1. Pritja e mirë. Në të hyjnë:
- Fytyra e hapur dhe buzëqeshja.
- Zbukurimi dhe parfumimi.
- Lajmet e gëzueshme.
- Fjalët e ëmbla dhe mallëngjyese.
- Përgatitja e ushqimit sa më mirë që është e mundur.
- Kujdesi për pastërtinë e dhomës dhe të fëmijëve.
2. Të folurit ëmbël dhe thirrja e butë
- Duke i thënë fjalë të mira e të ëmbla dhe duke e thirrur me emrat që ai më së shumti i pëlqen.
- Zbukurimi dhe parfumimi.
- Allahu është i Bukur dhe e do bukurinë.
- Hijeshia është nga ligjet e natyrshmërisë.
- Zbukurimi është cilësi e grave të devotshme.
3. Intimiteti (lidhja e ngushtë)
- Përgjigjja e shpejtë ndaj kërkesës së burrit ruan dëlirësinë e burrit dhe e gëzon atë.
- Ruajtja e shoqërisë nga punët e liga.
- Bëhu aktive gjatë marrëdhënieve, e mos u bë sikurse i vdekuri para duarve të atij që e lan dhe kushtoju kujdes të veçantë rregullave të takimit!
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Në qoftë se burri e thërret gruan e vet për të bërë marrëdhënie intime, ndërsa ajo kundërshton dhe ky fle i hidhëruar, atë (gruan) e mallkojnë melekët deri në agim.”[1]
4. Bindja ndaj burrit në gjëra të lejuara
Për bindje ndaj burrit ka shpërblim madhështor. Kjo u pa edhe në hadithin që e përmendëm më lart:
“Në qoftë se gruaja i falë pesë kohët e namazit, e agjëron ramazanin, e ruan organin e saj dhe i bindet burrit, do të hyjë në xhenet nga cila derë të dëshirojë.”[2]
Gruaja duhet t’i pasojë nënat e besimtarëve në bindjen e tyre ndaj Pejgamberit, lavdërimi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mandej Fatimen, pastaj Esmanë, të bijën e Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me to) dhe gratë tjera të devotshme, në mënyrë që ta fitojë lumturinë në këtë dhe botën tjetër.
5. Besnikëria
Besnikëria ka ndikim të veçantë. Ndodh që ndonjëherë burrin ta godasë ndonjë fatkeqësi në shëndetin apo pasurinë e tij, duke ia ndryshuar tërësisht gjendjen. Këtu shihet sinqeriteti ose ngurtësia e gruas. Në këtë rast gruaja duhet të qëndrojë pranë burrit me shpirtin e saj dhe me çdo gjë që ka mundësi, gjë e cila ia lehtëson burrit fatkeqësinë dhe e shton dashurinë ndërmjet bashkëshortëve.
Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush! (El-Bekare: 237).
Lëmosha që gruaja ia jep burrit të saj apo që e jep për burrin e saj konsiderohet besnikëri, meqë me këtë arrihet shpërblimi i afërsisë dhe ai i lëmoshës.
6. Nderimi i familjes dhe i mysafirëve të burrit
Gruaja e devotshme e nxit dhe e ndihmon burrin e saj në bamirësi ndaj prindërve dhe të afërmve të tij, në mënyrë që ai të fitojë shpërblimin madhështor dhe edhe ajo të ketë hise në atë shpërblim.
Ndërsa, po qe se gruaja sillet keq ndaj prindërve të burrit, atëherë ajo bëhet shkaktare për ngatërresa në familje dhe që burri i saj të bjerë në sprovë, kështu që shkatërrohet burri dhe bashkë me të edhe gruaja dhe kështu shkatërrohet e gjithë familja.
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Qoftë i poshtëruar, qoftë i poshtëruar dhe sërish qoftë i poshtëruar!”
I thanë: “Kush o i Dërguar i Allahut?!”
