Sedat Islami
Në një shkrim me titull ‘Pse besimtarët dhe jobesimtarët duhet të pajtohen me ofendimin si pjesë e lirisë së shprehjes’, Dimal Basha, trajton çështjen e lirisë së shprehjes ndërmjet taborit fetar dhe jofetar, të cilët, në fjalorin e tij, i identifikon si besimtar dhe jobesimtar.[1] Provokues nga titulli, shumë kundërthënës nga përmbajtja dhe skandaloz nga përfundimet, artikulli nuk i shërben aspak krijimit të një klime respekti ndërmjet dy taborëve. Duke u thirrur në veten e parë shpesh dhe duke mos ngurruar të shpreh mosdijen dhe injorancën e të tjerëve nga ithtarët e taborit të tij për të vërtetat “absolute”, sikur synon që para çdo gjëje tjetër të bëjë promovimin personal.
Në vijim, duke u bazuar në shkrimin e tij, kam dhënë përgjigje dhe arsye se përse besimtarët nuk mund të pajtojnë asnjëherë me ofendimin si pjesë e lirisë së shprehjes. Nuk jam zgjeruar në shpjegime, duke dashur të fokusohem vetëm në përmbajtjen e artikullit të Dimalit dhe të nxjerrë konkluzione prej saj se përse pajtimi në këtë pikë është i pamundshëm.
- Dy gjëra të kundërta nuk bëhen bashkë kurrë.
- Për besimtarët pajtimi me ofendimin do të nënkuptonte heqje dorë prej feje ndërsa për jobesimtarët do të nënkuptonte heqje dorë nga sharja, fyerja dhe ofendimi.
- Liria e shprehjes që cenon të drejtën e tjetrit është dhunë.
- Liria e shprehjes nga tabori jobesimtar është më shumë imazh shthurjeje sesa liri e shprehjes.
- Liria e shprehjes nga tabori jobesimtar është paragjykuese dhe selektive – e njëanshme. Dimali shpreh frikën se demokracia do tua hap shtegun besimtarëve që të realizojnë të drejtat e tyre...Pra, duhet përjashtuar ata prej demokracisë, thirrje këtë që e kemi dëgjuar edhe nga “jobesimtarë” të tjerë.
- Liria e shprehjes nga tabori jobesimtar është diskriminuese dhe tendencioze pasi që bën thirrje të shpërfillen të drejtat e “një grupi të vegjël individësh”.
- Liria e shprehjes nga tabori jobesimtar nuk fyen ndjenjat e një grupi të vegjël myslimanësh, por të të gjithë myslimanëve. Nëse shumica myslimane nuk kanë ndarë mendim të njëjtë me reagimet e dhunshme që janë bërë ndaj fyesve të Profetit Muhammed [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], megjithatë të gjithë janë ndier të fyer dhe të gjithë njëzëri kanë shprehur mospajtimin e tyre me këtë formë të demonstrimit të lirisë së shprehjes.
- Paragjykimi ndaj fesë duke marrë shkas disa predikues është pasqyrë ku reflekton qëndrimin e vërtetë të jobesimtarëve ndaj besimtarëve në përgjithësi. Asnjëherë të vetme, asnjë hoxhë, pavarësisht se është i pasluftës, të cilët nuk i do Dimali, apo i paraluftës, që i do Dimali, nuk do të mund të thotë se Islami e lejon homoseksualizmin. Do të ishte shtypje e lirisë së besimit dhe dhunë e llojit të vet nëse kërkohet nga feja kjo gjë. Këtë e kanë bërë të ditur edhe predikues të feve tjera monoteiste. Këtë e vëren edhe në rastin ku Dimali kalon nga individë në vet institucionin e fesë, BIK-un, të cilin e akuzon për përhapje të ideologjisë që mohon mendimin e lirë. Po kështu Dimali nuk ngurron që këto të drejta t’i cilësojë si diktatoriale dhe të dhunshme, veçmas i referohet personaliteteve shtetërore arabe, që as emrat nuk ua di, të cilët kanë kërkuar në organizata ndërkombëtare dënimin e fyerjes së ndjenjave të besimtarëve.
