Shenja për daljen e Mehdiut!

Një nga pyetjet që bëhet shpesh nga njerëzit dhe mediat është se: cila është arsyeja që lufta në Siri ka mobilizuar kaq shumë njerëz, madje edhe muslimanë shqiptarë?

Përgjigjet dhe arsyet janë të shumta, shpesh edhe të pakuptueshme dhe të çuditshme për disa, e të papranueshme për disa të tjerë. Por, pa dyshim se një nga arsyet e këtij mobilizimi është edhe ajo që bazohet tek besimi, por në veçanti në këtë drejtim ka luajtur dhe po luan rolin e tij nxitës, edhe pse jo i vetmi, aplikimi i haditheve që flasin për ngjarjet e kohëve të fundit para Ditës së Kiametit dhe në veçanti dalja në skenën e ngjarjeve e Imam Mehdiut, i cili besohet se është shenjë për ndryshimin e rrjedhës së tyre. Kështu p.sh. Lavdrim Muhaxheri në një video të tij të hedhur në youtube në vjeshtë të vitit 2013 u bën thirrje shqiptarëve muslimanë të përfshihen në këtë luftë dhe ti bashkohen asaj atje, dhe si për të përligjur ftesën e tij ai ndër të tjera thotë: “ka shumë vëllezër që e kanë pa në ëndërr edhe Pejgamberin (alejhi salatu ue selam), duke i premtu se ata kanë me qenë ushtar të Imam Mehdiut”.

Sipas asaj që besojnë shumica dërmuese e muslimanëve, duke përfshirë këtu madje edhe sekte si shiitët, dalja e Mehdit paralajmëron një përmbysje të ngjarjeve dhe një triumf të prekshëm të muslimanëve ndaj armiqve të tyre. Të jesh ndjekës i këtij njeriu është nder dhe vlerësim i madh dhe siç thuhet në një hadith, për të cilin do flasim më hollësish më poshtë, të gjithë ata që dëgjojnë për daljen e tij duhet ti bashkohen atij në çfarëdo mënyre, qoftë edhe këmba dorazi, kështu që trajtimi i temave të tilla në rrjedhjen e ngjarjeve që përjeton sot rajoni i Shamit, luan një rol jo të vogël në veprimet e njerëzve. Pra e thënë më shkoqur, nëse ka njerëz që besojnë se në rrjedhën e këtyre ngjarjeve do të dalë Mehdi, atëherë ata janë më të motivuar të përfshihen në to drejtpërdrejtë, duke u bërë pjesë e formacioneve luftuese, gjithsecili sipas bindjes së tij.

Besimi në daljen e Mehdit padyshim bazohet në hadithet e Profetit, për të cilat duhet pranuar se janë të shumta. Mirëpo në syrin e dijetarëve ekspertë të hadithit shumica dërmuese e këtyre haditheve nuk janë autentike, shumë prej tyre janë të dobët dhe një pjesë edhe të trilluar dhe si të tilla ato nuk duhet të besohet se janë thënë nga Profeti dhe për rrjedhim nuk mund tu referohesh atyre për të bazuar një besim të caktuar. Këtu, unë do të kufizohem vetëm te një kategori e caktuar e këtyre haditheve dhe pikërisht për ato që flasin për daljen në skenë të “flamujve të zinj”.

Para se të kalojmë në shqyrtimin e tyre, duhet thënë se aplikimi i haditheve të shenjave të Kiametit në një realitet të caktuar, mes tyre edhe dalja e Mehdit, është një çështje shumë delikate dhe tepër e rrezikshme; kjo për dy arsye:

- E para se kemi të bëjmë me një provë vërtetësie të profetësisë së Muhamedit (alejhi salatu ue selam), e cila nëse interpretohet gabim dhe nuk vendoset në vendin e duhur, do të rezultojë si e pavërtetë në syrin e njerëzve dhe kjo cenon drejtpërdrejtë besueshmërinë e fjalëve të Profetit në sytë e këtyre njerëzve, pra i vë ata së paku para dyshimit edhe për vetë Profetin!

