Salih Kabashi
Nuk ishte një lojë e thjeshtë kjo çka ndodhi dje, sidomos jo ajo që do të mund të prodhonte hyrja e planifikuar dhe tejet provokative e lokomotivës ruse me vagona mbushur me ushtarakë, policë, politikanë serbë (edhe rusë)në territorin e Kosovës.
Lokomotiva e prodhimit rus dhe gjithë treni brenda e jashtë stolisur me kiç-parulla serbe e kiç-ikonografi ishte i qartë në synimin dhe në mesazhin urbi et orbi që do t'i çonte botës. Realisht e jo vetëm simbolikisht, Serbia e Nikoliqit me ndihmën e Majka Rusisë dje deshti që të bënte një invazion hekurodhor policor-ushtarak e paramilitar mbi një pjesë të territorit të Kosovës, i cili do të rrezikonte jo vetëm tërësinë territoriale të Kosovës, por edhe vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës.
Dështimi i djeshëm i Serbisë bashkë me kthimin e trenit mbrapa nga Rashka në Beograd në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar si përfundim nga ana e saj e provokacioneve të tjera të shumëllojshme të luftës.
Nëqoftëse dje shtypi e propaganda serbe dhelpërisht e paraqiste nisjen e trenit si një nevojë tetëmbëdhjetëvjeçare që i kishte munguar lëvizjeve hekurodhore nga Beogradi në «Kosovë e Metohi», sonte pas mbrapaktheut të dhimbshëm të trenit, retorika e fjalori belik nga nivelet më të larta të pushtetit serb evoluoi haptas në kërcënim me intervenim ushtarak serb mbi Kosovë.
Shkurt, Kosova nuk ka asnjë arsye që të mendojë se problemi me Serbinë u zgjidh e përfundoi me këtë bllokim hyrjeje, respektivisht kësaj tërheqjeje të trenit ruso-serb.
E kundërta, me një këmbë, në mos me të dyja Kosova është në një luftë krejt të veçantë që do të jetë e gjatë.
Duhet pranuar se Kosova me refuzimin që i bëri vizitës së presidentit serb Nikoliq në veri të vendit tonë si dhe me aksionin e djeshëm të vendosur policor në kufi, megjithatë shfaqi disa tipare të domosdoshme shtetërore.
Kjo mirënjohje shtetit duhet t’i njihet sidomos për arsye të logjikshme që gjendja e luftës në të cilën gjendet Kosova kërkon domosdo edhe shprehje sa më të lartë të unitet nacional.