- Paragjykimi ndaj koncepteve fetare duke i konceptuar si të zhveshura nga arsyeja dhe dija është barrierë që pengon raportet mes besimtarëve dhe jobesimtarëve. Islami dhe konceptet e tij janë të ndërtuara mbi arsyen dhe logjikën e shëndoshë. Liria e të menduarit, të shprehurit, të vepruarit, të gjitha këto duhet të kenë kufizime, ndryshe, nëse liria e taborit jobesimtar duhet të jetë absolute siç kërkon Dimali, atëherë ajo eskalon në shthurje, në fyerje dhe ofendime, siç nuk kursehet Dimali nga fjalët idiot, dokërr, në veprime radikale, siç bëhet thirrje në shkrimin e Dimalit për të shpërfillë të drejtat e një grupi -siç i paragjykon për- të vegjël të besimtarëve, gjëra këto që rrënojnë urat e bashkëpunimit. Nuk është në natyrën e këtij shkrimi të zgjerohem më shumë, ndryshe, mund t’ia argumentoj jobesimtarëve me dhjetëra e qindra fakte qasjen shumë pozitive të Islamit në të menduar dhe logjikuar, që rrënon me themel këto informata të gabuara përkitazi me të.
- Dimali prezanton me besnikërinë më të madhe konceptin kontrovers dhe shumë kundërthënës të taborit jobesimtar karshi besimtarëve. Është kundër mendimeve fetare që nuk përkojnë me vlerat demokratike, madje i cilëson si thikë me dy tehe, ndërsa në anën tjetër, ndonëse nuk pajton me to, bën thirrje për t’i respektuar bindjet e tyre dhe shprehjen e tyre – publikimin. Nuk di a me vëmendje apo si, vetëm se këtë e shpreh paksa me ngjyrë të shërbimit inteligjent: “e kupton kush ku është dhe çfarë bindjesh ka”. Bëhet thirrje për të shprehur qëndrimet, për të cilat shteti duhet t’i burgosë ata.
- Dimali kur shpreh habinë e tij me disa intelektualë, të cilët, për shkak se kanë një përafrim me besimtarët nuk ngurron t’i quan injorantë dhe grykës, sikur kërkon lëçitje ndërmjet besimtarëve dhe jobesimtarëve.
- Dimali ndonëse në fillim përcaktohet për diskutim me fetë monoteiste dhe me theks të veçantë Islamin, devijon dhe lajthit kur kalon tek çështja e feve jo hyjnore, që janë kryekëput produkt i njeriut, dhe tek të cilat ekziston hapësira e gjykimit. Sikur që e gjykon teorinë dhe qasjen e një filozofi, e gjykon teorinë dhe qasjen e një “profeti” të tillë. Këtë gabim e bën edhe kur krahason Islamin me Kishën, e cila ka luftuar dijen në mesjetë dhe ka vrarë e ekzekutuar shkencëtarë.
- Dimali mendimin ndryshe e sheh vetëm në këndvështrimin radikal: argumenton me Salman Rushdie-n, i cili ka guxuar të mendojë ndryshe, duke sharë dhe ofenduar profetin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] dhe familjen e tij. Pra, mendimi ndryshe nuk shihet si një vlerë, nga e cila do të përfitonin të gjithë, por si një kundërvlerë, nga e cila fyhen më shumë se një miliardë njerëz.
- Dimali portretizon shumë bukur dogmën e jobesimtarëve, tek të cilët e shenjtë është vetëm bindja se nuk ka asgjë të shenjtë. Bën thirrje për promovim të kritikës ndaj hyjnores por jo edhe censurës.
[1] Përdorimi i këtij termi në këtë shkrim nuk është nga perspektiva fetare por nga terminologjia e autorit Dimal Basha.