- E dyta, nisur nga interpretimi dhe aplikimi i gabuar i këtyre haditheve njerëzit mund të ndërmarrin veprime dhe lëvizje të gabuara, të cilat janë me pasoja të rënda, për muslimanët dhe shoqërinë e tyre. Mjafton këtu të përmendim sesa e sa probleme, luftëra dhe gjakderdhje ka pasur përgjatë gjithë historisë islame duke bazuar pikërisht tek interpretimet dhe aplikimet e gabuara të hadithve të Mehdit. Ndoshta rasti më i njohur në kohët tona, edhe pse pas tij ka pasur të tjerë “Mehdinj”, dhe më problematik ka qenë rasti i xhematit të Xhuhejmanit, rreth 36 vjet më parë, të cilët morën peng xhaminë e Qabesë në Mekë dhe shpallën botërisht se Muhamed ibn Abdullah el-Khatani ishte Mehdi dhe kërkuan nga njerëzit ti jepnin besën atij si Kalifi i muslimanëve! Ngjarja më pas mori rrjedhat e një beteje që cenoi shenjtërinë e xhamisë së shenjtë dhe precipitoi në gjakderdhje...

Kështu pra, që aplikimi i haditheve që flasin për ngjarjet para Ditës së Kiametit mbi ngjarje të caktuara dhe persona të caktuara, nuk është një çështje e lehtë e për më tepër as një çështje që mund të provohet me ëndrra, siç ka ndodhur në fakt edhe me rastin e mësipërm të fitnes së Xhuhejmanit, ku ish ndjekës të tij dëshmojnë se kishin qenë të shumtë ata që kishin parë në ëndërr se personi në fjalë ishte Mehdi!

Që një hadith të thuhet se ky hadith vlen pikërisht për këtë ngjarje apo këtë person, së pari hadithi duhet të jetë i saktë, së dyti ai duhet të përmbushet plotësisht ashtu siç ka thënë Profeti, pa qenë nevoja që të bëhet ndonjë interpretim i sforcuar dhe së treti duhet të përmbushen të gjitha karakteristikat dhe cilësitë që përmenden në hadithet e sakta për këtë ngjarje apo person, ndryshe rrezikojmë të rrëshqasim në atë çka përmenda më sipër.

Duhet të dihet se hadithet që flasin për fitnet, janë pa data dhe në shumë prej tyre nuk jepen shpjegime të hollësishme, ndaj dhe është e gabuar që të jepemi pas tyre për të gjetur momentin se kur do të përmbushen. Ato kur të ndodhin do të jenë të qarta për të gjithë, kështu që nuk do të jetë nevoja t’i paraprihet me interpretime të sforcuara, rrugë kjo që në fakt të fut në qorrsokak dhe nuk është prej traditës së të parëve tanë të mirë, fakt ky që e kemi treguar edhe më parë kur kemi përmendur fjalët e Imam Sufjan eth-Theurit...   

Flamujt e zinj

Në masën e madhe të haditheve që përcillen nga Profeti (alejhi salatu ue selam) për daljen në skenën e ngjarjeve të Mehdit, janë edhe disa hadithe ku përmenden ndër të tjerash edhe “flamujt e zinj”, të cilat do të jenë si shenjë shoqëruese të Mehdit. Mirëpo pyetja e parë që bëhet është: a janë këto hadithe autentike? A mund të besojmë me të vërtetë se këto fjalë i ka thënë Profeti (alejhi salatu ue selam)?

Këtu për të folur rreth këtyre haditheve do ti referohem me shkurtime fjalëve të Dr. Hatem Auni Sherif, profesor i shkencës së hadithit në Universitetin e Mekës dhe një nga njerëzit e sotëm më të përgatitur, që kam njohur në këtë fushë.

Ai thotë:

“Hadithet që flasin për shfaqjen e “flamujve të zinj” dhe “sufjanit” janë hadithe që gjenden me shumicë, me tekste dhe rrugë transmetimi të ndryshme, në librat që flasin për shenjat e Ditës së Fundit. Ato janë aq të shumta në transmetime sa po të veçoheshin do të bënin një libër të vetëm. Këto transmetime kanë ngazëllyer shumë sekte dhe grupe, që kur i kanë parë u kanë shtuar atyre edhe të tjera, dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë akoma!

