Në Xhaminë e Tomocit, në katin e dytë, ka pasur një hapësirë të gjerë, diçka si separe apo shtesë e saj, që quhej mejtep. Në atë hapësirë Mulla Mehmeti na ka dhënë bazat e fesë. Isha i rregullt, sepse xhaminë e mejtepin i kisha shumë afër shtëpisë. Numri i djemve që vijonin kursin ishte bukur i madh.
Hoxha ishte burrë shumë serioz dhe unë e admiroja për të folmen e tij burrërore dhe autoritetin ...që ai gëzonte te vijuesit, xhemati i tij.
Në ramazan ne gëzoheshim kur hoxha vinte për iftar te shpija jonë. Ne, fëmijë, edhepse nuk merrnim vesh ende përmbajtjen e dovëve që këndoheshin, mrekulloheshim duke ndjerë në këndimin e hoxhës e të myezinit bekimin e dritën e Perendisë mbi shtëpinë sonë.
Iftari kishte dy pjesë. Në të parën, pas rrahjes së tupanit nga Lic Haradini, hoxha i pari e të tjerët pas tij, ulur rreth sofrave, pinin ujë ose sherbet duke përshpëritur bismilahin dhe duke u shërbyet me nga një katrore të vogël llokum, nga një kokërr fiku apo hurmeje.
Darka hahej më vonë. Pas namazit të akshamit. Pas darke të gjithë, prirë nga hoxha, niseshin me një hare, pothuajse me solemnitet, për në xhami - me e falë taravinë.
Këto ditë e kam kujtuar Mulla Mehmetin. Edhe i ati, Mulla Mahmudi, ka qenë hoxhë në Tomoc. Në organizim të tij është ngritur xhamia që shohim sot. Ata ishin gashjanë.
Hoxha Mehmet ishte një imam progresist. Ai i çonte në shkollë jo vetëm djemtë, por edhe të bijat.
Ai inkurajonte xhematin e tij dhe bashkëfshatarët që të mos ndalnin vajzat nga shkolla.
Një kohë ai ishte edhe mësues. Ai e kishte hapur xhaminë edhe për shkollë. Në atë mejtepin e në xhaminë për të cilën po flas, djem e vajza nga Gjurakovci, Tomoci, Llugat e Muzhevinat, Llukavci i Begut..., kanë pasur shkollën e tyre.
Mulla Mehmeti për vite të tëra ka qenë i ngarkuar me rolin e ofiqarit, detyrë të cilën e ka kryer me pedanterinë më shembullore të mundshme. Te hoxha bëhej rregjistrimi i fëmijëve të posalindur, i personave të vdekur dhe kurorëzimet.
Unë e kam dashur atë hoxhë. Ndoshta edhe për shkak se ai lavdëronte para të tjerëve zellin tim për të mësuar.
Dua të përkujtoj edhe një zemërgjerësi të Mulla Mehmetit: në xhaminë e tij, në atë mejtep-shkollë, ne rinia e Tomocit kemi ushtruar e zhvilluar shumë veprimtari kulturore, drama, skeçe, recitale... me të cilat pastaj paraqiteshim nëpër fshatrat e komunës së Istogut.
Mulla Mehmet Mahmutaj ishte e mbetet shembull i jashtëzakonshëm jo vetëm i një hoxhe përparimtar, por edhe të një iluministi të vërtetë.
Postimi im në ditën e fundit të ramazanit po i kushtohet hoxhës e mësuesit tim të parë, kësaj figure madhore të progresit në Podgur.