë të tillë.

Ata janë ish-komunista! Ata janë ateistë të tërbuar! Ata janë laikë e agnostikë që u ka humbur pusulla! Ata janë kameleon që u ka humbur identiteti! Ata janë interesaxhinj që s’kanë as din e as iman! Ata janë njerëz që shesin çdo kë, edhe atdheun e tyre, për të justifikuar fondet që u vjedhin të huajve! Ata në fakt nuk na urrejnë ideologjikisht, sepse nuk u bie aspak ndërmend për fe dhe për hoxhallarë, ata thjesht na injorojnë. Ne për ta jemi vetëm mjet i përkohshëm për të përmbushur oportunizmin e tyre! Ata janë injorant që s’kuptojnë seç do të thotë fe dhe besim!

O Zot fali dhe udhëzoi, sepse ata nuk dinë se çfarë bëjnë!

O Zot mëshiroi dhe drejtoi, sepse ata janë të verbër!

O muslimanë ne nuk kemi probleme me këtë apo atë shtet! Ne nuk kemi probleme me këtë apo atë fe! Ne nuk kemi probleme me asnjë racë e komb në botë!

Ne kemi probleme vetëm me injorancën dhe injorantët!

Ndaj mos bini pre e injorantëve që duan të na vrasin!

Ruani gjakftohtësinë dhe lutuni Zotit t’iu japë durim dhe maturi! Mos i lini të paditurit të na vrasin me duart tona!

“Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo). Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij, ju të gjithë do të ndiqnit djallin, përveç një numri të vogël.” (en-Nisa: 83)  

Dëgjoni këshillat e hoxhallarëve dhe njerëzve të ditur të fesë dhe bashkohuni rreth tyre, sepse ata janë paria juaj, e mos bëni asgjë me kokën tuaj, sepse ndryshe do të thyeni urdhrin e Zotit për ju.