Kush i lexon këto hadithe i kujtohet fjala e Imam Ahmedit (v. 241h.) që thoshte: “Tre libra nuk kanë themele: betejat (el-megazi), sprovat (el-melahim) dhe komenti i Kuranit (tefsir).” (El-xhamia e Hatibit nr. 1536) Imam Ahmedi këtu ka për qëllim se transmetimet e pavërteta dhe të trilluara në këto të tria janë të shumta dhe hadithet autentike janë pak.”

Këtu më duhet të ndalem pak duke u shkëputur nga fjalët e profesorit, për ta shpjeguar pak më tepër fjalën e Imam Ahmedit për lexuesin shqiptar, që nuk e njeh disiplinën e hadithit. Atëherë, Imam Ahmedi është një nga dijetarët e mëdhenj dhe të shquar të hadithit dhe nga konstatimi i tij i gjatë thotë se, librat që janë shkruar si përmbledhje me hadithe që flasin vetëm për betejat e Profetit (alejhi salatu ue selam), vetëm për fitnet, sprovat që do të vijnë dhe shenjat e Kiametit si dhe librat që përmbledhin vetëm hadithe që flasim për komentimin e sureve dhe ajeteve të Kuranit, të gjitha këto janë libra që nuk kanë bazament të qëndrueshëm, sepse shumica e këtyre transmetimeve nuk janë autentike, çka do të thotë se libra të tillë kanë vlerë të vogël akademike. Dhe hadithet për të cilat ne po flasim, janë me shumicë pikërisht nëpër këto libra.

Më pas Dr. Hatim vazhdon duke thënë:

“Hadithi i “flamujve të zinj” ka shumë transmetime dhe tekste, të cilat kanë mbushur librin e Nuajm ibn Hamdit “el-Fiten”, porse unë nuk kam gjetur në të një hadith të vlefshëm, të cilin mund ta marrësh si argument, as nga Profeti dhe as nga ndonjë prej sahabëve të tij. Transmetimet më të forta që transmetohen në të nga Profeti – edhe pse në të nuk ka të fortë – janë hadithet e mëposhtëm:

I pari: Hadithi që përcillet nga Theubani se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Kur të shihni flamujt e zinj të vijnë nga Horasani shkoni tek ta, sepse mes tyre është kalifi i Allahut Mehdi.”

Ky hadith përcillet edhe me tekste të tjera dhe ka edhe fjalë të tjera si p.sh. “flamujt e zinj do të vijnë nga lindja, zemrat e tyre janë si të ishin copa hekuri, ai që dëgjon për ta le tu bashkohet edhe sikur të eci këmba doras në akull. Ata do shkojnë në qytetin e Damaskut dhe do ta shembin atë gur pas guri dhe me to do vrasin bijtë e mbretërve.”

Ky hadith gjendet te Musnedi i Ahmedit (5/277) dhe përcillet nga Sherik ibn Abdilah, nga Ali ibn Zejd ibn Xhedan, nga Ebi Kilabe, nga Theubani... Ky zinxhir transmetimi është i shkëputur, sepse Ebi Kilabe nuk ka dëgjuar asgjë nga Theubani. (el-Ixhli nr. 888) Po kështu edhe Ibn Xheuzi ka përmendur si defekt të këtij transmetimi Ali ibn Zejd ibn Xhedan (ilel el-mutenahije nr. 1445)”

Ky hadith përcillet edhe nga rrugë të tjera transmetimi dhe Dr. Hatim e përmend nga disa imam të njohur siç është Abdurrezaku, nga Sufjan eth-Theuri, nga Halid el-Hadha, nga Ebi Kilabe, nga Ebi Esma er-Rehabi, nga Theubani... (Ibn Maxha nr. 4084) Këtë zinxhir transmetimi Bezari i ka vlerësuar si të saktë.

Dr. Hatim thotë se: “Në pamje të parë më e pakta ky zinxhir transmetimi duket si i mirë (hasen),... por se ky hadith përcillet te Hakimi (4/502) ndryshe... nga Ebi Kilabe, nga Ebi Esma, nga Theubani dhe nuk vazhdon më tej te Profeti (alejhi salatu ue selam), por ndalon si thënie e Theubanit!

