Pushteti, përgjegjësi apo privilegj?!

 

Premtim Kastrati

 

Përpjekja për pushtet ose kërkimi për drejtimin e frerëve shtetërorë, ka tendenca të natyrave dhe të llojeve të ndryshme, të cilat shpesh herë bien në kontradiktë, kur studiohet logjika me të cilën synohet pushteti. Kjo “luftë” për karrige, tek ne është shumë e ashpër dhe pjesëmarrës në këtë garë janë shumë grupe (parti) dhe shumë individë të cilët me doemos përpiqen të vihen në pushtet, për të cilin kanë qëllime dhe arsye të ndryshme me anë të të cilave i qasen garës për pushtet. Diversiteti qëndron pikërisht tek këndvështrimi i pushtetit nga pretenduesit e saj, pra a e shohin pushtetin nga prizma e përgjegjësisë apo nga ajo e privilegjit.!

Të jesh në pushtet është patjetër përgjegjësi e madhe sepse pesha e pozitës është tejet e madhe dhe është një amanet jashtëzakonisht i vlefshëm, i cili bartet nga populli tek pushtetari, me anë të votës. Gjithashtu pozita me të cilën ngarkohet një pushtetas është shumë e ndjeshme dhe fragjile sepse kërkon përpjekje të konsiderueshme, pastaj mundim, lodhje dhe punë të pandalshme gjatë gjithë kohës.

Vështirësia e të qenit pushtetas apo qeveritar është edhe më e madhe, në veçanti në një vend çfarë jemi ne në Kosovë, për shkak të natyrës dhe problemeve të shumta me të cilat ballafaqohemi ne si shtet dhe si shoqëri. Pastaj, një tjetër vështirësi përbën edhe fakti se në disa raste, kemi mangësi në kontest të ushtrimit të pushtetit, kur në vendimet e pushtatasit involvohen edhe individë apo vende dytësore të cilat kanë influencë në përcaktimin e vendimit ose në luajtjen e rolit të pushtetasit. Pra, kompentencat që i takojnë pushtetarit në këto rrethana janë të cunguara.

Me momentin që bëhet marrja e pushtetit dhe pranimi i detyrës e cila i është besuar personit që vihet në pushtet atëherë pushtetasi me emërimin në këtë pozitë, ka pranuar tërthorazi të jetë “bashkë-aksionar” në problemet e popullit të tij, qofshin ato probleme individuale apo shoqërore, dhe është obligim i tij të përpiqet t'i zgjedh ato dhe t’u ndihmojë qytetarëve në qasjen e tyre përballë problemit. Të qenit pushtetas në këtë kohë, nuk do të thotë patjetër të përballesh vetëm me vështirësi gjatë kryerjes së detyrës, por pozita e pushtetit sot shihet edhe si privilegj dhe kjo pozitë shfrytëzohet në shumë raste për benefite personale dhe për qëllime të tjera të shumta me të cilat synohet më shumë përfitimi privat (individual) sesa ai shoqëror.

Kur merren parasysh të gjitha këto vështirësi, ngarkesa, presione dhe përgjegjësi të pozitës së pushtetit atëherë është jashtëzakonisht për t'u çuditur se si mund të kërkojë tërë këtë përgjegjësi, njeriu me logjikë të shëndoshë i cili e njeh peshën dhe rëndësinë e madhe me të cilën do të përballet, dhe madje shpesh herë atij nuk do t'i mjaftojë koha as për gjumë dhe as për pushim. Pra, dëshira për pushtet dhe njohja e përgjegjësisë që e ka pushteti përbën një kontradiktë në vete.

Lufta dhe gara e madhe të cilën e shohim ne sot tek pushtet-kërkuesit e vendit tonë na jep arsye dhe hapësirë të gjykojmë se ata më shumë e kërkojnë pushtetin për shkak të benefiteve dhe privilegjeve sesa për shkak të besimit që kanë për t’u ballafaquar dhe për t'i kryer me sukses problemet dhe brengat e qytetarëve dhe të tërë shoqërisë në përgjithësi. Pastaj, akuzat e palës së kundërt të pushtetasëve që njihen si opozitë, kanë tendencë të kundërshtimit të pozitës, jo për shkak të përmirësimit por për shkak të kërkimit të atij privilegji që e kanë pushtetasit. Kjo sepse nëse natyra e mospajtimit të tyre do të kishte karakter pozitiv ose korrigjues atëherë ata përveç mospajtimeve në qëndrime, do të ofronin edhe zgjidhje apo rekomandime në çështje të ndryshme.

Kur pushtetasi pozitën e tij e sheh më shumë si privilegj sesa si përgjegjësi atëherë gjasat janë shumë më të medha që ai të jetë më produktivë për vetën dhe për interesat e tij private sesa për interesat e popullatës së gjerë apo për interesat e shtresave të ndryshme të shoqërisë. Nëse personi i cili pretendon pushtetin, për të mirën e të tjerëve dhe jo për të mira personale, atëherë pse ai nuk heq dorë nga benefitet që i takojnë nga pozita e tij?! Nuk mund të kemi asnjëherë përpikëri të kryerjes së detyrave nga ana e pushtetasit, përderisa të kemi këtë nivel të kërkimit dhe të garimit për pushtet dhe përderisa pozita të shikohet më shumë me anën e privilegjit (rehatisë) sesa me anën e përgjegjësisë.

Pushtetasi ideal pikërisht do të ishte personi i cili i frikësohet kësaj përgjegjësie dhe i cili është i vetëdijshëm për rëndësinë dhe përgjegjësinë që e ka kjo pozitë, sepse vetëm në këtë mënyrë përpjekjet e tij do të ishin shumë më të mëdha sesa të atij i cili e kërkon pushtetin për privilegj. Gjithashtu, po të ishte i vetëdijshëm individi për përgjegjësinë e madhe që e ka pushteti, lëre që nuk do ta kërkonte por do të bënte ç’mos që të ikte prej kësaj përgjegjësie.

Në fund themi se pushteti do të mund ishte privilegj vetëm në rast se ai mbahet me përgjegjësi dhe në asnjë mënyrë tjetër.

 

(Autori është student në master – Universiteti i Prishtinës – Fakulteti ekonomik)