Ilmi Rexhepi
(vështrim kritik ndaj gjuhës së presidentes në shkrimin e saj të fundit)
Në shkrimin e fundit të presidentes, shkruan:
"Sot kam takuar Kryeministrin e Kosovës, zotëri Isa Mustafa dhe krerët e mekanizmave të sigurisë, drejtorin e Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhunin dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, zotëri Bashkim Smakaj për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në kryeqytet.
Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kërkova nga mekanizmat e sigurisë që të ngrisin sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe apeloj te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit që po e hetojnë këtë incident.
Njëkohësisht, duke marrë parasysh natyrën komplekse dhe serioze të këtij komploti të dyshuar terrorist u bëj thirrje shteteve të rajonit të bashkëpunojnë në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet."
Në këtë tekst të shkurtër të presidentes, ka shumë gabime gjuhësore. Gabimet drejtshkrimore janë më pak të rëndësishme në krahasim me ato që prekin natyrën e shqipes. Këtu, po i vë në pah këto gabime:
1. Ajo shkruan "kam takuar", e përdor foljen në kohën e kryer.
Duhet "takova", pra, ta përdorte foljen në kohën e kryer të thjeshtë, sepse bëhet fjalë për një veprim i cili ka mbaruar para çastit të ligjërimit dhe që nuk lidhet përmes kurrfarë pasojash me çastin e ligjërimit.
Për veprime të tilla, duhet të shprehemi:
pashë, takova, u mbajt, prita...
Kohë rrëfimtare shqipja standarde i ka: kohën e kryer të thjeshtë, kohën e pakryer dhe kohën e tashme.
Nëse nuk ka lexuar presidentja diçka të shkruar, të paktën do ta ketë dëgjuar këngën "doli goca në penxhere..."
Vërtet, në gegërishte, si kohë rrëfimtare përdoret edhe e kryera si "koka kan aga Hasan aga...", por ky përdorim nuk është integruar në shqipen standarde.
2. Shqipja ka dy lloje të mëdha ndajshtimesh: ndajshtimin e paveçuar dhe ndajshtimin e veçuar.
Kur nuk e ndajmë ndajshtimin me presje (pauzë) nga gjymtyra e përcaktuar dhe kështu i vëmë theksin logjik emrit që shpreh detyrën shtetërore, kemi ndajshtim të paveçuar, p.sh.:
Takova Kryeministrin Isa Mustafa
Në këtë rast, ndajshtimi i paveçuar "Isa Mustafa" duhet të qëndrojë në rasën emërore pa marrë parasysh se në çfarë rase është gjymtyra e përcaktuar prej tij.
Por, nëse e ndajmë me presje (pauzë) dhe theksin logjik ia vëmë emrit të përveçshëm, kemi ndajshtim të veçuar, p.sh.:
Takova kryeministrin, Isa Mustafën
Në këtë rast, pra, kur kemi ndajshtim të veçuar, emri me të cilin shprehet ndajshtimi përshtatet në rasë me gjymtyrën e përcaktuar prej tij, d.mth., në shembullin që morëm, emrin "Isa Mustafa", duhet ta vëmë në rasën kallëzore, sepse gjymtyra që përcakton "kryeministrin" është në rasën kallëzore.
Ja si i përdor ndajshtimet presidentja:
"Sot kam takuar Kryeministrin e Kosovës, zotëri Isa Mustafa..."
Emrin ndajshtim "Isa Mustafa", meqë e ka përdorur si ndajshtim të veçuar, duhet ta vinte në rasën kallëzore, rasë në të cilën është emri me të cilin shprehet gjymtyra e përcaktuar"kryeministrin", të cilin emër (3) presidentja e shkruan me nistore të madhe. Emrin 'kryeministër' mund ta shkruajmë me nistore të madhe kur i drejtohemi atij.
Ajo shkruan (4) gjithashtu:
"dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, zotëri Bashkim Smakaj..." në vend se 'Smakajn', u kuptua tashmë.
5. Çfarë kuptimi ka të përdoret fjala "zotëri" si ndajshtim ndërmjet emrave që shprehin detyrat shtetërore dhe ndërmjet emrave të përveçshëm?!
Stili i gjuhës për informim zyrtar shquhet pikërisht për mungesë të ngarkesës stilistike e emocionale të mjeteve gjuhësore.
6. Presidentja shkruan:
"Kërkova nga mekanizmat e sigurisë që të ngrisin sigurinë e përgjithshme..."
Folja 'ngre' në shumës të vetës së tretë të kohës së tashme në mënyrën lidhore, bën 'të ngrenë', pra, jo 'të ngrisin', por 'të ngrenë', sado që kjo folje (7) nuk është më e përshtatshmja që të japë kuptimin e synuar.
8. Lexojeni me vëmendje dhe shihni se cilit veprim i referohet presidentja me përemrin dëftor 'këtij veprimi terrorist':
"...për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në kryeqytet.
Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.."?!
I vetmi veprim që është përmendur para dëftorit "këtij" është arrestimi, presidentja po e përgëzon Policinë për pengim të këtij veprimi terrorist, pra, për pengim të arrestimit, se arrestimi është i vetmi veprim i përmendur më herët e të cilit mund t'i referohet përemri 'këtij veprimi'!
9. Vini re cilësimet juridike!
Herë e quan 'veprim terrorist( jo vepër terroriste)', herë 'incident' dhe herë 'komplot i dyshuar terrorist'!
Këto ishin veç disa nga vërejtjet e mia për shkrimin në fjalë, kujtoj se ka nevojë të bëhet qytetari aktive edhe ndaj gjuhës së përfaqësuesve shtetërorë.