Ndaj unë them (Dr. Hatim) se kjo mospërputhje në zinxhirin e transmetimit, po ti shtojmë edhe faktin e përmbajtjes së papranueshme të tekstit si dhe pamundësinë që këto zinxhirë të paqëndrueshëm transmetimi (me këta transmetues) të jenë të aftë të mbartin këtë transmetim të vetëm, atëherë unë nuk mundem të jem i qetë ta pranoj këtë hadith (si të saktë) dhe sidomos nëse përmendim këtu disa fjalë të disa Imamëve kritikë, të cilat tregojnë se hadithi është i dobët nga të gjitha rrugët e tij të transmetimit.

Kam ndeshur një kritikë dhe mohim të veçantë të këtij hadithi, që përcillet nga Halid el-Hadha (njëri prej transmetuesve), i cili edhe pse është i besueshëm (thika), Imam Ahmedi për të ka thënë (për këtë hadith në veçanti): “I treguan Ibn Ulejes (v. 193 h.) për këtë hadith dhe ai tha: “Këtë e transmetonte Halidi (el-Hadha v. 141 h.) dhe ne nuk ia vinin veshin” Pra Ibn Uleje e konsideroi të dobët, hadithin që Halidi përcjell nga Ebi Kilabe, nga Ebi Esma, nga Theubani, nga Profeti (alejhi salatu ue selam) në lidhje me flamujt e zinj.” (Ilel i Imam Ahmedit nr. 2443, e-duafa e Ukejlit 2/351 nr. 403)...

Përcillet nga Imam Ahmedi se ai ka ndaluar të flitet me hadithet e flamujve të zinj si dhe hadithe të ngjashme të shenjave të Kiametit, sepse ato ishin të pasakta në vlerësimin e tij (Mexhmua resail 3/264, 266)

Pra në vlerësimin e këtyre imamëve (Ahmedi, Ibn Uleje...etj.) Halid el-Hadha nuk arrinte në atë nivel profesionalizmi dhe përpikërie sa të mund të mbështetemi te këto aftësi për të pranuar këtë transmetim fillikat të tij.

I dyti: Hadithi që përcillet nga Abdullah ibn Mesudi se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Për ne ehli bejtin, Allahu ka zgjedhur Botën Tjetër dhe jo këtë botë. Pasardhësit e mi pas meje do pësojnë fatkeqësi, shpërngulje dhe përndjekje, derisa të vijnë njerëz nga lindja dhe me vete do të mbartin flamuj të zinj. Do të kërkojnë të mirën dhe nuk do tu jepet, do të luftojnë dhe do të fitojnë dhe do tu jepet ajo që kërkojnë, por nuk do ta pranojnë, derisa t’ia dorëzojnë atë një burri prej familjes time, i cili do ta mbush vendin me drejtësi ashtu siç qe mbushur me padrejtësi. Ai që e arrin këtë prej jush le t’i bashkohet atyre edhe sikur të ecë këmba dorës mbi akull.”

(Ibn Maxha nr.4082, el-Bezar në Musned nr. 1556 ...etj)

Ibn Kethiri (në Bidaje ue Nihaje 9/278) dhe shejh Albani (në Silsiletu el-Ehadithu ed-Daife nr.85) e kanë vlerësuar si të mirë (hasen) zinxhirin e këtij transmetimi, dhe ai ashtu duket në pamje të parë. Por, gjëja e parë e papranueshme (nekare) që të bie në sy te ky zinxhir transmetimi (isnad) është ajo që thotë el-Bezari pasi përcjell hadithin se: “Këtë hadith e përcjellin disa transmetues nga Jezid ibn Ebi Zijadi, por ne nuk dimë që Jezid ibn Ebi Zijadi të ketë transmetuar nga Ibrahimi, nga Alkameh, nga Ibn Mesudi, vetëm se këtë hadith!” Këtë veçim të Jezid ibn Ebi Zijadit në transmetimin e këtij hadithi e vë në dukje edhe Ib Adij, kështu që edhe nëse do të thoshim se transmetimet e këtij transmetuesi janë të mira (hasen), në këtë rast me këtë zinxhir transmetimi dhe këtë tekst ai nuk duhet të ishte i vetëm, sepse ai si transmetues është në nivelin më të ulët të përpikërisë së pranuar (dabd). Përveç kësaj ky transmetues e përcjell këtë hadith nga një imam i njohur, hadithet e të cilit janë të njohura dhe të përhapura, siç është imam Ibrahim en-Nehai, dhe nëse ky hadith do të ishte prej haditheve të këtij imami, atëherë atë do ta kishin dëgjuar dhe transmetuar edhe nxënësit e tij më të shquar, ata që si janë ndarë atij dhe  hafizat e hadithit, (e si atëherë i paska shpëtuar atyre dhe e ka përcjellë ky që nuk është në nivelin e tyre)!

