Unë kam një ëndërr!

Po kërkoi diçka Bashkësia Islame apo foli hoxha, të gjithë kundër! Fatkeqësisht, kjo dukuri, sikur është bërë synim i modernitetit allakosovarçe. Zhurmat e fundit mediale rreth projektit të xhamisë qendrore në Prishtinë, në fakt janë kallauzë i kundërshtimit të ndërtimit të saj. Natyrisht, më shumë po na shqetëson fakti se në çfarë gjendje kemi degraduar.

Kam frikë se një ditë, kur hoxha do të flasë për largim nga droga, disa anëtarë civilistë, për inat do të ftojnë për konsumimin e saj. Sepse, në Kosovë “kështu mushka po i do drutë!”. Çdo herë dhe për gjithëçka kundër bashkësisë islame!? Nëse vazhdon kjo reprezalje moderne, nuk është çudi që në këtë shoqëri do të dalë dikush, e ta përtrijë parullën epokale të Martin Luther Kingut: “I have e dream – unë kam një ëndërr”, që denonconte racizmin dhe mungesën e shanseve të barabarta në shoqërinë amerikane të shekullit XX.

Fjala e tij bëri jehonë, sepse luftoi  për barazi ndërqytetare dhe për kthimin e besimit të humbur në drejtësinë e shtetit. Ai tha: “Me këtë besim ne do të jemi në gjendje t’i transformojmë mosmarrëveshjet çjerrëse të kombit tonë në një simfoni të bukur të vëllazërisë. Do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, t’i lutemi Zotit së bashku, të luftojmë së bashku, të shkojmë në burg së bashku, të ngrihemi në emër të lirisë së bashku, duke e ditur se ne do të jemi të lirë një ditë.

Kjo ditë do të vijë kur të gjithë fëmijët e Perëndisë do të mundin ta këndojnë me një kuptim të ri, “Atdheu im, je ti tokë e ëmbël e lirisë, ty të këndoj. Toka ku etërit e mi vdiqën, toka e krenarisë së pelegrinëve, nga çdo anë, liria le të kumbojë”- kështu kishte thënë M.L.King. Ne e dimë se nuk bën pa zërin e shoqërisë civile. Por, misioni i saj duhet të jetë objektiv në raport me të gjithë dhe jo subjektiv. Duhet të jetë, në forcimin e qytetarisë konstruktive, demokracisë dhe pluralizmit dhe jo në fuqizimin e unilateralizmit antiislam.

Këta burra, le ta tregojnë një rast të vetëm, që e kanë ngritur zërin për padrejtësitë e bëra ndaj besimtarëve islam. Asnjëherë! Nuk është në pyetje vetëm xhamia qendrore e Prishtinës, e cila është punë e kryer, por edhe shumë aspekte të tjera. Mjaft aktuale është rasti për xhaminë në kalanë e Prizrenit. Publikisht, po e ftoj shoqërinë civile, që ta ngrejë zërin, duke i dhënë mbështetje rindërtimit të xhamisë në Kalanë e Prizrenit, pasiqë ajo është viktimë e kulturocidit serb dhe atij bullgar.

Tek e fundit, e kanë obligim ta përçojnë zërin e qytetarëve të Prizrenit, të cilët para pak muajsh realizuan një peblishit qytetar, duke mbështetur rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit, me mbi 31.000 nënshkrime. E, në mbështetje të kësaj është drejtësia dhe historia, është Bashkësia Islame dhe Komuna e Prizrenit, e cila ka dhënë pëlqimin, unanimisht.

Është shumë anakronike, dy-tri vetje kanë shkruar një letër kundër xhamisë në Prishtinë, dhe u ba nami, ndërsa mbi 31 mijë nëshkrime janë për xhaminë e Kalasë dhe askush nuk e pa të arsyeshme të organizojë një emision të tillë në televizionet qendrore.  Këtij vendi, sherrin më të madh ia kanë sjellur hafijet e natës e kukavicat e ditës. Nëse asgjë më shumë, aman, mos u thirruni në emër të shoqërisë civile, se nuk na latë fytyrë të dalim n’qarshi…!