Genc Plumbi
Së fundmi, sipas kuotave të miratuara nga vendet perëndimore, rreth 4 milionë sirianë do të pranohen me statusin e refugjatit. Ndërkohë rreth 6 milionë të tjerë jetojnë si refugjatë në Turqi.
Larg vëmendjes së medias në qytezën e Zebadanit, shumë afër Damaskut, forcat opozitare siriane kanë pasur në mënyrë të drejtpërdrejtë bisedime me përfaqësues ushtarak të Iranit, ku u kërkohet që të largohen prej këtij qyteti bashkë me popullsinë autoktone për ta mbushur me shtetas iranianë. Sigurisht që kjo ofertë është refuzuar dhe luftimet në Zebadeni ende vazhdojnë mes forcave te Hisbullahit dhe opozitës të armatosur siriane.
Tashme duket fare qartë që Esedi nuk posedon as pushtet dhe as territor, madje as forcë negocuse. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Latakia dhe rrethinat e saj, ku mendohet vendosja e një baze ushtarake ruse, forcat e Esedit kanë kthyer mbrapsht popullsinë alevite të ardhur nga fshatrat e Hamase që gjenden nen zotërimin e forcave opozitare, për shkak se vendosja e bazës ruse kërkon një territor të boshatisur nga popullsia.
Fluksi i jashtëzakonshëm i refugjatëve që vijnë nga zonat e luftës kanë gjetur deri diku një derë të hapur në Perëndim në ndjekje të ëndrrës për një jetë më të mirë.
Por a ka ndodhur kjo shpërngulje nga kurdët?!
Po nga alevitet e Sirisë?!
Siç duket refugjatet siriane në pjesën dërrmuese janë nga zonat sunite.
Së shpejti pritet që Esedi apo ata që qëndrojnë pas tij të hedhin në tavoline propozimin për ndarjen e Sirisë ku pjesa më e madhe e riformulimit do të përfshij zonat sunite, ku me shumë gjasa ashtu si në Zebedani do të popullohen me popullsi iraniane, ndërsa zonat alevite si ajo e Latakias, një pjese e Humsit dhe Hamase do të konsiderohen zonë e mbrojtur e shtetit të ardhshëm alevit.
Revolucioni sirian gjatë gjithë ecurisë së tij ka hasur në vështirësi të shumta ku forcat dhe palët në terren, të mbështetur nga aleatët e tyre të jashtëm janë përpjekur të formulojnë një Siri që u siguron atyre mbrojtjen e interesave.
A do të jetë politika e tokës së djegur e suksesshme, këtë do ta vendosë mprehtësia dhe vigjilenca e popullit sirian, që me shumë vendosmëri po kërkon parajsën në vendin e vet e jo gjetke.