Tha: “Ai që e ka zënë gjallë njërin apo të dy prindërit e tij në pleqëri dhe nuk e ka fituar xhenetin.”[3]
Nëse prindërit e burrit bëjnë ndonjë gabim ndaj teje, atëherë duro dhe kërko me këtë kënaqësinë e Allahut, e mos e kthe gabimin me gabim, sepse Allahu i mbron besimtarët dhe Ai do të bëjë që prindërit e burrit të ndihen të kënaqur me ty, meqë Ai i Vetmi i ka zemrat në dorë dhe mos harro asnjëherë se siç ia bën ti dikujt ashtu do të ta bëjnë.
7. Ruajtja e fshehtësive të burrit
Allahu i ka lavdëruar gratë që i ruajnë fshehtësitë, duke thënë:
Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu. (En-Nisa: 34).
Po ashtu edhe i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, e ka lavdëruar atë grua që i ruan fshehtësitë e burrit të saj, duke thënë:
“Gruaja më e mirë është ajo që kur ta shikosh të gëzon, kur ta urdhërosh të bindet dhe kur të mungosh nga ajo e ruan veten dhe pasurinë e saj.”[4]
Si t’i ruajë gruaja fshehtësitë e burrit të saj?
- T’i mbajë sekret problemet dhe kundërshtitë që ndodhin mes tyre dhe t’i ruajë sekretet e dhomës së gjumit.
- T’i ruajë fëmijët, duke i edukuar mirë, duke i mësuar dhe duke u kujdesur për ta.
- Ta ruajë pasurinë e tij, qofshin para apo gjësende, pra të mos bëjë asgjë me pasurinë e tij pa lejen e tij, qoftë shpenzim apo shpërdorim.
- Ta ruajë veten dhe nderin e saj, të mos dalë pa lejen e tij, të pajiset me rregullat islame në veshjen e saj, pra të mos zhvishet dhe të mos parfumohet dhe të mos përzihet me burra të huaj.
- Të mos lejojë askënd të hyjë në shtëpinë e tij pa lejen e tij.
Thënë shkurt gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe përgjegjëse për kopenë e saj. Asaj nuk i lejohet të shpenzojë, të shpërdorojë apo të japë lëmoshë pa lejen e burrit të saj. Duhet të mos e mundojë burrin e saj me kërkesa të shumta, por ta nxisë atë të shpenzojë në rrugën e Allahut.
Pos kësaj, gruaja duhet t’i kushtojë kujdes të veçantë edukimit të fëmijëve në forcimin e imanit dhe pajisjes së tyre me moral islam, siç duhet të kujdeset për pastërtinë dhe shëndetin e tyre.
8. Shtëpia vend ibadeti
- Shtëpinë bëje vend për përmendjen e Allahut, duke lexuar Kur’an e në veçanti suren bekare, duke e pasuruar me librari dhe me ligjërata islame dhe me një tabelë, ku do të shkruajë nga një detyrë për secilin anëtar të familjes. Njëri nga anëtarët e familjes i cakton detyrat, kurse të tjerët i zbatojnë.
- Përgatite ushqimin mirë! (Qëllimi i mirë + mundi dhe lodhja = shpërblimi i madh).
- Shtëpinë bëje faltore, mbaj ligjërata për gratë e farefisit tënd dhe shoqet tua, ftoji në vizitë të devotshmit dhe lidhi fëmijët tu me ta, fal në të namaz të teravive dhe mbaj ndonjë fjalim të shkurtër.
- Caktoni një ligjëratë javore me bashkëshortin dhe fëmijët.
- Agjëroni të gjithë së bashku së paku një ditë nga çdo muaj.
- Kujdesu për pastërtinë dhe rregullimin e shtëpisë.
- Vendos një arkë të bukur bamirësie në ndonjë kënd të shtëpisë dhe shkruaj në të një fjali që nxit në bamirësi.
9. Ndihmojeni njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri
- Ndihmesa e ndërsjellë në bindje ndaj Allahut siç janë: namazi, përmendja e Allahut, mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe thirrja në rrugën e Allahut.
- Ndihmesa e ndërsjellë në edukimin e fëmijëve, ku nëna shfaq dhembshuri, kurse babai kujdeset më shumë për disiplinimin e tyre.
10. Durimi
Gruaja muslimane duhet të jetë e durueshme si në mirëqenie ashtu edhe në fatkeqësi dhe njëkohësisht të durojë çdo lëndim apo gabim që i vjen nga burri i saj, duke llogaritur kështu në shpërblim nga Zoti i Madhërishëm.
