
Njeriu është krijesa më e privilegjuar në rruzullin tokësor. Atij i është ngarkuar dhe misioni qiellor dhe i është besuar të sunduarit e kësaj toke, duke ia lënë amanet çdo gjë që është në të.
E për të qenë sa më i aftë për ta kryer këtë amanet Allahu e ka pajisur atë me shqisa të ndryshme dhe me intelekt. Pastaj e ka këshilluar dhe urdhëruar që të ketë kujdes se çka po flet e çka po vepron sepse për çdo fjalë a vepër do të jap llogari ditën e gjykimit. Në lidhje me këtë ka thënë Allahu xh.sh: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, (mos fol e mos vepro), sepse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra (mendja), për të gjitha këto ka përgjegjësi” (Kur’ani: El-Isra: 36.) Ndërsa përgjegjësinë e njeriut e la në varësi të postit, dijes dhe pozitës që e ka etj. Pra të gjithë njerëzit duhet të kenë kujdes e maturi, por ata që janë më të dalluar, më të ngritur, më me emër, në veçanti. Për atë themi se: nuk e ka përgjegjësinë e njëjtë një njeri i thjesht me një deputet, ministër, kryeministër apo president. Mendoj se këtu pajtojmë të gjithë. Ani pse të gjithë janë njerëz, të gjithë gabojnë, por gabimi i të gjithëve nuk është i njëjtë.
Andaj njeriu sa më me famë e me autoritet të jetë, po aq më shumë duhet të jetë i kujdesshëm, ngase fjala del dhe ajo më nuk kthehet pas. E siç është një fjalë e urtë arabe: “Nëse të folurit është nga argjendi, atëherë heshtja është nga ari.” Eh sa njeriu ka fol dhe i ka ra pishman për atë fjalë, por është bërë vonë. Është bërë vonë në këtë botë, por do të bëhet edhe më vonë në botën tjetër. Për atë thotë populli ynë: “Tri herë mendohu e njëherë fol.” Zaten njeriu i mençur duhet ta ketë parasysh Ditën e gjykimit për çdo fjalë dhe çdo vepër, para se ta ketë parasysh kënaqësinë e njerëzve në këtë botë. Ngase njeriu jo rrallë herë duke u munduar të flasë për hatër dhe teka të njerëzve e shkreton, bënë gafe të cilat mund t’i kushtojnë shumë, dikujt me fytyrë, dikujt me karrierë, e dikujt edhe me xhehenem sepse mund të del fare prej feje.
Para pak ditësh, me 15-10-2011 presidentja e vendit morri pjesë në një manifestim në Zumë të Hasit të quajtur “Takimet e Gjeçovit” të organizuar nga Ipeshkvija e Kosovës, me ç’rast mbajti fjalimin kryesor, ku pasi falënderoi organizatorët dhe lavdëroi shumë Shtjefanin si një priftë të devotshëm i cili ka mbledhur Kanunin e Lek Dukagjinit, gati sa e ngriti atë mbi shkallën e vet Jezusit –Isait, thuajse ai e ka mbledhur fenë e Isait, e jo që ai ka mbledh zakone e tradita që shumë nga ato bien në kundërshtim të plotë me vetë parimet e Jezusit –Isaut dhe të Biblës. Ajo gjatë fjalimit të saj dhe lavdërimit të Kanunit të Lekës bëri më shumë se një gafë, në veçanti kur atë e ngriti mbi besimin katolik dhe atë Islam. Ajo shkoi edhe lartë ku edhe përqeshi sheriatin Islam, kinse ai sheriat po ia preka dorën njeriut dhe po e rrahka atë me kamxhik. Dyshoj shumë nëse presidentja e vendit e ka lexuar Kanunin e Lekës, ndryshe, Kanuni ka shumë të meta, e një ndër to edhe diskriminimi i femrës, e që do të mjaftonte -të paktën- për rezerva ndaj tij, pasi që edhe vet ajo edhe i takon gjinisë femërore.
Presidentja gjatë fjalimit të saj mes tjerash tha: “Më lejoni, duke pasur parasysh karakterin e këtij manifestimi, t’i them dy çështje rreth Kanunit të Lekë Dukagjinit.
E para: Ky Kanun në gjitha nenet dhe paragrafët e tij e respekton njeriun, dinjitetin e tij personal dhe familjar. Kanuni nuk e njeh të drejtën e ndëshkimit si dëmtim dhe poshtërim të dinjitetit. Në Kanunin e Lekës, nuk ka rrahje publike të personit, nuk ka gjymtim të trupit”. Kështu thotë presidentja për Kanunit, por në realitet kanuni thotë krejt ndryshe. Në faqe 14 shkruan: NYE I NJËZETË TRASHËGIMI I GRUAS SHQYPTARE: “Gruaja shqiptare farë trashëgimi s’ka te prindja, as më plëng e as në shpi, kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi...”.
