Qëllimi më themelor që shkolla duhet ta arrijë në nxënësin është ky:
Ta edukojë nxënësin të jetë spontan, i çlirët. As të ndiejë frikë për të dhënë mendimin e vet nga "perfeksionizmi" i mësimdhënësit e i autoriteve të fushave përkatëse, as të ketë guximin e tepruar që të japë kinsemendim (pseudomendim) sa për t'u dukur.
Metodat e trajtimit të nxënësve dhe materialet shkollore duhet të jenë në funksion të këtij qëllimi.
Fatkeqësisht, shkollat tona prodhojnë më shumë njërën nga këto dy: frikën nga "perfeksionizmi" i të tjerëve ose guximin e tepruar për të dhënë mendim të rremë.
Edhe për shkak të llojit të arsimit që kemi dhe faktorëve të tjerë shoqërorë me rol edukues, nuk mund të presim mendim të pjekur kritik. Aq më pak autonomi mendimi. Prodhohen shumë me të ashtuquajturin shpirt të kundërshtimit, po ky shpirt kundërshtimi po ka cak vetveten, kundërshtimin e asgjë tjetër dhe po shfaqet më shumë si ves i pandreqshëm i komunikimit sesa diçka pozitive. Psikologët do të thoshin se sot më shumë se kurrë individualiteti vuan nga deflacioni i idiotësisë.
Shkolla dhe faktorët e tjerë shoqërorë me rol edukues duhet që sa më parë të vrasin mendjen më seriozisht si të mbjellin në nxenësit-studentët tiparet tona pozitive dhe ato të rejat e nevojshme pa i dëmtuar të parat.