Feja islame na ka nxitur të jemi durimtarë, sepse për ta ka shpërblime madhështore.
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Nuk ndodh që muslimanin ta godasë ndonjë lodhje, sëmundje, lëndim apo brengë, madje as t’i hyjë ndonjë gjemb, e që Allahu të mos ia shlyejë me këtë mëkatet.”[5]
Andaj, të përgëzoj motër durimtare për fitimin e kënaqësisë dhe mëshirës së Allahut dhe për faljen e mëkateve.
Motër e dashur, mbase mund të thuash se kjo është e vështirë të bëhet. E pranoj se është ashtu, por ti e di se xheneti është rrethuar me vështirësi, kurse xhehenemi me epshe. Nëse kërkon rrugën më të shpejtë për në xhenet, atëherë dije se kjo është rruga më e shpejtë dhe më e shkurtër, porse duhet të kërkosh ndihmë nga Allahu i Lartësuar. Prandaj, vazhdimisht trokite derën e qiellit, në mënyrë që Allahu të të ndihmojë në zbatimin e urdhrave të Tij dhe ndjekjen e të dashurit të Tij Muhammedit dhe çdoherë llogarit në shpërblimin e Allahut. Pra, le të jetë gjendja jote gjithmonë ashtu siç thotë Allahu në Kur’an:
Unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde. (Ta Ha: 84)
Po, motër e dashur, betohem në Allahun se lumturia e vërtetë është në kënaqjen e Zotit tënd, andaj kujdesu për këtë, sepse kjo botë është e shkurtër dhe me pak mund ke mundësi ta arrish lumturinë e përjetshme, në të cilën nuk ka brenga e as shqetësime. Vetëm kështu mund të jetësohet lumturia e vërtetë. Atëherë, bëje tërë jetën tënde vetëm për Allahun; zakonet dhe ibadetet tua, rehatinë dhe mundimet, gëzimin dhe hidhërimin, dashurinë dhe urrejtjen, pra, bëji të gjitha këto vetëm për Allahun. Atëherë, eja motër e dashur që nëpërmjet lumturisë së kësaj bote, së bashku ta fitojmë lumturinë e botës tjetër. I Lartësuari thotë në Kur’an:
Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. Thuaj: “A mos vallë do të kërkoj unë tjetër zot, përveç Allahut, kur Ai është Zoti i gjithçkaje? Kushdo që bën diçka, punon për vete dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. Pastaj të gjithë do të ktheheni te Zoti juaj dhe Ai do t’ju tregojë për kundërshtitë që kishit mes jush. (El-En’am: 162-164)
Pa dyshim që jeta bashkëshortore kërkon vetëmohim nga të dyja palët, në mënyrë që ajo të ketë sukses, të lulëzojë dhe t’i mënjanojë problemet që i shfaqen asaj. Pra, assesi nuk guxojmë ta mohojmë se përgjegjësia bie mbi të dy bashkëshortët. Çdonjëri nga ta ka përgjegjësinë, për të cilën do ta pyesë Allahu Ditën e Gjykimit.
Kështu që, së pari dëshiroj ta kujtoj bashkëshorten për përgjegjësinë e saj dhe rolin që duhet ta luajë ajo në kapërcimin e pengesave që shfaqen në shtëpinë e saj të lumtur.
Shkëputur nga libri “Kejfe tekunine zeuxheten naxhiha” i autores Fatin Amara
Përktheu: Jusuf Kastrati
[1] Muttefekun alejhi. Hadithi transmetohet nga Ebu Hurejra t (Buhariu 3237, Muslimi 1436)
[2] Hadithin e transmeton Ibnu Hibbani (4163) nga Ebu Hurejra t.
[3] Hadithin e transmeton Muslimi (2551) nga Ebu Hurejra t.
[4] Hadithin e transmeton Tajalisiu (2444) dhe Nesaiu (3231) nga Ebu Hurejra t.
[5] Muttefekun alejhi. Hadithin e transmetojnë Ebu Seidi dhe Ebu Hurejra y (Buhariu 5642, Muslimi 2573)