Deja vu-ja e huliganizmit serb

 

Ermir Hoxha

 

Mbrëmja e së martës nuk qe diçka e re dhe e padëgjuar për serbët. Ajo qe veç një faqe tjetër e historisë së pambarimtë të huliganizmit serb, i cili, në të vërtetë, është veç një shfrim periodik i nacionalizmit. Në një stadium të tejmbushur me njerëz të mbrujtur me urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve, ku nuk bënin përjashtim as njerëzit me uniformë policore apo ushtarake, përndryshe të detyruar për të mbajtur rendin dhe qetësinë, u panë veç fytyra të xhindosura, u dëgjuan marshe çetnikësh dhe refrene që bënin thirrje për asgjësimin e shqiptarëve. Të përshkonte fushën në këmbë u pa dhe Ivan Bogdanov, personazhi arketipik i tifozëve serbë.

Të ashtuquajturit Delije dhe Grobari, dy grupet mbështetëse huligane përkatësisht të Crvena Zvezdës dhe Partizanit të Beogradit, dhanë shfaqjen më të fundit të terrorit dhe dhunës në fushën e futbollit. U deshën të kalojnë vetëm katër vite që të ripërsëriteshin skenat e para në stadiumin e Xhenovës. Më 12 tetor 2010 Italia u ndesh me Serbinë në kualifikueset për Europianin e 2012-ës, në një përballje që zgjati fare pak. Sendet e hedhura në fushë dhe djegia e flamurit shqiptar nga tifozët serbë i detyruan drejtuesit e takimit t’i tërhiqnin ekipet në dhomat e zhveshjes. 3-0 qe rezultati i dhënë në tavolinë Italisë.

Por historia nuk pati filluar aty. Tifozët serbë kanë një histori famëkeqe. Zagrebi u kthye në arenë beteje më 13 maj 1990. Serbët dhe kroatët u përplasën dhunshëm në takimin mes Dinamos së Zagrebit dhe Crvena Zvezdës, të zhvilluar në stadiumin Maksimir. Jo vetëm mbështetësit e klubeve, të indoktrinuar politikisht, por edhe lojtarët, u përfshinë në një përleshje të ashpër. Kjo qe shenja e parë paralajmëruese e asaj që do të ndodhte më pas në ish-Jugosllavi. Emblema e takimit u bë Zvonimir Boban, kapiteni i Dinamos, tek godiste policin jugosllav. CNN-i do ta përcaktonte shumë kohë më pas këtë takim si një prej pesë ndeshjeve të futbollit që ndryshuan botën.

Fillimi i viteve 1990 pa ardhjen në krye të mbështetësve të Crvena Zvezdës të Zheljko Raznatoviçit, të njohur si Arkani, që pasi ia doli të vendoste unitetin ideologjik brenda grupeve të ndryshme të tifozëve, krijoi një prej njësive të para paramilitare. Të njëjtën rrugë ndoqën dhe tifozët e Partizanit dhe Radit, edhe pse pjesëmarrja e tyre në aktivitete paramilitare qe në një shkallë më të vogël atëbotë. Huliganët e Beogradit, të famshëm për egërsinë e tyre, u bënë bashkë më 22 mars 1992, teksa në derbin e përjetshëm midis Crvena Zvezdës dhe Partizanit tigrat e Arkanit nisën të thërrisnin, “Mirësevini në Vukovar”, qyteti kroat i saporënë në duar të serbëve.

Më 28 shkurt 2008, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndodhi që Partizani dhe Efes Pilseni të kishin një ndeshje mes tyre në basketboll. Vetëm fakti që pjesë e ekipit turk ishte dhe basketbollisti shqiptar Ermal Kuqo, dhe që Turqia e njohu shtetin e ri, mjaftoi që përballja të merrte ngjyra të tjera. Nga gjashtë amerikanët e Efes Pilsenit, katër prej tyre nuk patën guximin të udhëtonin për në Beograd. Nën masa të jashtëzakonshme sigurie, nën mbikëqyrjen e pareshtur të policisë vendase, dhe nën një presion të jashtëzakonshëm, turqit u detyruan të luajnë me vetëm tetë lojtarë, pesë në fushë e tre në stol. Fishkëllimat e pafundme, kur në parket gjendej apo nuk gjendej Kuqo, sendet e hedhura në fushë, dhe thirrjet antishqiptare, qenë bashkëshoqëruese të lojës.

Në shtator të 2009-ës u rrah për vdekje në Beograd një tifoz i Tuluzit të Francës. Katërmbëdhjetë persona morën dënime me burg pas ngjarjes.

Në janar të 2012-ës, pas një ndeshjeje hendbolli të luajtur në Novi Sad, huliganët serbë sulmuan tifozët kroatë, shkatërruan makina e lanë pas të plagosur.

Lista e incidenteve të huliganëve serbë është e gjatë, por fati i keq këtë herë qe i shqiptarëve. Por më së paku këta të fundit i shpëtuan me pak gjë ortekut të dhunës të së frustruarve serbë. Kush e ka radhën tani? Këtë e ka në dorë UEFA. Në dashtë t’i falë, punë për të! Fatkeqësisht, ora e serbëve ka kohë që ka mbetur. Platini dhe ata që e pasojnë kanë mundësi t’u bëjnë një të mirë serbëve, t’u japin ca shuplaka e t’i zgjojnë nga ëndrra e tyre ndjellakeqe!