Kjo është arsyeja pse ky hadith është dobësuar nga dijetarë të ndryshëm dhe e kanë konsideruar atë si nga hadithet e papranuara të Jezid ibn Ebi Zijadit.

Ueki ibn el-Xherah pasi ka përmendur këtë hadith ka thënë: “Nuk është asgjë.” Të njëjtën gjë ka thënë për të edhe Imam Ahmedi.

Edhe Ebi Usama Hamad ibn Usama kur refuzoi këtë hadith tha për Jezid ibn Ebi Zijadin për këtë transmetim të këtij hadithi (në veçanti): “Sikur ai të më ishe betuar pesëdhjetë herë, betim kasameh, nuk do ti kisha besuar! A ky është drejtimi i Ibrahimit?! A ky është drejtimi i Alkames?! A ky është drejtimi i Abdullahit?!” (ed-Duafa e el-Ukejlit 4/1493-1495)

Edhe Dhehebiu bie dakord me fjalët e mësipërme dhe bën përgjegjës për këtë transmetim të gabuar, me vetëdije ose jo Jezid ibn Ebi Zijadin. (es-Sejr alam nubela 6/131-132).

Kështu që vlerësimi më i saktë për këtë hadith është se ai është i dobët, madje munker (i refuzuar).

I treti: hadithi i Ebu Hurejrës, se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Nga Horasani do të dalin flamuj të zinj, të cilat nuk i kthen mbrapsht asgjë derisa të vendosen mbi Ilja (Jerusalem).” (Musned Ahmed nr. 8775, Tirmidhi nr. 2269...etj)

Të gjitha rrugët e transmetimit e përcjellin këtë hadith nga Tarik Reshidin ibn Sead, nga Junus ibn Jezid, nga Ibn Shihab, nga Kabisa ibn Dhuejb, nga Ebu Hurejra...

Tirmidhiu ka dhënë shenjë për të se është i dobët duke thënë për të se është hadith “garib” (i vetmuar në transmetim). Tabarani po ashtu thotë: “Këtë hadith nuk e përcjell askush nga Zuhriu vetëm se Junusi, e nga ai vetëm se Reshidini.”

Dr. Hatim thotë:

Reshidin ibn Sead është një transmetues për të cilin ka mospërputhje gjykimesh, nëse ai është dobët apo duhet braktisur fare, kështu që veçimi i tij me këtë hadith e bën hadithin të papranueshëm.

Ndërkohë el-Bejhekiu për këtë transmetim të Reshidinit nga Ebu Hurejra thotë: “Diçka e ngjashme me këto fjalë përcillet edhe nga Kab el-Ahbari dhe ndoshta kjo është më e saktë.”  

(Për dijeni të lexuesit, Kab el-Ahbari ishte një person dikur jude që më pas u bë musliman dhe është i njohur për shumë gojëdhëna dhe israilijate që ai tregonte, disa prej të cilave janë përzier nga njerëz të ndryshëm me hadithet e Profetit (alejhi salatu ue selam) si të ishin të tilla.)

Dr. Hatim sjell si provë gjithashtu një transmetim që përmendet nga Nuajm ibn Hamadi në “el-Fiten” (nr. 569) se Jusuf ibn Abdullah ibn Selam kaloi pranë shtëpisë së Meruan ibn Hakemit dhe tha: “Mjerë umeti i Muhamedit çka për të hequr nga kjo shtëpi, derisa të dalin flamujt e zinj nga Horasani!”

Nga kjo del e qartë se origjina e këtij hadithi vjen nga tregimet çifute.

