Ilmi Rexhepi
Nuk mohohet shkalla e lartë e cilësisë së kërkesave të Testit Kombëtar, sado që ato, pikërisht pse janë të nivelit perëndimor, qëndrojnë në raport të zhdrejtë me dobësitë e metodologjisë së mësimdhënies dhe të planprogrameve në shkollat tona dhe kjo përbën problem të madh arsimor në vete.
Ministria e Arsimit, siç ka ngritur cilësinë përmbajtësore të kërkesave (pyetjeve), duhet të ngrejë edhe cilësinë e gjuhës me të cilën shtrohen kërkesat.
Në fletët e Testit, madje edhe në kërkesat (pyetjet) për gjuhën shqipe, shpesh shkruante fraza:
"...përgjigju pyetjeve vijuese"
Duhet:
"...përgjigjju pyetjeve vijuese" ose "...iu përgjigj pyetjeve vijuese"!
Ka qindra vjet (dhe jo vetëm prej vitit 1972) prej kur, në krejt shqipen (në të gjitha dialektet e saj), kundrinori i zhdrejtë pa parafjalë rimerret gjithnjë-rregullisht përmes trajtës së shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore.
Rimarrja e kundrinorit të zhdrejtë pa parafjalë, është kërkesë e mbarë shqipes dhe rregull sintaksore e shqipes standarde.
Në shembullin e sipërshkruar të Testit Kombëtar, meqë ka kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë "pyetjeve", ky kundrinor duhet të rimerret përmes trajtës së shkurtër të përemrit vetor të vetës së tretë shumës në rasën dhanore "u"(atyre u) dhe kjo trajtë futet në trup të foljes joveprore në mënyrën urdhërore "përgjigjuu", ku për shkaqe fonetike (...ndeshja me pjesëzën trajtëformuese "u") përfundon në "j"-"përgjigjju pyetjeve".
Kundrinori i zhdrejtë pa parafjalë mund të rimerret edhe para foljes në mënyrën urdhërore e kështu bën "iu përgjigj pyetjeve".
Sa herë që folja lidhet me kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë, në krejt dialektet ndihet nevoja e rimarrjes së këtij kundrinori përmes trajtës së shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore dhe kjo vlen, siç u theksua, tash e disa shekuj më parë.
"qatina përgjigjju e qetina mos ju përgjigj" e nuk thuhet "qatina përgjigju e qetina mos u përgjigj".
Pra, nevoja e rimarrjes është e mbarë shqipes, jo vetëm e shqipes standarde.
Më shumë se si moskujdes ndaj gjuhës amtare, ky skandal gjuhësor do parë si pasqyrim i shkallës së njohurive gjuhësore të përgjegjësve kryesorë të arsimit.