Poligamia si politikë e mbrojtjes së moralit dhe rikthimit të vlerave të humbura

 

Genc Plumbi

 

Poligamia është një traditë e vjetër dhe e lashtë, që popuj dhe fe të ndryshme e kanë praktikuar si pjesë e bindjes për ruajtjen e origjinës, moralit dhe natalitetit, nga Egjipti i lashtë deri tek arabët para dhe pas ardhjes së islamit, e deri në ditën e sotme tek disa shoqëri perëndimore që ende përpiqen të ruajnë të paprekur moralin nga furtunat e deformimit të vlerave dhe rikonceptimit të tyre.

Poligamia përballë orkestrimit të përpjekjeve për të imponuar të pamoralshmen.

Njerëzimi në tërësi dhe pa përjashtim po përballet me politika të orkestruara në mënyrë të koordinuar dhe tepër imponuese që synojnë thyerjen e barrierave dhe kufijve të vendosura me kohë nga fetë, traditat dhe praktikat e suksesshme njerëzore që synojnë mbrojtjen e moralit dhe përhapjen e tij. Këto politika dhunshëm, qoftë përmes imponimit politik përmes miratimit të ligjeve që përkrahin dhe synojnë përhapjen e degjenerimit apo përmes organizatave dhe lëvizjeve që synojnë instalimin e ideve të reja mbi moralin, po avancojnë në krijimin e bindjes së herët po vonë këto koncepte të reja për moralin duhet të jenë të pranueshme nga njerëzit pa shfaqur qoftë edhe formën më të brishtë të reagimit. Media, politika e mbushur me servilë dhe njerëzit që mendojnë sot për nesër, njerëzit mediokër dhe pseudo analistë në fushat e sociologjisë, që tjetër flasin për moralin kur janë vetëm dhe tjetër thonë kur u japin mend njerëzve, janë ushtarët e bindur e këtyre politikave globale për realizmin e thyerjes së mitit të rezistencës njerëzore në mbrojtje të familjes dhe moralit të saj.

Nga ana tjetër, çdo gjë e kundërt me këtë politikë apo që qëllon të jetë kundër rrymës së saj etiketohet si e prapambetur, e vjetruar dhe e papërshtatshme për kohën ku jetojmë, madje barrierat ligjore për mekanizmat që çojnë drejt mbrojtjes së vlerave, qofshin ato fetare apo kombëtare në lidhje me moralin, janë të shumta dhe të panumërta.

Sa besojnë muslimanët e sotëm tek poligamia si mekanizëm për mbrojtjen dhe përhapjen e moralit?

Ajo që vihet re tek muslimanët e sotëm është bindja se poligamia është një formë e të jetuari e cila u hap atyre beteja dhe përballje të forta me familjen dhe shoqërinë ku jetojnë, e sidomos me bashkëshortet e tyre. Në përgjithësi kjo “frikë” ekziston më shumë tek mendjet e burrave sesa tek gratë. Edhe pse me tepër vështirësi gratë janë më të ndërgjegjshme për sfidat me të cilët përballen burrat e tyre në këtë shoqëri te hapur, madje “të shqyer” mund të themi nga të gjitha anët, ku ofertat e flirtimit janë të shumëllojshme dhe tepër të lehta për tu arrirë, fale infrastrukturës së imoralitetit që është ndërtuar me kalimin e kohës përmes zhveshjes dhe reklamimit të lakuriqësisë me ndihmën e faktorëve që u përmendën më lartë, siç është media, ligjet e miratuara ne funksion të kësaj politike etj. Mungesa e besimit se poligamia mund të funksionojë në realitetin shqiptar dhe presionet e shumanshme familjare dhe sociale janë një pengesë e vërtetë për praktikimin e poligamisë në mënyrë të drejtë. Thyerja e kësaj mungese të besimit është jetike për ti dhënë jetë poligamisë dhe rroli i liderëve fetare është i rëndësishëm për ta bërë realitet diçka të tillë.

Poligamia si politikë!

