Iljasa Salihu
Albin Kurti është shumë më burrë dhe i përgatitur se sa shumë politikanë tjerë, porse nuk e di se përse është aq i bindur në një çështje të gabuar, saqë ende ia merr mendja se njeriu mund të jetojë vetëm si shqiptar, larg parimeve e rregullave fetare. Ai mes tjerash thotë: ‘’Shqiptarët kanë tradita, vlera dhe kapacitete të mjaftueshme për ta mbajtur çështjen e identitetit kombëtar mbi dhe përtej çdo lloj identiteti fetar’’.
Vetë Albini është dëshmia më e mirë se të qenit larg çdo feje është një prapësi e llojit të veçantë dhe jo një përparësi. Traditat e tij nuk arritën ta ndalojnë që ai të mos martohej me një norvegjeze, që pastaj vajza e tij të mos ngarkohen aq shumë me gjuhën shqipe dhe atë norvegjeze, të cilës mes tjerash iu tha se ajo fillimisht duhet ta mësojë gjuhën angleze.
Jo i nderuar Albin, historia njeh epoka pa fabrika e pa qytetërime, por jo edhe kohë dhe epoka pa adhurues dhe të adhuruar, qofshin ato edhe adhurime të gabuara. Në përgjithësi, shqiptar dhe të pafe ishim në kohën e komunizmit, ku njeriu vlente aq sa arrinte ta spiunonte tjetrin – më të afërmin. Pastaj, shqiptar me paqartësi në fe jemi në kohën e tranzicionit, ku njeriu vlen aq sa ka arritur të grumbullojë pasuri dhe vetë vrasjet dhe masakrat për shkaqe krejtësisht banale, janë dëshmi të mjaftueshme se vetëm si shqiptar nuk mund të jetojmë si duhet. Vlerat dhe antivlerat është Zoti që përmes shpalljes hyjnore i ka përcaktuar dhe jo njeriu, përndryshe sot kemi njerëz që thonë se vjedhja nuk është gjë e keqe dhe se tradhtia bashkëshortore është një aftësi dhe zotësi.