Pastaj në faqe 19 shkruan: NYE I NJËZETETETËT “GRUEJA S’BJEN NË GJAK” ... “Me rrahë burri gruen, nuk bjen në faj kah kanuja, e as prindja s’mund t’a kërkojnë të rrahmen”. Pastaj në faqe 21 shkruan: NYE I TRIDHETEDYTË GRUEJA E PA KURORË. “ Kanuja i nep këtu ndëshkime burrit, qi merr grue të pa kunorë: a)shpija i digjet e toka i jet djerr; b) xieret prej vendit, e s’mund ta shkalosë tokën e vet....” këtu janë vetëm disa ligej të kanunit për femrën shqipëtare të cilën e ulë dhe nënqmon kaq shumë, saqë edhe me rrah burri dru gruan e tij, me gjakos e me lënduar, ai nuk jep përgjegjësi para askujt, bile as babai i saj nuk ka të drejt me i than pse ma rrehe vajzen.
Ndërsa nëse vajza martohet pa lejen e prindit, shpija e dhandrrit duhet ti digjet, të përzihet nga shtepia dhe toka ti jetë shkret. E që sipas Presidentes ky koka “rrespektim i njeriut, rrespektim dhe ruajtje e dinjitetit të femrës” nga ana e kanunit. Ndërsa sa i përket asaj se kanuni nuk njeh ndeshkim e poshtrim dhe se në te nuk ka rrahje publike, kjo bie total në kundërshtim me atë çka figuron në kanun.
Në faqe 5 shkruan: “ARTIKULLI I DYTË PJESA E NDESHKIMEVE NYE IS HTAT AMTYRA E NDESHKIMEVE: ndeshkimet, qi i nepen per faje kundra kishes, janë njiketo: a)të gjykimet për dekë. B) të nxjerrunt prej Bajrakut me rob e robi. C) të lanunt e tokës djerr a të premt e pemve”. Ndërsa më pas faqe 6 shkruan: “ NYE I TETËT CAKTIMI I NDESHKIMIT MBAS CILLSIS SË FAJIT 17. 1- Kush then kishen , asht i djegun e i pjekun e i qitun me rob e robi jashta Bajrakut. Fajtori –dorasi- bohet batare prej bajrakut, e shkon gjakhupës...”. këtu janë vetëm disa të “drejta dhe rrespekte” për ruajtjen e dinjitetit të njeriut sipas Zonjes Presidente! Andaj ju lutem lexues gjykoni vet për fjalimin e saj.
Ajo gjithë ashtu gaboi rëndë ku gjat fjalimit të saj lavdroi Kanunin dhe përqeshi sheriatin i cili për burim ka Kuranin, e Kurani si libër i shenjët nuk guxon të përqeshet, në veçanti kur ne si komb me shumicë absolute i përkasim fesë Islame e cila ka për burim Kuranin, e bile edhe vet Presidentja i përket fesë islame dhe rrjedh nga një familje me traditë fetare. Është e vërtet se ka njerëz të cilët marrin guxim ta fyejnë Kuranin dhe tërë Islamin, ka të llojllojshëm, të shkolluar dhe analfabet, por një person me kaq pozitë të lartë, i pari i shtetit të marr guxim të tillë e ta fyej Kuranin, ta fyej identitetin e popullit të saj që ajo e udhëheqë dhe që edhe vet i përket, kjo është shumë e rëndë dhe e pa pranueshme.
Aq gabim të madh ka bërë presidentja, aq shumë na ka fyer neve myslimanëve saqë unë nuk po guxoj të besoj se ajo ka qenë e vetëdijshme për atë deklaratë, por dua të besoj se ai është një gafë i saj i cili ka rrjedh nga këshilltarët e saj të cilët ia kanë përgatitur materialin për ta lexuar. E unë shumë e kisha lutur Presidenten në emrin tim dhe të myslimanëve që ta tërheqë atë akuzë ndaj Kuranit, apo t’i kërkoj falje popullit të saj që aq shumë e ka lënduar. Më së paku kam dashur të flasë kundër të parit të shtetit, ngase le të jetë si të jetë është i pari ynë, por ja që po detyrohem sepse shumë të lënduar e të fyer po e ndiejmë vetën tonë.