Nëse muslimanët dhe njerëzit e moralit dëshirojmë që valën e “moralizimit” të pamoralshmes ta përballojnë me sukses, duhet së pari që të bindemi se Islami i ka të gjithë mekanizmat e mbrojtjes dhe ato të kundërsulmit. Duke qenë një fe universal dhe një sistem i vërtetë jetese, Islami posedojnë “armët” e duhura për të qenë prezent fuqishëm në çdo situatë, duke mbrojtur në këtë mënyrë ndjekësit e tij nga çdo sfidë jo e dëshirueshme, e aq më tepër nga ato sfida që u imponohet atyre për të krijuar të çara dhe lëkundje në funksionimin e këtij sistemi të mrekullueshëm. Një nga këto mekanizma dhe jo vetmi është edhe poligamia, që në mënyrë të pandërgjegjshme perceptohet nga njerëzit si një nga format e mbrojtjes së moralit dhe vlerave konservatore. Muslimanët nuk janë të vetmit që e kanë vendosur në funksion këtë mënyrë vetëmbrojtje, por janë të shumta fetë dhe sektet anembanë botës që e kanë kuptuar efektin çudibërës së poligamisë në mbrojtje të moralit dhe familjes. Për ta kthyer poligaminë në një politikë dhe sistem mbrojtës, duhet së pari që vetë muslimanët të heqin barrierat artificiale që bëhen pengesë për vënien në jetë të poligamisë, duke stimuluar shembujt e suksesshëm qoftë moralisht por edhe ekonomikisht, si dhe duke nxitur të rinjtë dhe rejat muslimane që të bëhen pjesë e këtij sistemi dhe të sakrifikojnë për funksionimin e tij. Në këtë mënyrë ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse kthejmë mbrapsht praktikat e deritanishme të instalimit të imoralitetit dhe degjenerimit, të cilat nuk njohin limite dhe as ndjeshmëri. Aq e dhunshme është fushata mediatike e politike për të përfituar nga të mirat materiale dhe jo materiale që ofrojnë këto organizata politike dhe shoqërore, saqë tashme nuk ka mbetur asnjë fashë mbrojtëse ndaj këtyre presioneve dhe politikave degjeneruese, të cilat me paturpësinë më të madhe u imponojnë njerëzve në mes të ditës trajta skandaloze të ashtuquajtura familje dhe çiftëzime bastarde nga më neveriturat . Kësisoj, ne muslimanëve, njerëzve të moralit, nuk ka pse të ndihemi inferior dhe as të turpëruar përpara këtij revanshi imoraliteti që po na shitet dita-ditës së vlerë njerëzore ne emër të të drejtave dhe lirive të individit.

Muslimanët janë populli i ndryshimit dhe garancia e vazhdimësisë së jetës së moralshme.

Muslimanët me urtësinë dhe largpamësinë e fituar nga mësimet e Kuranit famëlartë dhe praktika e vyer e Profetit Muhamed a.s., kanë qenë dhe do mbeten garancia e vlerave dhe moralit. Ata janë njerëzit të cilët i kanë mekanizmat e duhur për të shpëtuar popujt dhe njerëzit nga e keqja e vetvetes, nga pazaret e zullumqarëve dhe nga revanshet e të pamoralshmit. Myslimanët janë njerëz të ndryshimit, sepse ndryshe nga librat e tjerë të shenjë, Allahu a.xh. e ka dalluar Kuranin me ketë ajet: “Me të vërtetë Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ai vetë të ndryshojë gjendjen e tij.”

Procesi i ndryshimit fillon nga bindja se poligamia është një mekanizëm efikas për të mbrojtur jetën dhe familjen tona nga imoraliteti dhe, se myslimanët kanë arritur të imponojnë vetveten në promovimit të moralit dhe mbulesës. Duke bërë një krahasim me fillimvitet 90’, ku disa vajza heroina, me prejardhje nga familje të shëndosha, hodhën hapat e para në instalimin e shamisë dhe mbulesës në shoqërinë shqiptare dhe falë mirësisë së Allahut dhe pastaj sakrificës së këtyre vajzave, shamia është kthyer në një simbol i rezistencës së muslimanëve, burra e gra, në rrugën e tyre për mbrojtjen e moralit dhe familjes. Sot shamia, edhe pse nga qarqet e dhunimit të moralit shihet me syrin e të keqes që nuk i lë rrugë të përhapin me shpejtësi politikat degjeneruese, ajo ka arritur të jetë një alternative për vajzat shqiptare që dëshirojnë t’i bashkëngjiten një sistemi vlerash të larta. Sot shamia është antivirusi më efikas ndaj politikave degjeneruese. Ky ndryshim nuk erdhi pa sakrifica dhe pa pasoja. Shumë vajza e kanë vuajtur në kurrizin e tyre dhunën e familjarë, paragjykimin e njerëzve dhe përjashtimin e institucioneve, por kanë arritur fuqishëm të përcjellin mesazhin se ku është rruga e duhur në mbrojtje të familjes dhe vlerave.

Poligamia duhet të ecë në të njëjtën rrugë dhe të kalojë të njëjtat barriera, duke u dhënë shqiptarëve mundësinë të kuptojnë largpamësinë e të parëve të tyre dhe sakrificat e mëdha që kanë hequr në mbrojtje të fesë dhe moralit.

Poligamia, edhe pse në fillimet e saj, është në rrugë të mbarë. Familje të shumta muslimane po e zbatojnë atë, duke dhënë një shembull të lartë në mirëfunksionimin e familjes dhe se ky sistem e njohur nga Kurani Famëlartë i ka të gjitha kushtet të vihet në jetë nëse ekziston ndërgjegjësimi i duhur, dëshira për të sakrifikuar dhe qëllimi i përbashkët për të ndryshuar një realitet të hidhur, pasojat e të cilët do t’i vuajnë të gjithë pa përjashtim. Muslimanët janë në kohë dhe mendoj edhe fetë e tjera që e njohin dhe e përkrahin këtë sistem vlerash, i cili buron pa dyshim nga Gjithëdijshmi, Bujari.