Hadithi në fjalë ka edhe transmetime të tjera, por akoma më të dobëta se ato që përmendëm më sipër. Unë zgjodha këto transmetime që me to të krahasohen ato që janë më poshtë se këto. Kështu që nuk ka asnjë transmetim të saktë që të flasë për flamujt e zinj, qoftë nga Profeti (alejhi salatu ue selam) apo nga sahabët. Veç kësaj këtu ia vlen të shtoj edhe disa defekte që kanë të bëjnë me tekstin e tij, të cilat janë: 

E para: Mospajtimi tekstual mes gjithë këtyre transmetimeve:

- Në disa transmetime flamujt e zinj lavdërohen dhe po ashtu edhe ata që i mbartin ato, e në disa transmetime ato qortohen, si p.sh. transmetimi që thotë: “Kur të dalin flamujt e zinj, dijeni se fillimi i tyre është fitne, mesi humbje dhe fundi i tyre kufër.”

- Në disa transmetime dalja e tyre quhet shenjë e përfundimit të pushtetit të Umevije dhe fillimi i erës Abasite, siç edhe ka ndodhur. Për këtë edhe Nuajm ibn Hamadi disa kapituj të librit të tij “el-Fiten” i ka lidhur me këto ngjarje si p.sh. “Për daljen e Abasitëve”.

- Në disa transmetime dalja e flamujve të zinj shikohet si shenjë e përfundimit të pushtetit të Abasive, të cilën gjithashtu Nuajm ibn Hamadi e ka treguar në titujt e tij si “Flamujt e zinj të Mehdit, pas flamujve të Abasive dhe çfarë do të ndodh mes tyre dhe pasuesve të Sufjanit dhe Abasive”.

Natyrisht kjo shenjë e fundit, siç pretendohet, doli të ishte e pavërtetë historikisht, sepse u pa që pas rënies së shtetit Abasit as Mehdi doli dhe as Sufjani!

E dyta: Me gjithë këto mospërputhje, kjo shenjë nuk vlen si shenjë për asgjë! Çfarë shenjë është kjo, për mirë apo për keq, për Mehdin apo për dikë tjetër?!

E treta: Shenja e vërtetë nuk mund të jetë e saktë dhe mundshme të përdoret nga çdo pretendues dhe mashtrues, përndryshe ajo nuk është më shenjë! Madje nëse ajo vendoset si shenjë ajo i mashtron njerëzit, dhe feja që kërkon të udhëzojë njerëzit nuk mund të bjerë në një nivel të tillë! Përndryshe, çfarë e pengon çdo kë që pretendon me pa të drejtë të ngrejë flamuj të zinj dhe të thotë se ja, unë jam ai për të cilin është parathënë! Kjo është ajo që ka ndodhur në fakt me Ebu Muslim el-Horasanin dhe ata që ngritën shtetin abasit në fillimet e tij.

Imam Dhehebiu në “Sijer alamu nubela” thotë: “Përmendet se Ebu Muslim ngjyrosi një copë të zezë dhe e lidhi atë tek heshta, ndërkohë që atyre ua kishte zënë veshi hadithin e flamujve të zinj që vijnë nga lindja, kështu që iu pëlqeu kjo gjë, dhe pas tij i shkuan skllevër dhe ai u tha: ai që më vjen pas është i lirë...”  

Por para tij të njëjtën gjë bëri edhe Jezid ibn el-Muheleb. Dhehebiu për të thotë në “Tarihul islam”: “Kur vdiq Umer (ibn Abdulazizi) Jezid ibn el-Muheleb u arratis nga burgu dhe shkoi në Basra dhe i ftoi njerëzit që ti shkojnë pas atij, ai e quajti veten el-Kahtani dhe ngriti flamuj të zinj...”

Kështu pra, në këtë mënyrë është shfrytëzuar kjo shenjë e pretenduar nga një numër mashtruesish dikur edhe sot, çka provon se marrja e saj në konsideratë si shenjë treguese është budallallëku dhe injoranca më e madhe.

- Ai që do të thellohet më tepër rreth këtyre që përmendëm këtu, rreth haditheve të flamujve të zinj dhe haditheve të Mehdit në përgjithësi, mund tu referohet  këtyre burimeve:

1.http://dr-alawni.com/questions.php?sheikh=1
2.http://www.dd-sunnah.net/forum/showthread.php?t=139272
3.http://www.almeshkat.net/books/open.php?cat=32&book=5443 ky i fundit është edhe studimi më i detajuar dhe i zgjeruar, në disiplinën e hadithit rreth transmetimeve që përcillen për Mehdin.

 

Përgatiti: Hoxhë Justinian Topulli


Revista Shembulli

02:11:56am