Vizita e Papës dhe servilizmi shqiptar

 

Mustafa Tërniqi

 

Siç dihet tashmë, arsyeja kryesore e vizitës se Papa Françeskut në Shqipëri (siç ka deklaruar vete ai) është për t’i treguar mbarë botës tolerancën dhe bashkëjetesën fetare dhe se mund të punohet së bashku e mund të ndërtohet një shoqëri me shumë besime fetare. Toleranca ndërfetare në Shqipëri është një fakt i vërtetë por nuk duhet të harrojmë se kjo është rrjedhojë e vullnetit të shumicës e cila përbëhet kryesisht nga muslimanët. Pikërisht këtu nis dhe qëllimi i Papës, qëllim të cilin qeveria shqiptare me dashje ose padashje e ka anashkaluar. Servilizmi i tepruar të bën të verbër ndaj shumë fakteve nga një anë, por dhe zhdukës të atyre fakteve në raste të tjera.

Kur shikojmë bulevardin “Dëshmorët e kombit” mbushur me fotografi gjigande të martirëve katolikë kuptojmë qartë kontradiktën mes qëllimit të vizitës së Papës dhe servilizmit të tepruar shqiptar. Po, është e vërtetë që Papa Françesku, nisur nga një kërkesë e ministrisë së kulturës do të shenjtërojë disa prej martirëve, fotot e të cilëve varen në bulevard, mirëpo në një vend laik si Shqipëria shenjtërimi i martirëve nuk bëhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” por në kishat përkatëse sipas riteve të fesë katolike. Kështu që qeveria shqiptare për të çuar në vend siç duhet dëshirën e Papës, e për të dhënë sa më mirë imazhin e vërtetë të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare duhet të vendoste dhe fotografitë e shumë klerikëve muslimanë të pushkatuar, zhdukur apo syrgjynosur me të njëjtën egërsi sikur figurat katolike. Duke mos u mjaftuar me këtë shteti shqiptar merr përsipër dhe shpërndarjen e byzylykëve të dorës, flamujve apo posterave të ndryshëm që predikojnë mesazhe fetare, duke flakur kështu – të paktën për një ditë – laicitetin e shtetit shqiptar dhe duke shfaqur se ata janë më katolikë se vetë katolikët. Ndërkohë sa herë që bie fjala për të drejtat e shumë muslimanëve në këtë vend, jo vetëm që nuk gjendet zgjidhja por shfaqet menjëherë islamofobia e tepruar kohët e fundit nën pretekstin e laicitetit të shtetit shqiptar.