Pse ta festoj Vitin e Ri pagan?

Shkruan: Zenel Latifi

 

Të mendosh për gjëra të mëdha është një gjë që e bëjnë njerëzit e mëdhenj, sepse ata të vegjlit vazhdojnë me iluzione dhe me ëndrrat e tyre të parealizueshme. Më e mira prej të mirave është të jesh njeri i matur dhe mesatar, domethënë të gjesh “mesin e segmentit” dhe të mbash baraspeshën e saj, sepse nëse anon kah njëra prej tyre atëherë ajo do të lëkundet. Çfarë dua të them nuk mund të përshkruhet me shkronja e as me fjalë, sepse ato fjalë janë që dalin njëra pas tjetrës dhe më duket se nuk mbarojnë kurrë!

Tani shekulli 21, periudhë e “civilizimit”, modernizimit dhe intelektualizmit, por çfarë po e dallon këtë kohë nga ato më të hershmet!? Disa po thonë se tani është shfaqur globalizimi! Mirë, por a do të ma imponojnë që unë të mbulohem me traditat e tyre, me zakonet dhe me injorancën e tyre! Mundohen ta bëjnë atë, por unë me zemër, me shpirt dhe me gojë do ta kundërshtoj atë, derisa të vazhdoj të shkel mbi këtë tokë.

Dëgjoj gjëra shumë neveritëse, kinse ne muslimanët qenkemi ekstremistë! A mos qenkan  ekstremistë ata që bëjnë mirë, sillen me butësi dhe i bien në sexhde Zotit të tyre!? Si mund të jetë i tillë ai që bën mirë dhe ec në tokë pa asnjë pike mendjemadhësie! Vërtetë All-llahu i do bamirësit! All-llahu në Kur’anin Famëlartë thotë: “Me të vërtetë All-llahu i do bamirësit”. [Bekare, 195].

Ekstremistë janë ata që harxhojnë pa masë, e teprojnë në çdo punë, ashtu siç bëjnë pabesimtarët. Vije Viti i Ri, dhe çfarë bëjnë! Derisa me miliona njerëz barkun e kanë të zbrazët, goja e tyre është tharë për ujë dhe vdesin nga uria e nga etja, ekstremistët pabesimtarë vazhdojnë të shpenzojnë për gjëra të kota. Me miliarda euro harxhohen për fishekzjarrë, nga të cilat nuk ka kurrfarë dobie, përveç dëmeve marramendëse, ku dëgjojmë në media se shumë njerëz humbin jetën e shumë të tjerë mbeten të gjymtë, sepse kanë zgjedhur rrugën që nuk sjell asgjë pos harxhimeve, fatkeqësive dhe mëkateve. Kjo a nuk është ekstremizëm!? Pikërisht kjo është ajo që ata e quajnë ekstremizëm. Ne ua argumentojmë këtë atyre me ajetin Kur’anor: “e mos e teproni se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë” [Bekare, 190].

Pse ta festojmë Vitin e Ri, kur ajo nuk ka baza në fenë tonë? T’i lëmë pabesimtarët le të vazhdojnë me bindjet e tyre të gabuara, sepse ata kanë zemra që nuk kuptojnë, kanë sy që nuk shohin. Ata nuk e pranojnë të vërtetën! Pse? Sepse i gjetën paraardhësit e tyre duke i festuar këto festa! Pse a mos qenë ata të pagabueshëm!? Padyshim, ata janë në rrugën e gabuar. Por, ne të bëhemi të fortë e t’i kundërshtojmë në gjërat që janë gabim.
I Plotfuqishmi thotë në Kur’an: E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): “Pranoni atë që All-llahu e shpalli”! Ata thonë: “Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë”!”. [Bekare, 170].

Vërtetë Viti i Ri i ka rrënjët në paganizëm dhe ne nuk kemi pse ta festojmë atë. Ne në fund të çdo viti duhet të ndalemi dhe të mendojmë se “lumi” i jetës na e mori edhe një vit dhe se jeta jonë po na shkurtohet! Të llogarisim punët tona të mira dhe të këqija. E mos të festojmë për një vit që u plakëm, që na iku nga dora jonë një pjesë e jetës tonë, e cila ka shumë vlerë, sepse me anë të saj e fitojmë të përhershmen ahiretin tone të dashur, Xhennetin e All-llahut, të cilin po e kërkojmë nga i Plotfuqishmi, nga Krijuesi i gjithçkaje, nga Ai, që kur emri i Tij përmendet zemrat tona rrëqethen e sytë tonë mbushen plot lot.