Çfarë festojmë më 28 Nëntor?!

 

Jusuf Thaçi

 

U urua e u festua 28 Nëntori gjithandej ku ka shqiptarë. Historia na thotë që kjo datë lidhet me katër ngjarje/simbolika të rëndësishme kombëtare: çlirimi i Krujës dhe ngritja e flamurit në Krujë nga Skënderbeu (1443), shpallja e pavarësisë së Shqipërisë (1912), ditëlindja e Komandantit Adem Jashari (1955) dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1997).

Gjithë popujt e qytetëruar e të zhvilluar të botës festojnë datat e tyre simbolike e historike që lidhen me përmbushjen e projekteve të tyre kombëtare. Veç ne shqiptarët festojmë datën e mospërmbushjes së projektit tonë kombëtar.

Duke pasur parasysh ato katër data simbolike/historike, mendja s’të lë rehat. Vërtet, përse festojmë në shqiptarët më 28 Nëntor?!

Festojmë sepse ideja e Skënderbeut për krijimin e një shteti të fuqishëm e të përbashkët të shqiptarëve i cili do t’u rezistonte edhe perandorive më të fuqishme të botës nuk u realizua asnjëherë?! Kjo është arsye për festë?!

Festojmë sepse edhe pas më shumë se një shekulli kemi shtetin shqiptar me më pak se gjysmën e territorit të shpallur të pavarur më 1912, ndërsa shqiptarët, megjithëse janë në trojet e veta, jetojnë në gjashtë shtete të ndryshme,vetëm njëri nga ta shtet shqiptar?! Kjo është arsye për festë?!

Festojmë sepse qëllimi e amaneti i Adem Jasharit u tjetërsua dhe në vend të çlirimit e lirisë së Kosovës sot nuk e përjetojmë asnjërën e për më tepër vet Adem Jashari, mu në territorin e në shkollat e Kosovës mësohet si terrorist?! Kjo është arsye për festë?!

Festojmë sepse misioni e projekti i UÇK-së u tradhtua e u la në gjysmë dhe në vend të çlirimit e bashkimit kombëtar sot e kemi Kosovën peng të hajdutëve, kriminelëve dhe të 3%-shit të serbëve të Kosovës?! Kjo është arsye për festë?!

Vërtet, përse festojmë ne shqiptarët më 28 Nëntor, kur në fakt, në këtë datë do duhej të ndiheshim të turpëruar e fajtorë për dështimin tonë të madh si komb.

E pra, urime ju qoftë turpi e dështimi të gjithë shqiptarëve kudo që janë!